NGA: Sefedin Rahimi
Periudha e viteve ‘50-të deri më 1966, karakterizohej nga një situatë e rëndë politike, ekonomike, sociale e kulturore për popullin e Kosovës në përgjithësi, e veçanërisht për popullsinë në shumicë shqiptare, pasi regjimi serb i Rankoviçit ishte shumë i ashpër në çështjet e të drejtave të shqiptarëve, siç ishin të drejtat e gjuhës shqipe dhe të shkollimit në gjuhën amtare, si dhe përdorimi i saj në administratë e në shkolla, sidomos në shkollimin e lartë. Shpërnguljet sistematike, përndjekjet dhe burgosjet, aksioni i mbledhjes së armëve, mbledhja e tepricave e veprime të tjera të pandashme ndaj shqiptarëve, me synim sllavizimin e Kosovës, e kishte bërë gjendjen të padurueshme.
Në KSA të Vojvodinës, që ishte pjesë e RS të Serbisë, më 1960 u lejua hapja e Universitetit të Novi Sadit, ndërsa në Rajonin Autonom të Kosovës e Metohisë, e cila mbajti këtë pozitë kushtetuese deri më 1963 në kuadër të RS të Serbisë, nuk u lejua hapja e këtij institucioni, aq të dëshiruar për shqiptarët. Në RAKM, filloi të lejohej shkollimi i lartë dhe çelja e fakulteteve, por nën ombrellën e Universitetit të Beogradit. Siç shihet, trajtimi i Kosovës nga RS e Serbisë, si në aspektin e statusit juridik-politik, por edhe atë të arsimit të lartë, ishte diskriminues, si në përfshirjen e studentëve, po ashtu edhe të gjuhës së studimit, të profesoratit etj.
Vështirësitë që shqiptarët hasnin kudo, i motivuan ata dhe u bënë shtysë, për t’u organizuar e për t’u përballur me politikat diskriminuese të Beogradit ndaj shqiptarëve, duke kërkuar: pjesëmarrje të barabartë në institucionet politike-shtetërore; në ato arsimore, nga niveli fillor, i mesëm e ai i lartë; kuotim për pjesëmarrje në drejtim të institucioneve etj. Kontribut në këtë drejtim dha Lëvizja Ilegale e Adem Demaçit. Shqiptarët këtë situatë e shfrytëzuan shumë mirë për të shpëtuar nga rrethanat dhe padrejtësitë, që kishte shkaktuar Aleksandër Rankoviçi si në aspektin politik, ekonomik, arsimor e kulturor, duke ngritur më me forcë kërkesat e tyre për të drejtat për arsimim në gjuhën amtare, për të drejta kulturore, për përdorim të flamurit kombëtar e deri te kërkesat për ndryshimin e statusit politik të Kosovës.
Për të realizuar objektivat dhe kërkesat e saj, brenda lëvizjes ilegale dalloheshin tri rryma: e para, Lëvizja për autonomi të zgjeruar të Kosovës dhe për të drejta kombëtare e demokratike; e dyta, Lëvizja për Republikë të Kosovës; e treta, Lëvizja për Bashkimin e Kosovës dhe të viseve të tjera me RS të Shqipërisë. Lëvizja për autonomi angazhohej të realizonte këto të drejta për shqiptarët e Kosovës, si: përdorimin e gjuhës shqipe si të barabartë me serbishten, përdorimin e simboleve kombëtare, rritjen e numrit të shqiptarëve në administratë, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, hapjen e Universitetit të Prishtinës, ndryshimin e emrit të Krahinës Kosovë-Metohi, në Kosovë, krijimin e Gjykatës Kushtetuese, krijimin e Bankës së Kosovës, Kushtetutën etj.
Realizimi i këtyre kërkesave për popullin shqiptar në Kosovë do të ishte fitorja për të drejta të barabarta si të gjithë popujt e tjerë të RSF të Jugosllavisë. Nxjerrja e idesë dhe paraqitja e kërkesës për Republikën e Kosovës në kuadër të RSF të Jugosllavisë, pavarësisht reagimeve të Beogradit, në Kosovë gjeti përkrahje të madhe dhe u kthye në një atmosferë të paparë mobilizimi intelektual dhe politik, gjithashtu gjeti mbështetje në të gjitha shtresat shoqërore shqiptare. Ata e arsyetonin me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.
