NGA: Sefedin Rahimi
Zhvillimet e përgjithshme që përfshinë Universitetin e Prishtinës në vitet 70-të, dhanë disa rezultate shumë më të favorshme, në prag të fillimit të dekadës së dytë të tij. Ai kishte një infrastrukturë shumë më të mirë se në fillimet e punës së tij: u zgjerua me njësi e degë të reja, ku përgatiteshin kuadro të profile të ndryshme, pati një përfshirje të madhe të studentëve në të dyja gjuhët e studimit, pati shtrirje dhe bashkëpunim më të madh me institucionet arsimore e shkencore e veçanërisht me USHT-në dhe institucionet e tjera arsimore e shkencore të Shqipërisë. Të gjitha këto arritje, si dhe përpjekje të tjera të vazhdueshme të UP-së në përmirësimin e veprimtarisë mësimore dhe shkencore, e bënë atë një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi. Ato ishin, në rend të parë, produkt i vetë pedagogëve dhe studentëve të tij, që ishin shumë këmbëngulës që për t’i çuar përpara proceset në të gjitha drejtimet, por edhe i ndihmës dhe përkrahjes që iu dha nga jashtë e, veçanërisht, nga Shqipëria. Në këto rrethana të zhvillimit të tij u përgatit inteligjencia e vendit, kuadrot e nevojshme për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj. Krahas përsosjes së veprimtarisë arsimore, UP-ja u bë vatër e rëndësishme në zhvillimin e ndjenjës dhe frymës kombëtare, e cila do të demonstrohej herë pas here në radhët e pedagogëve dhe studentëve të UP-së. Pas fitores së Autonomisë dhe përmirësimit të statusit politik të Kosovës më 1974, me gjithë përparimet në arsim, kulturë e fusha të tjera, zhvillimi i përgjithshëm i Kosovës, krahasuar me republikat e tjera të Jugosllavisë, linte akoma për të dëshiruar. Përmirësimi i statusit politik të Kosovës në “Republikë” do të ndikonte në ngritjen e nivelit ekonomik e shoqëror të saj. Në këtë proces UP-ja luajti rol shumë të madh në ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit të popullit shqiptar në Kosovë dhe jashtë saj.
Sipas analizës dhe vështrimit nga jashtë të situatës në Kosovë, konkretisht nga dokumentet britanike të kohës, në prill të vitit 1981, shihej qartë se pakënaqësia ishte në rritje dhe shkaqet dhe faktorët për këtë ishin të shumtë. Ajo vinte jo vetëm nga rrethanat politike të brendshme dhe të jashtme, por edhe nga faktorët ekonomikë, socialë, që ishin arsye dhe shkaktarë të këtyre pakënaqësive për shqiptarët e kësaj Krahine. Ndër arsyet e shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, në aspektin e jashtëm ishte se Federata kishte hyrë në një krizë të thellë, sa u përket borxheve dhe kredive që kishin paralizuar Jugosllavinë. Sipas prof. Marenglen Verli, Jugosllavisë nuk i kishte mbetur tjetër, veçse të ndërpriste standardin dhe luksin ekzistues, ose të kërkonte shtyrjen e kredive e pagesave, për të mbuluar deficitin e krijuar. Kjo situatë në hapësirat ku jetonin shqiptarët u vështirësua edhe më shumë, sepse varfëria dhe diskriminimi kombëtar ishte i madh. Kjo çoi në demonstratat e 1981. Gjendja jo e mirë dhe shfrytëzimi ekonomik, që i bëhej Kosovës nga Federata, sidomos në industrinë e rëndë minerale, kimike dhe energjetike, papunësia e madhe që kishte përfshirë Kosovën, si dhe pabarazia etnike në punësimin e punëtorëve, ku 30% e të punësuarve e zinin serbët e malazezët, e kishin shndërruar Kosovën në “vendin më të varfër, me më shumë të papunë, me migrime më të mëdha dhe me popullsinë shqiptare më të paintegruar në shoqërinë jugosllave”. Kështu e gjykonte situatën e rëndë ekonomike të Kosovës historiani Neol Malcom.
