(2L ONLINE) – Parashkollorët e shkollës fillore në Mihir të Gjilanit iu janë gëzuar sot vizitës së rotarianëve të RC “Gjilani”dhe rotaraktëve “Anamorava”. Ata u kishin sjellë atyre pako të shumta me lodra, të buta, të forta si dhe didaktike me çka u pasurua bollshëm klasa e tyre. Tani e tutje 17 parashkollorët e kësaj shkolle do të kenë edhe më shumë lodra për të luajtur, por edhe mjete tjera didaktike për të mësuar me edukatoren e tyre, përgjatë kohës sa janë aty.
Rotaraktët gjilanas që tani e tutje njihen me emrin “Anamorava” e që janë pjesë e Klubit Rotarian “Gjilani”, kanë finalizuar të enjten projektin e tyre nisur javë më parë “Dhuro lodra për fëmijë”, e ku pako të shumta, me lodra të buta, të forta, libra, lapsa… dhe mjete të tjera didaktike iu janë dorëzuar sot përgjegjësve të shkollës përkatësisht edukatores dhe fëmijëve të klasës përkatëse.
Këtë veprim të ndërmarrë nga rotarianët gjilanas, përkatësisht e të rinjve –rotaraktë, e ka vlerësuar lartë edhe drejtori i shkollës në Mihir, Ajvaz Beqiri. Ai ka vlerësua veçmas përcaktimin për t’u ndihmuar shkollat në fshatra sepse nevojat aty janë të mëdha. Ai tha se e vlerëson tejet lartë sidomos angazhimin e këtyre të rinjve që nuk kanë hezituar për të menduar edhe për parashkollorët e kësaj shkolle, duke hartuar një projekt të tillë, grumbulluar lodra, e tani edhe sjelljen e tyre këtu.
Drejtori Beqiri tha se kjo do të thotë shumë sepse ka të rinjtë që mendojnë për të tjerët derisa vlerësoi në tërësi angazhimet e rotarianëve gjilanas të RC Gjilan, pasi tha se për punën e tyre, ka njohuri edhe më herët, pasi janë ata që kanë realizuar edhe projekte mjaftë të rëndësishme, siç është ajo e ujit për shkollën në Ponesh dhe tani së fundi edhe për shkollën e Bresalcit, për çka u shpreh falënderues shumë.
Edhe edukatorja e kësaj klase Kimete Myrtaj tha se ndihet e lumtur që klasa e saj është përzgjedhur për këtë projekt të rotarianëve, përkatësisht rotaraktëve dhe se po pasurohet ky ambient edhe me këto lodra të bukura dhe mjete të tjera shkollore dhe se për këtë ka vlerësuar vullnetin që kanë pas këta të rinj, për të ndihmuar të tjerët.
Manushaqe Latifi në emër të rotaraktëve, tha se ndihen tejet të lumtur që kanë bërë që me këtë projekt të tyre të sjellin buzëqeshje në fytyrat e këtyre vogëlushëve. Ajo ka falënderuar rotarianët që i kanë mbështetë në këtë projekt, qytetarët dhe bizneset që kanë dhuruar lodra dhe të gjithë ata që e kanë ndihmuar jetësimin e këtij projekti. Latifi pastaj foli për ecurinë e këtij projekti që nga ideja e deri në realizim dhe premtoi se rotaraktët nuk do të ndalen, por do të bëjnë edhe projekte tjera në të mirë të komunitetit.
Ndërsa, Muhamet Halili dhe Naim Shaqiri në emër të RC Gjilan, premtuan se idetë e të rinjve për projekte, sikurse kjo e sotmja, do ta kenë përherë përkrahjen e rotarinëve të RC “Gjilani” dhe përgëzuan rotaraktët e “Anamorava’-s që e përmbyllen me sukses këtë projekt të tyre./2L ONLINE/