Gjatë vitit 1968 në tërë Evropën Perëndimore kishin shpërthyer demonstrata e protesta të rinisë studentore, që shprehnin mospajtimin me statusin e tyre shoqëror. Këto kishin shtrirë ndikimin edhe në ato vende, në të cilat nuk ishte zgjidhur drejt çështja kombëtare, ku popujt shtypeshin nga strukturat e ndryshme të shoqërisë. Këto ngjarje rinia shqiptare në Kosovë i shihte me simpati të madhe, sidomos protestat studentore në Evropë. Ndikim i tyre u bë si model i demonstrimit edhe tek rinia e Kosovës.
Si pretekst për t’u ngritur në demonstrata, forcat demokratike dhe përparimtare shfrytëzuan premtimet, që u ishin bërë nga Titoja dhe PKJ-ja pas luftës, se në shtetin e ri, shqiptarët do t’i kishin të gjitha të drejtat, si popujt e tjerë të Federatës, ndonëse gjendja ishte krejt ndryshe. Pakënaqësia e akumuluar shpërtheu me demonstratat e tetorit të vitit 1968, në Prizren, Suharekë e Pejë. Kjo vazhdoi edhe në nëntor në Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës. Organizatorët ishin kryesisht forcat intelektuale, si studentë e pedagogë, të cilët paraqitën dhe u treguan të gjithëve se çfarë nuk ishte realizuar e duhej të realizohej nga Federata Jugosllave ndaj shqiptarëve. “Duam liri dhe barazi me popujt e tjerë”, ishte parulla kryesore e demonstruesve të vitit 1968. Kjo do të detyronte shtetin jugosllav, për t’i realizuar disa nga kërkesat elementare të shqiptarëve, si: për gjuhën, arsimin, simbolet kombëtare, hapjen e Universitetit të Prishtinës dhe të drejta politike e konstitucionale deri në kuadrin kushtetues, por jo si Republikë, po si Krahinë Socialiste Autonome e Kosovës.
Në takimin që delegacioni kosovar, me në krye Mahmut Bakallin, pati në Beograd me Titon në tetor 1968, u shtrua edhe kërkesa për Republikë. Titoja theksoi se: “Republika, nuk i zgjidh të gjitha problemet” , që nënkuptonte se ai nuk e përkrahte këtë alternativë, duke shuar shpresat e udhëheqësve të Kosovës, për realizimin e kësaj kërkese. Ata e kishin kuptuar qartë, se nuk do të kishte lëshime për avancimin e statusit të Kosovës nga Beogradi. Ky qëndrim i goditi rëndë ata, që diskutonin dhe ngrinin temën e statusit të republikës. Ndër këta ishin profesorët: Ali Hadri, Dervish Rozhaja, Fehmi Agani etj. Kjo kërkesë për avancim të statusit të Kosovës, do të bëhej ndër çështjet themelore të Lëvizjes Ilegale në Kosovë.
Demonstrata e tetorit në Prizren nuk ishte e rastësishme. Atë e organizuan studentët: Meriman Braha, Pashk Laçi, Haxhi Maloku, Rafet Rama, Isa Demaj, Zymer Neziri, si dhe intelektualë të shumtë që kishin qenë aktivë dhe u prinë demonstruesve. Demonstrata që u mbajt më 8 tetor në Suharekë, hodhi kërkesën “Kosova Republikë” dhe për hapjen e Universitetit të Prishtinës, përdorimin e flamurit kombëtar etj. Të njëjtat kërkesa dhe parulla u bënë edhe më 19 tetor në Pejë nga intelektualët, studentët e qytetarët e Pejës.