Në thelb, përveç arsyeve ekonomike e sociale, ishin edhe arsyet politike që shtynë studentët në demonstratën e vitit 1981, të cilët u shprehën me parullën “Kosova Republikë”. Përmirësimi dhe ngritja e statusit politik të Kosovës në Republikë, ashtu si dhe republikat e tjera të Federatës, ka qenë kërkesa themelore e Lëvizjes Ilegale në Kosovë e në treva të tjera shqiptare nën Jugosllavi. Lëvizja Ilegale kishte fillimet e saj fill pas Luftës së Dytë Botërore. Deri në vitet 1981, ajo kishte përshkruar një rrugë të gjatë e të mundimshme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve nën Jugosllavi, përmirësimin e gjendjes ekonomike, shoqërore e të statusit politik të Kosovës, si në demonstratat e vitit 1968 dhe me ndryshimet e statusit politik të Kosovës më 1974. Goditjet e herëpashershme që mori në fund të viteve ’70 e në fillim të viteve ’80, e bënë atë më e fortë dhe ajo e kishte shtrirë organizimin e saj në të gjithë vendin. Pa dyshim që UP-ja, ku ishin përgatitur kuadrot më të mira drejtuese të saj, ishte bërë një ndër vatrat kryesore, e cila do të ndizte në pranverën e vitit 1981 demonstratat e studentëve.
Për organizimin dhe zhvillimin e demonstratave të 1981, rol kryesor luajtën dy organizata ilegale, të cilat u dalluan si në aspektin ideologjik edhe në atë material dhe në konkretizimin e tyre. Grupi i parë ishte Fronti Popullor për Republikën e Kosovës, dhe grupi i dytë që i dha shpirt dhe jetë këtyre demonstratave ishte Grupi i Studentëve. Sipas aktakuzës së Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, studentë organizatorë ishin këta: Gani Koci, Januz Januzi, Ramadan Dobra, Kadri Kryeziu, Murat Musliu, Selim Geci, Bedri Deliu, Ali Lajçi, Hamdi Hajdini, Riza Dema, Syl Mujaj, Ramë Demaj, Bajram Kosumi, Musli Kosumi, Merxhan Avdyli, Gani Maxhuni, Gani Vllana, Fahri Ymeri, Halit Osmani, Xun Çeta dhe Hamdi Zymberi. Përveç studentëve, apo grupit të tyre, një ndihmë dhe përkrahje dha edhe grupi i quajtur, Grupi i Intelektualëve të Kosovës, që mbrojtën studentët dhe kërkesat politike të Kosovës, siç ishin: profesor Halil Alidema, Ukshin Hoti, Muhamet Tërnava, Ekrem Kryeziu, Mentor Kaçi, Hilmi Ratkoceri, Ali Kryeziu, Nezir Haliti, Shemsi Reçica dhe Muharrem Fetiu. Këta u arrestuan dhe u dënuan edhe me burg. Por, pati edhe prej atyre intelektualëve që për shkak të mos diferencimit dhe deklarimit të tyre për demonstratat studentore, u përjashtuan nga Lidhja Komuniste dhe Universiteti. Të tillë ishin Ali Hadri, Fehmi Agani, Rexhep Qosja etj.
Demonstrata e parë e 11 marsit 1981 nuk ishte e rastësishme, por ajo ishte planifikuar dhe përgatitur nga grupi i studentëve, në konviktin numër 3. Këtë e theksojnë dhe e shprehin edhe disa nga organizatorët në kujtimet dhe shkrimet e tyre, por edhe Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, ku theksohej se demonstratat kishin nisur me kërkesa të karakterit social, që më vonë do të merrnin karakter politik e kombëtar. Për të krahasuar të dhënat që vinin nga brenda, qoftë ato zyrtare apo jo zyrtare, po trajtojmë një pjesë të dokumentacionit për ngjarjet e vitit 1981, nxjerrë nga Arkivi i Londrës, ku jepen të dhëna në lidhje me zhvillimin, qëndrimin dhe prezantimin e tyre në botën e jashtme. Andaj, ne do të shkoqisim disa të dhëna nga këto dokumente, që kanë të bëjnë me demonstruesit dhe Universitetin e Prishtinës dhe masat që u ndërmorën ndaj tyre, kryesisht ndaj inteligjencës dhe studentëve. Pas demonstratës së parë të 11 marsit, që nisi në mensën e studentëve, më 12 mars udhëheqësit e demonstratave u identifikuan nga forcat e sigurisë, që të gjithë ishin studentë të Universitetit të Prishtinës. Propaganda serbe, përmes gazetës ortodokse serbe “Pravoslavlje”, mundohej që edhe zjarrin e 16 marsit në Patriarkanën e Pejës, t’ua veshte nacionalistëve shqiptarë, demonstrues të 11 marsit. Kjo tentativë e Beogradit nuk gjeti argumente, që mund të fajësonte drejtpërdrejt lëvizjen e demonstruesve, por vetëm siç përfundon dokumenti, “… serbët do ta mbajnë mend këtë” , që gjithçka që ndodhte edhe rastësisht do të fajësoheshin shqiptarët.
