(2L ONLINE) – Me angazhimin e Klubit Rotarian “Gjilan”, Komuna e Gjilanit sot ka përfituar një autoambulancë donacion nga rotarianët britanez, e cila gjatë ditës do t’i dorëzohet Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Për t’i falënderuar për këtë gjest human, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i ka pritur në zyrën e tij, rotarianë britanez nga klubi “Rotary Launceston”, Barrie Boundy dhe Leighton Penhale, ndërsa rotarianët nga Rotary Club “Gjilani” i përfaqësoi kryetari Muhamet Halili. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Fejzulla Berisha.
“Unë ju falënderoj pafund për këtë ndihmë. Kjo ndihmë, duke na dhuruar autoambulancën është shumë humane sepse dikujt do t’ia shpëtoni jetën. Ne do t’ju jemi mirënjohës përjetë. QKMF do të ketë shumë më të lehtë funksionimin për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Do ta thellojmë bashkëpunimin edhe më shumë me rotarianët britanez dhe këta nga Gjilani”, ka thënë me këtë rast kryetari Haziri.
“Është privilegj që po arrijmë t’ju ndihmojmë juve me këtë rast sepse ky është qëllimi ynë, të jemi bamirës kudo në botë. Kjo është një mënyrë e njohjes së miqësive, për të parë se si funksion biznesi dhe të gjitha veprimtaritë e tjera në Gjilan”, tha nga ana e tij Leighton Penhale.
Ndërsa, Muhamet Halili nga klubi Rotarian “Gjilani” tha se falë rotarianëve britanik, e kemi tashmë një autoambulancë dhe se kjo nuk është ndihma e pare që kemi nga miqtë tanë Rotarian nga Britania.
Fejzulla Berisha, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, ka falënderuar rotarianët britanez për ndihmën, duke thënë se tashmë si menagjer i ri do ta ketë më të lehtë për të ofruar shërbime për qytetarët tanë. /2L ONLINE/