Demonstrata e radhës dhe më masivja nisi më 27 nëntor në Prishtinë, një ditë para përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Morën pjesë kryesisht studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të tjerë. Ata marshuan nga Fakulteti, Filozofik drejt Teatrit Krahinor të Kosovës. Protestuesit mbanin në duar parulla dhe flamuj kombëtarë, ku përveç të tjerash spikaste edhe parulla “Duam Universitet”. Kësaj kërkese i kishin paraprirë kërkesat e paraqitura nga Osman Dumoshi për përmirësimin e gjendjes sociale, arsimore, kulturore e politike. Ai ishte në krye të grupit të studentëve organizatorë të demonstratave, si: Selatin Novosella, Adil Pireva, Ilaz Pireva, Xheladin Rekaliu, Afrim Logja, Skënder Muqolli, Skënder Kastrati, Hasan Dërmaku. Në pikën 6 të kërkesave të tyre ishte ajo për “Përmirësimin e kushteve të studentëve dhe jetesës së tyre, përmirësimi i strukturës sociale dhe kombëtare të studentëve…” .
Përpjekjet e profesorëve dhe të udhëheqësve të komunës së Prishtinës për t’i ndalur dhe për t’i qetësuar demonstruesit ishin të kota. Prof. Mark Krasniqi kujtonte: “Këto demonstrata ishin të befasishme…, nuk dinim se kush i ka organizuar… Ishte hera e parë që shqiptarët pas lufte dilnin në betejë…, më thirrën në dekanat, m’u lutën që t’ju dal studentëve e t’ju them për ta braktisur rrugën, dhe për të formuar një grup, i cili do të paraqiste të nesërmen kërkesat e tyre para Komitetit…. Studentët nuk e pranuan këtë, për shkak se i frikësoheshin manipulimit…”.
Studentët protestues kishin lënë të takoheshin të nesërmen, por Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme, kishte nxjerrë vendimin për të ndaluar çdo grumbullim publik në Kosovë. Për këtë arsye nuk qe e mundur të vazhdohej më tej protesta. Grupi i të rinjve u dënua si organizator i demonstratave të vitit 1968. Gjashtë nga ata, studentë të fakulteteve dhe shkollave të larta që funksiononin në Kosovë: Osman Dumoshi, Hasan Dermaku, Selatin Novosella, Afrim Loxha, Skënder Muçolli dhe Skënder Kastrati u dënuan nga 3 deri 5 vite burg, gjithsej me 25 vite.
Demonstrata e Prishtinës u pasua edhe me demonstrata në qytete të tjera të Kosovës, si në Ferizaj, Gjilan dhe Podujevë, por edhe nga shqiptarët e RS të Maqedonisë, ku kërkoheshin të drejta të njëjta me ato të Republikave të tjera të RSF të Jugosllavisë. Këto demonstrata zgjatën dy ditë me parulla me gojë e me shkrim, që shqiptarët e Maqedonisë t’i bashkëngjiten “Republikës së Kosovës”, duke krijuar një njësi të vetme federative që të kishin të drejta, si në përdorimin e flamurit kombëtar, në shkollimin në gjuhën shqipe etj.
Pas vitit 1968, udhëheqja jugosllave ndryshoi politikën ndaj shqiptarëve, me krijimin e “Fondit Federal për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës dhe viseve tjera të pazhvilluara, në fushën ekonomike, industriale, në zgjerimin e autonomisë politike e kulturore”. Në këtë përpjekje të popullsisë shqiptare, ndikuan edhe kontradiktat brenda RSF të Jugosllavisë. Udhëheqja kroate, duke kërkuar aleatë kundër hegjemonisë serbe në Federatë, ua lehtësoi shqiptarëve pretendimet për autonominë e Kosovës. Ndërsa udhëheqja jugosllave, përmes këtyre masave, shpresonte se shqiptarët në RSF të Jugosllavisë do të hiqnin dorë nga kërkesa dhe pretendimi për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, apo bashkimin e Kosovës me RP të Shqipërisë.
Pas demonstratave u aktivizuan organet shtetërore e partiake, që ndërmorën një fushatë të egër kundër eksponentëve drejtues të tyre, burgosën, dënuan dhe morën masa ndaj studentëve për t’i përjashtuar nga studimet, po ashtu edhe ndaj disa mësimdhënësve, të cilët i larguan dhe i përjashtuan nga Lidhja e Komunistëve. Këto demonstrata u cilësuan nga Komiteti Qendror i Jugosllavisë si armiqësore e tendencioze, si synime të shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë. Megjithatë, nën presionin e tyre udhëheqja federative u detyrua të bënte lëshime duke realizuar disa kërkesa të përgjithshme, si: përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare; përdorimin e simboleve kombëtare dhe, më e rëndësishmja, çeljen e Universitetit të Prishtinës .