Demonstrata e 26 marsit 1981 ishte më e përgatitur dhe një grup i madh studentësh dolën në demonstratë. Kjo ishte përgatitur dhe planifikuar në natën e 25 marsit. Studentëve iu ishin ndarë detyrat dhe përgjegjësitë, krahasuar me demonstratat e 11 marsit. Për organizimin e tyre ishin në dijeni edhe një numër i madh i studentëve. Organizatorët e tyre përmes pankartave, parullave, brohoritjeve e fjalimeve, dolën hapur me program politik e kombëtar. Duke demonstruar me parullën: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”, studentët shprehën strategjinë e shqiptarëve dhe orientimin e tyre se, nëse nuk barazoheshin si gjithë të tjerët në aspektin politik, që të kishte edhe Kosova ”Republikën”, atëherë do të ishte lufta, si mjet i pashmangshëm ndaj këtij regjimi. Parulla tjetër, “Jemi shqiptarë, e jo Jugosllavë” shprehte dëshirën e shqiptarëve për ndarje definitive nga shtetësia jugosllave, duke goditur kështu idenë jugosllave “Vëllazërim-Bashkim”. Çështjen e bashkimit të trojeve shqiptare e nënkuptonin dy parullat: “Pollog e Korab, Kosovë janë” dhe “Unitet”, që do të thotë bashkim. Ndërsa kërkesat ekonomike dhe ato kundër shfrytëzimit ekonomik të Kosovës, u shprehën përmes parullës “Trepça punon, Beogradi ndërton” . Përmes këtyre parullave dhe brohoritjeve shprehej pakënaqësia për lënien mbrapa të Kosovës në të gjitha aspektet, si atë ekonomik dhe social. Me 26 mars rreth 500 studentë protestues u mblodhën në kampusin e Universitetit dhe më pas u drejtuan drejt qytetit për të prishur manifestimin për “Stafetën e të Rinjve”. Demonstruesit u shpërndanë me dhunë dhe mbi 200 u arrestuan nga forcat e sigurisë.
Shtrohet pyetja pse demonstratat nuk vazhduan nga 11 marsi rregullisht, por u prit deri më 26 mars për të shpërthyer përsëri demonstrimi studentor. Kjo ka një shpjegim, që është shumë interesant dhe logjik, sepse në të njëjtën ditë festohej në njërën anë, ndërsa në anën tjetër protestohej. Pala që festonte ishte ajo e vijës zyrtare të institucioneve të kohës të KSA të Kosovës e të udhëheqjes së partisë e politikës Jugosllave, për të përcjellë organizimin tradicional të quajtur “Stafeta e Titos”. Ky organizim mbahej pranë Teatrit të Kosovës, ndërsa pala tjetër protestonte te konviktet dhe mensa e studentëve për përmirësimin të kushteve ekonomike, sociale dhe politike. Interesi i demonstruesve ishte tërheqja e të rinjve pjesëmarrës në organizimin tradicional të “Stafetës së Titos” në anën e tyre. Por forcat e rendit nuk i lejuan t’u bashkoheshin studentëve. Si pasojë i dy organizimeve studentore të 11 dhe 26 mars 1981, u burgosen të gjithë studentët, që njiheshin si grupi organizator, të cilët u dënuan me nga 6 vjet burg deri në 15 vjet maksimalisht, dhe, sipas aktgjykimit nr. 149/81 grupi i studentëve u dënua me 222 vjet burg.
Pas ngjarjeve të 11 e 26 marsit dhe reagimit të menjëhershëm të organeve të rendit, me burgosjen e studentëve dhe të pjesëmarrësve të saj, demonstrata e 1 prillit u masivizua më shumë, ku përveç studentëve e nxënësve të shkollave të mesme, asaj ju bashkuan edhe punëtorë e qytetarë të thjeshtë, ku u hodhën disa parulla: “Kosova për kosovarët”, “Kosova Republikë”, “Rroftë Adem Demaçi” etj. Demonstruesit, sipas autoriteteve, numëronin 3-4 mijë veta, ku shumica ishin studentë. Me 2 prill sipas këtij dokumenti, që nga ora gjashtë e mëngjesit shpërthyen demonstratat dhe ato u shtrinë edhe në qendrat e tjera, si Podujevë, Vushtrri, Lipjan, Gjilan, Gllogoc, Gjakovë, që përfunduan në ora 20:00 në mbrëmje, për shkak të ndalim qarkullimit nga forcat e sigurisë, që kishin ardhur nga Republikat e tjera dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Sipas statistikave zyrtare, deri me 3 prill nga demonstruesit ishin 8 të vdekur e 130 të plagosur, ndërsa nga forcat e sigurisë një i vdekur dhe 135 të plagosur apo me lëndime. Ishin arrestuar 956 njerëz, 219 të ndaluar dhe 45 të akuzuar. Në dokumentin tjetër të datës 3 prill, demonstrata e 1 prillit vlerësohej si më seriozja nga ajo e 11 dhe 26 marsit, ku kryesisht kishte karakter politik.
