Fillimi i luftës ruse-osmane në prill të vitit 1877 i nxiti principatat e Serbisë dhe Malit të Zi të hynë sërish në luftë kundër Perandorisë Osmane. Kjo luftë e ndryshoi situatën politike, shoqërore dhe ekonomike në dëm të viseve shqiptare.
Shkruan: Naim MUSLIU
Si pasojë e luftës së dytë serbo-osmane, që filloi më 1 nëntor 1877 , dhe duke shfrytëzuar dobësinë e Perandorisë Osmane, ushtria serbe marshoi pa vështirësi drejt Vilajetit të Kosovës dhe, pasi pushtoi Pirotin, Nishin, Kurshumlinë, Prokuplën, Vranjën, që kishin rreth 10.972 km2 dhe më 22 janar të vitit 1878 arriti në Gjilan. Nga pushtimi i këtyre territoreve gjatë dimrit të viteve 1877/78, u bë shpërngulja e parë e shqiptarëve , të cilët u detyruan me dhunë të largohen nga tokat e tyre dhe u vendosen në Vilajetin e Kosovës që edhe sot e kësaj dite njihen si muhaxhir.
Në drejtim të kazasë së Gjilanit arritën pothuajse një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare që u larguan nga Toplica, Kosanica, Dobriqi, Prokupla, Krushumlia, Jabllanica, Pusta Reka, Vetërnica, Gërdelica, Leskovci, Vraja, Polanica, Masurica etj. Familjet muhaxhire përveç viseve tjera erdhën dhe u vendosën pothuajse në tërë territorin e kazasë së Gjilanit.
Pas pushtimit të Sanxhakut të Nishit dhe largimit të popullsisë shqiptare, ushtria serbe arriti në Gjilan dhe për t’iu ardhur në ndihmë shqiptarëve të shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit, atdhetarë të kazasë së Gjilanit filluan të organizoheshin. Kështu, Idriz Seferi vuri kontakte me Bislim Hogoshtin, Hajdar Bislim Cakën e Tërpezës, Sali Bislën e Gjylekarit, Januz Agën e Ballancës, Kurtesh Kurteshin e Pozheranit.
Më 4 shkurt 1878, një korpus i vullnetarëve të ushtrisë serbe që kishte arritur në Gjilan filloi rrugëtimin drejt Ferizajt e Prishtinës. Atdhetarët shqiptarë të prirë nga Hajdar Bislim Caka së bashku me Misin Çuçën, Emin Misinin, Ramadan Zenelin dhe djali i tij Salihu, dhe vëllezërit Ajetin e Rexhepin, Agush Azemi, Nezir Rexhepi dhe luftëtarë tjerë i dolën në pritë ushtrisë serbe te vendi i quajtur Visoqa afër Radivojcit, të cilës i shkaktuan humbje dhe e detyruan ushtrinë serbe të kthehet mbrapa.
Në anën tjetër me humbjen e luftës, Perandoria Osmane u detyrua të nënshkruaj Traktatin e Paqes së Shën Stefanit (3 mars 1878), sipas diktatit të Perandorisë Ruse. Si pasojë e këtij Traktati do të ndryshoheshin kufijtë e Ballkanit e sidomos do të copëtoheshin tokat shqiptare.
Kufijtë e ri të Serbisë dhe Bullgarisë me tokat shqiptare përfshiheshin në Artikullin e III dhe VI të këtij traktati. Kufiri ndërmjet Serbisë dhe tokave shqiptare fillon nga Jeni Pazari, ku vija kufitare do të kaloj në Luginën e Ibrit. Pastaj do të vazhdoj në lumenjtë Ibër, Sitnica, Llap deri te burimi i përroit të Batincës. Pika më e lartë e kufirit do të ndahet ndërmjet ujrave Kriva dhe Veternica. Nga kjo pikë, kufiri do ta kaloj Moravën te lumi Vllasina pranë fshatit Stojkovc. Pastaj, kufiri do të kaloj pranë Suha Planina deri te Nishava dhe do të zbres deri në fshatin Kronpac. Vija kufitare do të vazhdoj rrugën më të shkurtër të kufirit të Serbisë së Vjetër në juglindje të Karavul Bare deri në Danub.
Kurse kufiri me Bullgarinë niste nga ai me Principatën Serbe, nga kufiri perëndimor i kazasë së Vrajës deri te vargmalet e Karadakut duke u kthyer nga perëndimi ku përfshinë kufirin perëndimor të Kumanovës, Koqanës (Kaçanikut), Tetovës, Malit Korab; prej andej nga lumi Welstchitza, deri te kryqëzimi me Drinin e Zi. Pastaj duke kthyer në jug përgjatë Drinit vazhdon vija kufitare në perëndim të kazasë së Ohrit dhe kthehet në Malin Linas. Kufiri vazhdon më tutje në perëndim të kazasë së Korçës, Stagovës deri në Malin Gramos dhe vazhdon nëpër Rumelinë Lindore.