Në opinionin e jashtëm demonstratat e vitit 1968 shiheshin si probleme të brendshme dhe trazira të studentëve për kushte e jetë më të mirë, por edhe si një sinjal, se RSF e Jugosllavisë duhej të ishte më syhapur. Ndërkohë pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, ishte alarm edhe për Titon, që duhej të gjente aleat që të fuqizohej e të kishte raporte të mira me fqinjët, në rastin konkret edhe me RS të Shqipërisë. Realisht ishte Kosova ajo që do të përfitonte më së shumti nga ky bashkëpunim. Si rezultat i kësaj edhe Titoja bëri lëshime për Kosovën, për disa të drejta që nuk i kishte pasur më herët, pra për një autonomi më të zgjeruar etj.
Demonstratat e vitit 1968, patën rëndësinë e tyre historike, sepse për herë të parë në jetën politike shqiptare, u afirmua kërkesa për Republikë. Regjimi jugosllav, duke e parë gjendjen e jashtme dhe të brendshme, u detyrua që të lëshonte pe në disa kërkesa kryesore dhe elementare, përveç asaj të Republikës. Një vit më pas, u miratua Ligji kushtetues, për përdorim edhe të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, u nxor ligji për themelimin e Universitetit të Prishtinës, që gradualisht do të kërkonte që institucionet arsimore e kulturore të shkëputeshin dhe të pavarësoheshin nga ato të RS të Serbisë. Pra, roli i demonstratave të vitit 1968, dhe zëri i tyre u jetësua vetëm në vitin 1970, kur nisi të funksiononte shkollimi i lartë në gjuhën amtare, edhe për shumicën e popullsisë shqiptare në Kosovë.
Referencat:
Përshkak të natyrës së mos evidentimit të referencave në tekst, më poshtë janë paraqitur:
1. Historia e Popullit Shqiptar…, f. 349-356.
2. Buxhovi, Jusuf – Kosova nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar, Faik Konica, Prishtinë: 2012, f. 337.
3. Çeku, Ethem – Mendimi politik i Lëvizjes Ilegale në Kosovë 1945-1981, Brezi ’81, Prishtinë: 2003, f. 163-164.
4. Braha, Shaban – Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990), Tirana, Tiranë: 1992, f. 503-506.
5. Kosova një vështrim enciklopedik, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Qendra e Enciklopedisë Shqiptare, Tiranë: 1999, f. 123.
6. Hajrizi, Mehmet – Histori e një organizate politike dhe Demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë: 2008, f. 36.
7. Buxhovi, J. – Kosova nga Konferenca e Londrës…, f. 347-348.
8. Osman Dumoshi origjinën e kishte nga një familje muhaxhirësh të shpërngulur nga sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78. Ai kishte lindur në Prishtinë dhe ishte student pranë Fakultetit Teknik, dega e Makinerisë.
9. Buxhovi, J. – Kosova nga Konferenca e Londrës…, f. 380.
10. Lalaj, Ana – Kosova-rruga e gjatë drejt vetëvendosjes (1948-1981), Mësonjëtorja e parë, Tiranë: 2000, f. 350.
11. Lalaj, A. – Kosova – rruga e gjatë drejt vetëvendosjes…, f. 351.
12. Çeku, Ethem – Mendimi politik i Lëvizjes Ilegale në Kosovë…, f. 13. Ethem Çeku, Shekulli i Ilegales – Proceset gjyqësore kundër Ilegales në Kosovë (Dokumente), botues: Brezi ’81, Prishtinë: 2004, f. 450-459.
14. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave (1968-1981), dokumente, Shkup: Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoni, Shkup: 2012, f. 154-159, dok. 25.
15. Historia e Popullit Shqiptar…, f. 362.
16. Kosova një vështrim enciklopedik…, f. 123.
17. Malcolm, N. – Kosova një histori e shkurtër…, f. 338-339.