Krahas masave që ndërmori KSA e Kosovës me institucionet e saj për të ndaluar dhe për të penguar zgjerimin e demonstratave, më 2 prill 1981, Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Ndaloi qarkullimin e mbi dy e më shumë personave në vende publike, ndërpreu mësimin në shkolla dhe në Universitet, mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë etj. Këto masa preventive u morën në mbledhjen e përbashkët të dy kryesive: atë të RSF të Jugosllavisë dhe të Komitetit Qendror të LKJ të datës 2 prill, prej ku dolën këto çështje për Kosovën në formë të vendimeve: Të urdhërohet që Komiteti për Mbrojtjen e Përgjithshme Popullore dhe Komiteti për Vetëmbrojtjen Shoqërore të KSA të Kosovës të veprojë sipas planit “Rubin-81”, që parashihte marrjen e masave të posaçme për mbrojtjen e objekteve publike në KSA të Kosovës. Të kryhej diferencimi mes të burgosurve nga demonstratat e deritashme dhe ata që nuk paraqesin ndonjë interes të veçantë për hetime të mëtejshme gradualisht të lirohen. Nëpërmjet shtypit, “Tanjug”, të publikohej lajmi për një përpjekje të sërishme të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në Prishtinë nga ana e elementëve armiqësorë. Iu kërkua Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës, Xhavit Nimani, që të dilte sa më parë para mjeteve të informimit publik për të sqaruar popullin e KSA të Kosovës dhe opinionin e përgjithshëm. Gazetarëve të huaj duhej t’u ndalohej hyrja në Kosovë, njëkohësisht duhej të informoheshin në mënyrë adekuate për të zvogëluar presionin nga ana e tyre. Të mbaheshin mbledhje me kryeredaktorët e mjeteve të informimit publik për harmonizimin e trajtimit të ngjarjeve në Kosovë. Veçmas duhej të përpunoheshin dhe të përdoreshin mënyra të informimit të opinionit për ndodhitë në Kosovë. Sa më parë duhej të shqyrtoheshin shkrimet e kohëve të fundit të shtypit rinor, posaçërisht atij studentor e të merreshin masat e duhura. Duhej të ndaloheshin botimet e shkrimeve destruktive në shtyp. Lidhur me shkrime të tilla prokuroria duhej të kryente detyrën e vet. Në gjendjen e tanishme duhej të ndërmerreshin masa sa më të rrepta ndaj çdo veprimtarie armiqësore e destruktive. . Kishte edhe shumë vendime dhe pika të tjera, që nuk janë me interes të temës sonë. Më 20 prill filloi punën UP-ja dhe përfundoi regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë. Reagimet dhe protestat e studentëve vazhduan edhe gjatë muajit maj, kështu për pasojë 10 ditë më herët përfundoi viti akademik në UP etj.
Ishte hera e dytë pas Luftës së Dytë Botërore që në Kosovë po shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe po ndërmerreshin masa nga qendra për t’u zbatuar nga institucionet e KSA të Kosovës. Në shënjestër u vunë organizatorët apo thënë më ndryshe studentët dhe inteligjencia shqiptare në Kosovë. Por kësaj nuk i shpëtuan as nxënësit, punëtorët e njerëzit e thjeshtë, të cilët në rrethana të ndryshme kishin ndihmuar studentët, por edhe vetë ata ishin si pjesëmarrës në këto demonstrata për të drejta dhe liri më të mëdha në KSA të Kosovës, si të barabartë në RSF të Jugosllavisë sikur se kombet e tjera. Një pjesë e këtyre studentëve, si pjesëmarrës apo organizatorë, u dënuan me dhjetëra vite burg, një pjesë u përjashtuan nga universiteti, u krijuan lista se kush mund të regjistrohej në universitet. Nga këto vendime centraliste, çdo veprimtari shikohej me një sy më kritik. Institucioneve iu kërkua që të reagonin ndaj veprimeve të rinisë studentore, të mos përkraheshin, por të dënoheshin dhe të njoftoheshin qytetarët e Kosovës se këto veprime po prishnin rendin dhe qetësinë e sistemit politik, social, arsimor e të tjerë në RSF të Jugosllavisë.
