Romani “ Eva – njëra nga ato “ i autores Linditë Ramushi Dushku, dëshmon se tema traumatike e përdhunimit të femrave shqiptare gjatë luftës së Kosovës prej pushtuesve gjakatarë serbë, jo vetëm se nuk është më një tabù në letrat shqipe përtej Drinit e më gjerë në arealin shqiptar, por as vetëm i letërsisë dokumentare, që ka qenë deri më tani pararojëse për t’ia bërë të ditur botës demokratike se çfarë ka ndodhur me gratë e vajzat nga shtazëria serbe kryesisht, por dhe me vetë opinionin shoqëror, prindërit e të afërmit e të përdhunuarave.
Nga: Kujtim DASHI, Tiranë
Romani “Eva”, me një titull sinjifikativ të simbolizimit të mëkatit zanafillës, në të vërtetë na paraqet dy pamje krejt të ndryshme të traumës që ka pësuar Eva, protagonistja e romanit, të ndërthurura me mjeshtëri me njëra-tjetrën: njëra një “vetëterapi” e zgjedhur dhe aplikuar prej Evës që, në faqet e këtij romani të shkurtër të krijojnë fillimisht iluzionin dhe më tej përshtypjen bezdisëse e surprizuese të një manuali të letërsisë rozë a seksologjik ekstrem dhe tjetra “terapia” e përjetshme, ajo e dashurisë (Evës me kolegun, gazetar Ardin) pas shpalljes botërisht (në Sofje) të “I am one of those”, për të shpëtuar nga ankthet e makthet e përjetuara shtazërisht, fillimisht nga bishat serbe e, më pas, nga vetë I fejuari, apo opinioni shoqëror fanatik, paragjykues, përjashtues e jo miqësor, që nis që në familjen e saj
Dualiteti, dyzimi, dyfytyrësia, dyfaqësia ose raporti i thelbit me shfaqjen a çfarëdo emri tjetër t’i vësh ka qenë dhe është një temë e preferuar në letërsinë tonë e të huaj, madje ai shpesh përbën a përcakton edhe vetë themelin e natyrave dhe karaktereve dhe personazheve të veprave letrare, siç ngjet dhe në jetë, si dy shina paralele, në të njëjtën kohë të ndërlikuara e të komplikuara jo vetëm të një situate a ndodhie, por gjatë gjithë veprës. Kësisoj antologjia e letërsisë së huaj dhe ajo e shqipes, është e pasur me karaktere të tilla të dyzuara.
Dyfaqësia mund të jetë një zgjedhje e përkohshme a e një rrethane e situate të caktuar “për të kapërcyer lumin” në vizatimin e një personazhi nga autori që mund ta ketë qëmtuar nga realiteti a krijuar në laboratorin e tij krijues ose krejt fytyra e tij, por që të vihet thuajse në themel të të krejt romanit (pjesës së parë, po i themi kështu, por që e shoqëron si frikë deri në fund të romanit), si zgjedhje e bindshme dhe e vetëdijshme, këtë e shohim ndoshta vetëm te romani “Eva” i autores Linditë Ramushi Dushku.
Në shpëfaqjen e dramës së jashtëzakonshme e traumatike të Evës ka një gradualitet të admirueshëm, i cili kulmon me fjalimin e Evës në konferencën rajonale të Sofjes në Bullgari, ku vlerësohet lart dhe me çmimin e konferencës. Besoj dhe lexuesi do ta konsiderojë si kuitesencë një fragment të fjalimit të Evës, çka i jep romanit theksa më të fortë social, madje e tejkalon në njëfarë mase edhe vetë tragjedinë e femrës kosovare, duke e kthyer si një lajtmotiv të një lëvizje feministe e shoqërore.
Jo vetëm kur lexon këtë roman, por edhe kur fokusohesh më për nga afër me tërësinë e tekstit, lexuesit i zgjohet vetvetvetiu vetëdija se trauma e grave dhe vajzave të përdhunuara gjatë Luftës së Kosovës, jo vetëm nuk është kapërcyer, por mund të konsiderohet ende në rend të ditës dhe një plagë e çelur për shoqërinë kosovare.
Romanin e mbajnë kryesisht dy personazhe kryesore, mbi të gjitha bartësja e dramës, Eva dhe Ardi. Por, autorja na jep kalimthi a vetëtimthi edhe një sërë personazhesh që për nga mjeshtëria artistike e autores të mbesin në mendje, si klientela e “zotrimadhërive” deri te buzëqumështi, Ardi natyrisht, Anita kushërira, familja e saj si jehonë letrash më tepër, si babai i Evës, vëllai dhe e ëma etj.
Romani është i rëndësishëm jo për skenat e nxehta të fillimit të tij, por për temën e madhe që, në rastin më të mirë, të një realizimi artistik më adekuat do të ishte një aktakuzë e rëndë, tashmë dokumentaro-artistike për mizoritë serbe mbi femrën e, në përgjithësi, shqiptarët.