DYLON

Libër që të pushton me figurshmërinë dhe metaforiken e pasur poetike

Libër që të pushton me figurshmërinë dhe metaforiken e pasur poetike
Avatar photo Redaksia

ANTON NIKË BERISHA

LIBËR QË TË PUSHTON ME FIGURSHMËRINË DHE METAFORIKEN E PASUR POETIKE

EkoHigjiena

Në librin e parë me poezi “Kur dielli lind në bebëza” Zanë Mali bën objekt vështrimi poetik Dashurinë, që është dukuria – ndjenja më e qenësishmja, më e pafundmja dhe më magjikja. Në të poetja shpalos, në pajtim me moshën dhe shpirtin e saj, botën sa të veçantë aq dhe të pasur të femrës, fshehtësitë e pafund dhe e përligj rëndësinë e realitetit përkatës që krijohet përmes tekstit poetik.

Me pjekurinë poetike ajo e zhbën moshën dhe dëshmon atë që Stefan Zvajgu e thoshte për gjashtëmbëdhjetëvjeçarin, Hugo fon Hofmanstalin: “[…] nuk e fillonte (veprimtarinë letrare – v. ime), por e përsoste sapo e kishte filluar”.

Në këtë vepër Zanë Mali zbaton një shprehje sa të shpenguar, aq dhe të menduar dhe poetikisht të ngritur; një natyrshmëri e ngrohtësi rrëfimi, që të pushton me figurshmërinë dhe metaforiken e pasur si dhe me një ritëm e kumbim të disa llojshëm të fjalëve dhe të vargjeve.

Vepra e Zanë Malit, që tërësisht i kushtohet dashurisë si dukuri jetësore e hyjnore, të kujton “Këngën e këngëve” të Biblës së Vjetër, kushtuar tërësisht dashurisë dhe që 26 shekuj nuk i ka zbritur vlera dhe aktualiteti. Për të rabini Aqiba (vdekur më 135 pas Krishtit) thoshte: “Bota e tërë nuk është e denjë sa dita në të cilën ‘Kënga e këngëve’ iu dhurua Izraelit. Të gjitha librat e Biblës janë të shenjta, po Kënga e Këngëve është më e shenjta nga të gjitha (Mišnah, Jadayim 3, 5)”.

Dashuria në librin e Zanë Malit ka një shtrirje të shumtë dhe në shqiptim shmangën modelet e njohura dhe ndiqet një mënyrë e mëvetësishme në përftimin me përkushtim të vargjeve dhe të poezisë si tërësi shprehëse poetike. /2LONLINE/

___________

Thekse nga fjala e mbajtur në Manifestimin poetik “Shpalime pranë vere”, mbajtur dhe në komunën e Vitisë, ( Rest. “Frank’s House”), më 22 qershor, 2024

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.