Pas demonstratave të mars-prill të vitit 1981, të gjitha subjektet politike nga niveli qendror e deri tek ai lokal, si dhe të gjitha institucionet u detyruan për të realizuar direktivat që rridhnin nga Platforma Politike e Komitetit Qendror të LKJ për Kosovë dhe dokumentet e tjera partiake, kryesisht ato të Kongresit XII të LKJ, Kongresit IX të LKS dhe Konferencës XIII të LK të Kosovës.
Me 6 prill 1981 u mblodh Komiteti Krahinor i LK të Kosovës, në saje të orientimeve që vinin nga qendra, pikërisht nga vendimet e 2 prillit në Beograd të PKJ dhe kryesisë së RSF të Jugosllavisë. Komiteti Krahinor i LK të Kosovës në mbledhjen e tij të gjashtëmbëdhjetë nxori këto konkluzione: “Kosova dhe as kombësia shqiptare kurrë s’kanë qenë e as s’do të jenë objekt manipulimi i forcave reaksionare”. Aty demonstratat studentore u cilësuan si kontrarevolucion dhe si organizim i armikut të brendshëm dhe të jashtëm. Me anë të tyre elementë të nacionalizmit shqiptar synonin prishjen dhe shkatërrimin e sistemit socialist, rrezikonin pavarësinë dhe integritetin territorial të RSF të Jugosllavisë. Kjo do të shkatërronte interesat e përbashkëta, qëllimet dhe aspiratat e LK dhe për këto arsye ndaj tyre u morën dënime të ashpra, të cilat më së shumti ranë mbi popullsinë shqiptare në Krahinë dhe jashtë saj.
Si rrjedhim i këtyre ngjarjeve LK e Kosovës shtroi këto detyra për të gjitha organizatat shoqërore dhe politike: Informim të argumentuar të çdo veprimtarie armiqësore, për karakterin dhe qëllimet e tyre. Nga niveli i bashkësive lokale, komunat, e organizatat e bashkuara shoqërore, ekonomike, arsimore etj. Komunistët duhej të përpiqeshin, që organet e institucioneve vetëqeverise të shkollave të mesme, të larta e fakulteteve, të analizonin shkaqet të cilat nxitën nxënësit dhe studentët që të ishin pjesë e demonstratave, si dhe të merreshin masa ndaj tyre. Këtë duhet ta bënin organizatat e Lidhjes Komuniste, të institucioneve dhe organizatave shoqërore-politike dhe Lidhja e Rinisë Socialiste. Të gjitha organizatat dhe çdo anëtar i LK të Kosovës kishin për detyrë të angazhoheshin drejtpërdrejt dhe personalisht me përgjegjësinë më të madhe, për të forcuar më tej barazinë, “vëllazërim-bashkimin” e të gjitha kombeve e kombësive që janë në KSA të Kosovës e në mbarë RSF të Jugosllavisë. Të fuqizohej sistemi dhe uniteti i mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe të vetëmbrojtjes shoqërore nga bashkësitë lokale e komunale, si dhe në të gjitha institucionet shoqërore-politike. Verifikim ideopolitik i të gjithë punonjësve dhe anëtarëve të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës.
