Cristiano Ronaldo pritet të ftohet në gjyq për t’u përballur me akuzën për përdhunim nga Kathryn Mayorga.
Para tetë muajve, Kathryn Mayorga e akuzoi Cristiano Ronaldon se e kishte përdhunuar në orët e hershme të 13 qershorit të vitit 2009, në Las Vegas, pasi ishin takuar në një klub nate.
Menjëherë, avokatët e Mayorgas filluan ta kërkonin adresën e superyllit portugez, pasi policia e Las Vegasit e rihapi këtë rast. Ekipi ligjor i Ronaldos ka tentuar t’i shmanget këtij procesi dhe dokumentet gjyqësore tregojnë se ata nuk kanë ndihmuar në gjetjen e vendndodhjes së shtëpisë.
Por, tani është gjetur adresa e shtëpisë së 34-vjeçarit në Torino, përmes dokumenteve ligjore të pronësisë. Gjatë javëve në vazhdim, sapo të përkthehen të gjitha dokumentet, avokatët e Mayorgas do t’ia dërgojnë Ronaldos thirrjen për gjyq.
Avokatët e Ronaldo, por edhe vetë portugezi, e kanë mohuar këtë lajm disa herë. Megjithatë, për shkak të dokumenteve të besueshme të publikuara, policia e Las Vegasit i ka rihapur hetimet për këtë rast.