(2L ONLINE) – Komuna e Vitisë në bashkëpunim me Stacionin Policor në Viti kanë mbajtur gjatë këtyre ditëve ligjërata me nxënësit e shkollave të mesme konkretisht të grup moshave 17-18 vjeç ku si temë e kanë trajtuar çështja e trafikimit me qenie njerëzore.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu duke folur rreth rëndësisë që kanë mbajtja e këtyre ligjëratave me të rinjtë theksoi Institucionet Komunale të Vitisë I mbështesin aktivitetet e tilla të cilat janë në interes të shoqërisë.
“Ne si institucione Komunale të Vitisë I mbështesim të gjitha ato aktivitete që kanë për qëllim vedijësimin e qytetarëve. Ligjëratat që janë mbajtur gjatë këtyre ditëve janë në kuadër të objektivave që I parasheh Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi e në veçanti për vedijsimin e qytetarëve për natyrat e krimeve dhe sjelljet e dhunshme e një ndër krimet është edhe trafikimi me qenie njerëzore” u shpreh Aliu.
Ai ndër tjerash falënderoj Njësinë Komunale për të Drejtat e Njeriut, Qendrën për Punë Sociale si dhe Policinë e Kosovës në Viti të cilët kanë qenë të angazhuar në organizimin dhe mbajtjen e këtyre ligjëratave. Ndërkaq Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Agim Lipovica theksoi se këto ligjërata po bëhen me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj dukurie.
“Trafikimi me qenie njerëzore është një çështje që shqetëson shoqërinë në përgjithësi dhe për këtë ne në këtë kohë po punojmë në preventiv me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie” u shpreh Lipovica.
Ndërkaq Ibadete Hyseni nga Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut në Viti tha se përfitues e këtyre ligjëratave janë rreth 450 nxënës të shkollave të mesme.
“Këto ligjërata janë zhvilluar kryesisht me nxënësit të shkollave të mesme, konkretisht me rreth 450 nxënës të grup moshave 17-18 vjeç” u shpreh Hyseni.
Ajo tha se gjatë ligjëratave është parë se vetëm një pjesë e vogël e nxënësve janë të njoftuar me çështjen e trafikimit me qenie njerëzore.
Ajo ndër tjerash theksoi se këto ligjërata janë mbajtur në kuadër të planit të punës së KKSB-së për vitin 2014. Ndërkaq para nxënësve vitias kanë ligjëruar Mehmet Mehmeti nga Policia e Kosovës,Stacioni në Viti, Heset Ukshini nga Qendra për Punë Sociale si dhe Ibadete Hyseni nga Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut./2L ONLINE/