Qeverisja dhe LK në Universitet, u detyruan dhe u angazhuan në zbatim të detyrave të mësipërme, të cilat ishin specifike për universitetin. Në mbledhjen e pestë të Pleqësisë së Universitetit, më 16 qershor 1981, u miratua plani operativ, i cili u mbështet në pikat e Programit Akcional të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës. Si pasojë e kësaj politike, filluan të zbatoheshin masat e diferencimit ideopolitik dhe të eliminimit të atyre që përkrahnin nacionalizmin shqiptar në UP. Ndër masat e para ishte formimi i një programi aksionar i Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të KSA të Kosovës për të formuar një komision për stabilizimin e gjendjes në Universitet. Këtë plan të punës komisioni ia paraqiti Pleqësisë së Universitetit, e cila u detyrua ta miratonte. Në këtë plan operativ u përfshinë 15 çështje, siç ishin: politika e regjistrimit të studentëve në vitin e parë të studimeve 1981-82 në fakultetet dhe shkollat e larta të universitetit; vlerësimi kritik i politikës së kuadrove në universitet; analiza kritike dhe vlerësimi i planprogrameve, kryesisht i shkencave shoqërore-humanitare, në fushën e gjuhës, letërsisë, historisë dhe të marksizmit; vlerësimi kritik i teksteve dhe i literaturës tjetër me vështrim të posaçëm nga lëndët: Gjuhë dhe letërsi shqipe, histori, filozofi, sociologji, marksizëm, struktura nacionale, sociale dhe gjinore e studentëve të rregullt në shkollat e larta dhe në fakultete dhe përkatësia rajonale; bazat dhe qëllimet e transformimit të organizatave të shkollimit të lartë; politika e ndarjes së bursave dhe kredive të studentëve; vlerësimi i funksionimit të marrëdhënieve vetëqeverisëse dhe të sistemit të delegimit; vlerësimi i bashkëpunimit të Universitetit të Kosovës me Universitetet e tjera në vend; vlerësimi kritik i bashkëpunimit të Universitetit me universitetet në botën e jashtme, me vështrim të posaçëm mbi bashkëpunimin me Universitetin e Tiranës; vlerësim i temave të diplomës, magjistraturës, doktoraturës dhe synimet për specializim në vend e botën e jashtme; kriteret për strehimin e studentëve në konvikte; çështja e krijimit dhe ndarjes së të ardhurave në Universitet; vlerësimi i funksionimit të sistemit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe vetëmbrojtjes shoqërore në Universitet; vlerësimi i respektimit të ligjshmërisë në punën e organizatave të shkollimit të lartë.
Për hartimin dhe përpilimin e këtyre tematikave, përveç Pleqësisë së Universitetit, këto i kishte trajtuar edhe Komisioni i Këshillit Ekzekutiv i KSA të Kosovës për stabilizimin e gjendjes në Universitet pas demonstratave. Prandaj, për këto çështje, ishin formuar grupe pune, në përbërje të të cilëve ishin rreth 90 kuadro të universitetit nga të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta. Në realizimin e Planit operativ kontributin më të madh e kishte dhënë Komisioni i Këshillit Ekzekutiv të KSA të Kosovës dhe LK e Universitetit, që kishte rolin kryesor në vlerësimin kritik, siç theksohej në shumë pika të këtij plani. Andaj, po analizojmë disa nga këto çështje, ku shihej qartë ndërhyrja dhe ndikimi i politikës së LK edhe në këtë raport, që prekte drejtpërdrejt Universitetin si institucionin, në politikën e kuadrove të saj. Më parë nga strukturat drejtuese ishte zbatuar një politikë më liberale në lidhje me respektimin e aspektit ligjor, kritereve, angazhimit, zgjedhjes, posaçërisht në mësim në gjuhën serbokroate si dhe reduktimin e kuadrit të saj.
Pas demonstratave të vitit 1981 iu kushtua kujdes çështjes së regjistrimit të studentëve, i cili, krahasuar me praktikën e deritanishme, ndryshoi në dy drejtime: së pari, filloi një zvogëlim i regjistrimit të numrit të përgjithshëm të studentëve e sidomos i atyre shqiptarë dhe, së dyti, diferencimi ideopolitik i tyre dhe verifikimi nga institucionet përkatëse arsimore lokale e qendrore. Pranimi dhe regjistrimi i tyre duhej të bëhej sipas nevojave reale të ekonomisë dhe të tregut të punës. Sa i përket regjistrimit në vitin akademik 1981-82 në krahasim me atë paraprak ishte 19% më pak, kurse i atyre që vinin jashtë KSA të Kosovës 20% dhe studentëve të huaj jashtë RSF të Jugosllavisë 30% më pak se në vitin 1980-81. Kjo politikë, që buronte nga lart, kishte si tendencë degradimin apo rënien e të interesuarve për të ndjekur studimet në Universitetin e Prishtinës.
Politika ndërhyri edhe në planprogramet mësimore të universitetit. Ato u prekën në mënyrë të njëanshme. U fokusua vetëm në lëmin e shkencave shoqërore e humanitare kryesisht në planprogramet në gjuhën shqipe. Në shënjestër u vunë gjuha dhe letërsia shqipe, historia kombëtare, romantizmi nacional, marksizmi, të cilat sipas tyre kishin ndikuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Këto lëndë u zhveshën nga përmbajtjet e tilla dhe iu përshtaten sistemit vetëqeverisës të ashtuquajtur “bashkim-vëllazërimit”. Mirëpo, pavarësisht këtyre, ata harronin një fakt se shqiptarët e Kosovës nuk ishin sllavë, konkretisht sllavë të jugut, siç përpiqeshin t’i quanin shqiptarët e Kosovës. Përkundër këtyre masave prapë se prapë vetëdija kombëtare vetëm sa shtohej dhe artikulohej edhe më fuqishëm.
Drejtimi tjetër i kësaj politike, e cila u theksua në mënyrë kritike në këtë raport, ishte edhe problematika e teksteve dhe literaturës kryesisht të importuara nga Shqipëria, që sipas tyre kishte ndikuar sidomos për lindjen dhe artikulimin e kërkesave për të drejta më të mëdha politike, shoqërore e ekonomike brenda RSF të Jugosllavisë. Tekste të tilla, si gjuha dhe letërsia shqipe e, posaçërisht, edhe nga historia e shqiptarëve kishin ndikuar në rritjen e ndjenjave nacionale, që u konkretizua me parullën “Kosova Republikë”. Prandaj u rekomandua që pjesa më e madhe e këtyre teksteve të nxirreshin nga përdorimi, kryesisht tekstet nga Shqipëria, që ishin nga lëmi i gjuhës, letërsisë dhe historisë.
Më 23 korrik 1981 u mblodh Bashkësia e Universiteteve të Jugosllavisë. Ndër të tjera aty u diskutua edhe për raportet e universiteteve të Shkupit, Titogradit dhe Kosovës, për bashkëpunimin me Universitetin e Tiranës dhe u theksua se bashkëpunimi i universiteteve të Jugosllavisë me USHT-në, mund të bëhej vetëm kur të përfundohej marrëveshja për bashkëpunim kulturo-arsimor midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Në vend të ndihmës së USHT-së, në fund të kumtesës së kryesisë së Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë, u theksua se universitetet e ndryshme të Jugosllavisë ishin të gatshëm që të ndihmonin Universitetin e Kosovës në fushën e mësimdhënies pasuniversitare dhe me tekste e mjete mësimore etj. Qëllimi kryesor i këtij vendimi ishte evitimi i kontakteve të drejtpërdrejta të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe të bashkëpunimit të tij me Universitetin e Prishtinës . Njëkohësisht u konkludua se ishte pikërisht kjo lidhje e UP-së me USHT-në, e cila kishte penguar bashkëpunimin ndërkombëtar të UP-së. Por ky ishte vetëm një pretekst se edhe pas ndërprerjes dhe shkëputjes së bashkëpunimit me UT-në, me gjithë përpjekjet për bashkëpunime të reja me disa universitete, nuk u arritën rezultate konkrete gjatë viteve në vijim. Si arritje e kësaj politike dhe të një presioni të vazhdueshëm ndaj UP-së, ishte anëtarësimi i UP-së në Bashkësinë e Universiteteve të Serbisë në qershor 1981, që më parë ishte refuzuar nga UP-ja. Kjo bëhej me qëllim që BUS-i të kishte kontroll më të madh dhe të eliminonte anëtarësinë e UP-së në Bashkësinë e Universiteteve të Jugosllavisë, ku UP-ja ishte pjesë e saj që nga fillimi i tij në vitin 1970. Gjithashtu, arsye tjetër qe që politika serbe ta kishte nën ombrellën e vet dhe të shtrinte ndikimin dhe presionin ndaj këtij institucioni dhe, sa herë të kishte mundësi, të realizonte objektivat dhe planet e saj. Kjo politikë gradualisht u zbatua gjatë viteve ’80, me persekutimin e kuadrit në gjuhën shqipe, deri sa në vitin shkollor 1990-91, arriti në mbylljen, uzurpimin dhe serbizimin e UP-së.
Pas analizave dhe shqyrtimit të dokumentacionit nga institucionet shtetërore-politike, Pleqësia e Universitetit në mbledhjen përfundimtare në 29 korrik 1981, për çështjen e “stabilizimit në Universitet”, ndër të tjera doli edhe me këto rekomandime: Së pari, përmirësim më cilësor i kuadrit mësimor në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta të UK në Prishtinë, duke përfshirë një pjesëmarrje të barabartë nacionale e kuadrit sipas gjuhës; zbatimi strikt i normave ligjore me rastin e zgjedhjes e rizgjedhjes së kuadrit, orientimi ideo-politik, ata që ishin diferencuar nuk mund të merrnin pjesë në edukimin dhe arsimimin e studentëve e veprime të tjera që kanë të bëjnë me politikën e kuadrove të Universitetit. Së dyti, rekomandime për shqyrtimin dhe ndërprerjen e bashkëpunimeve të UP-së dhe të gjitha institucioneve arsimore dhe ato shkencore të KSA të Kosovës, me USHT-në dhe institucionet e tjera shkencore e kulturore të Shqipërisë, duke u orientuar për bashkëpunime të reja kryesisht me vendet e painkuadruara, sipas direktivave të politikës së jashtme të Jugosllavisë, si dhe çështje të tjera që lidheshin me bashkëpunimet ndëruniversitare.
Nga të dhënat që japin zyrtarët e Lidhjes së Komunistëve të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, me masat dhe veprimet që u ndërmorën pas demonstratave, konkretisht nga muaji prill-nëntor 1981, u përjashtuan 365 anëtarë, kryesisht studentë, dhe, nën pretekstin e diferencimeve ideopolitike, u përjashtuan edhe tre profesorë, ndërsa tre të tjerëve iu dha vërejtja e fundit për largim. Përveç përjashtimeve nga LK, pati edhe përjashtim të studentëve nga Universiteti nga një deri në pesë vite, ku sipas të dhënave zyrtare nga Rexhep Gashi, kryetar i Kryesisë së Konferencës Aksionale të LK të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, u përjashtuan 205 studentë, ndërsa 189 u ishte dhënë vërejtja e fundit me gojë e shkrim.
Një mase dhe goditjeje të tillë nuk do t’i shpëtonin as studentët e rinj që mësynin për t’u regjistruar në universitet në vitin e ri akademik 1981-82. Sepse përveç plotësimit të kritereve të përgjithshme të kualifikimit, kandidatët e rinj shqiptarë duhej të kalonin përmes një verifikimi nga strukturat politiko-shoqërore të komunave nga vinin, si të përshtatshëm “moralo-politik” . Listat e studentëve verifikoheshin nga njerëzit e shërbimit të brendshëm. Studenti i cili ishte cilësuar si i papërshtatshëm ideopolitik, nuk mund të regjistrohej në Universitetin e Prishtinës. Një veprim i tillë vazhdoi edhe në vitet pasuese, jo vetëm në universitet, por u shtri edhe në të gjitha institucionet e tjera ekonomiko-shoqërore në Kosovë.
Rolin dhe kontributin e Universitetit të Prishtinës në këto dimensione në ngjarjen e vitit 1981, shumë studiues me të drejtë e emërtuan si pranvera studentore apo demonstratat e studentëve, sepse pikënisja dhe promotor i saj ishin studentët e këtij universiteti. Profesori Ukshin Hoti, ishte njëri nga profesorët e UP-së, që haptazi doli në mbështetje dhe mbrojti kërkesat e studentëve të vitit 1981. Ai theksoi: “Se ngjarja e vitit 1981 është nyjë e demokracisë dhe pa këtë ngjarje nocioni demokraci dhe Evropë nuk mund të kuptohet drejt dhe nuk do të ketë përmbajtje adekuate”. Njëri nga organizatorët e demonstratave të marsit 1981, Bajram Kosumi që ishte edhe udhëheqës i një grupi studentor, në veprën e tij “Koncept për mendimin e ri politik” e quante vitin 1981 si “Vit kthese, vit themel i Lëvizjes ilegale shqiptare për pavarësi”. Kërkesat e studentëve, i kapërcyen dyert e UP-së dhe u bënë kërkesa gjithëpopullore deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. De facto, në vitin 1981 u paralajmërua fundi i Jugosllavisë. Këtë e thekson edhe analisti për Ballkanin Jan Rojters. Ndërsa historianët Wolfgang Petriç dhe Robert Pihler shkruajnë: “Shpërthimi i trazirave në Kosovë e tronditën sistemin politik të vendit dhe i hapi rrugën procesit të shpërbërjes, i cili në vitin 1990, solli shkatërrimin e Jugosllavisë”. Akademiku Rexhep Qosja në njërin nga shkrimet e tij për ngjarjet e demonstratave të 1981 thekson: “…Kam shkruar disa herë se demonstratat e vitit 1981 e kanë rikthyer çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi në skenën politike botërore… kanë lëvizur historinë tonë dhe shkurtuan kohën, pa to nuk do të ishim ku jemi sot…”. Prof. dr. Sabile Basha në lidhje me demonstratat e 1981, shkruan: ”… Ishin demonstratat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore… Demonstratat ishin Referendumi më i suksesshëm dhe më bindës i nënshkruar me gjakun e popullit tonë”. Nga këto ngjarje mund të përfundojmë se demonstratat e 1981 lëkundën themelet e Jugosllavisë, sensibilizuan çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, qartësuan politikën e shtetit shqiptar ndaj vëllezërve kosovarë duke e luajtur rolin e avokatit kryesor dhe propaganduesit të situatës në botën e jashtme. /2LONLINE/