Ndaj vendimeve të këtij Traktati reaguan dhe protestuan shqiptarët, duke përfshirë edhe ata të rrethinës së Gjilanit. Për shkak të marrjes së territoreve nga ana e Bullgarisë kishin reaguar edhe gjilanasit. Kështu në protestën që kishte bërë popullsia e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit kundër vendimeve të Shën Stefanit, të cilën ia kishin drejtuar ambasadorit të Francës në Stamboll mes tjerash shprehnin habinë se Traktati i Shën Stefanit shumë shqiptare do t`ia kalonte Bullgarisë dhe Serbisë, kur dihet se shumica e popullsisë është shqiptare. Në mesin e nënshkrimeve kishte edhe përfaqësues të Gjilanit.
Kurse në një relacion tjetër të datës 7 prill 1878, përgatitur nga konsulli Lipih (Lippich) për ministrin e Punëve të Jashtme të Austor-Hungarisë, Andrashi, përshkruhej zemërimi i shqiptarëve për marrëveshjen ruso-osmane ku ndër tjerash thuhet se atje janë nxeh gjakrat sidomos për shkak të kalimit të Vrajës, Gjilanit, Shkupit e viseve të tjera ndaj Bullgarisë.
Përveç shqiptarëve, me vendimet e këtij Traktati nuk u pajtuan Anglia dhe Austro-Hungaria dhe në përgjithësi shtetet perëndimore. Me këtë Traktat revidoheshin njëanshëm vendimet e Konferencës së Parisit (30 mars 1856) , të cilat kishin karakter ndërkombëtar. Të vendosur që të mos i pranonin këto vendime ishin kryesisht Anglia dhe Austro-Hungaria të cilat ishin të shqetësuar për rritjen e shpejtë të ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik përmes “Bullgarisë së Madhe”.
Për ta penguar ndikimin rus, u thirr një Kongres i ri për shqyrtimin e Traktatit të Shën Stefanit ndërmjet Fuqive të Mëdha, që u vendos të mbahej në Berlin nga 13 qershori i vitit 1878 , ndërsa shqiptarët për tu paraqitur sa më mirë në këtë Kongres thirrën Kuvendin Gjithëkombëtarë më 10 qershor 1878 në Prizren. Në të morën pjesë rreth 300 përfaqësues nga katër vilajetet shqiptare, përfshirë edhe Mehmet Reshitin dhe Salihun nga kazaja e Gjilanit. Në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit u vendos që të formohen edhe tre komisione si Komisioni për Punë të Jashtme, të Brendshme dhe i Financave, ku këtë të fundit e udhëhiqte Sylejman Vokshi, kurse ndihmës i tij ishte Shefik Bej Gillani. Kongresi i Prizrenit nga punimet e tij nxori vendime që kundërshtonin çdo akt ndërkombëtar, i cili copëtonte viset shqiptare. Këto vendime i kishin firmosur edhe gjilanasit.
Gjatë gjithë kohës sa i zhvilloi punimet Kongresit i Berlinit, shqiptarët nuk u ndalën së protestuari kundër padrejtësive që bëheshin nga pushtuesit e tokave të tyre. Kështu me një protestë të datës 26 qershor 1878 që ia dërguan Fuqive të Mëdha në Berlin kundërshtuan vrasjet, grabitjet, çnderimet që kryenin ushtria ruse e bullgare në tokat e pushtuara të Vilajetit të Kosovës e Vilajetit të Manastirit. Me këtë protestë shqiptarët kërkuan nga Kongresi i Berlinit që mos të cenohet integriteti i tokave shqiptare. Në mesin e të nënshkruarve të kësaj proteste ishin edhe përfaqësuesit nga Gjilani si Hyseni, Kadriu dhe Abdurrahmani.
Megjithatë, Kongresi i Berlinit mori vendime në dëm të tokave shqiptare. Kështu, vendimin për rregullimin e kufirit të ri ndërmjet Serbisë dhe Perandorisë Osmane ishte caktuar me protokollin nr. XV, më 8 korrik 1878 që i ndau tokat shqiptare, ku prekte indirekt edhe kazanë e Gjilanit. Kufiri i ri në tokat shqiptare që u paraqit në paragrafin XXXVI të vendimeve të këtij Kongresi niste nga kodrina jugore e Kopaonikut, kreshtat e Maricës dhe Merdar Pllaninës, që formon vijën ndarëse të lumenjve Ibër dhe Sitnica në njërën anë dhe Toplicës në anën tjetër, duke ia lënë Perandorisë Osmane Përpellacin. Në pjesën jugore vazhdon kufiri drejt ujërave të Bërvenikut dhe Medvegjës, ku Medvegja i mbetet Principatës Serbe, pastaj kufiri kalon në Gollak ndërmjet lumenjve Kriva Reka dhe Polanicës, Veternicën dhe Moravën deri në kodrinën e Polanicës. Kufiri shkon edhe më tutje drejt kodrinave të malit Karpina deri në mëngët e Koinskës e të Moravës, ku e kalon këtë lum pran Neradovcit për t’iu bashkuar malit Shën Ilisë mbi Tërgovishte dhe vazhdon pastaj me kufirin me Bullgarinë.
Pas përfundimit të punimeve të Kongresit të Berlinit (13 korrik 1878), Serbia, në gusht të vitit 1878, filloi ta zbatoj fazën e dytë e shpërnguljes së shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit. Ndihmë të madhe për vendosjen e muhaxhirëve kishte dhënë edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku përmes përfaqësuesve të saj, si Hysen Agë Gjilani, ishin strehuar rreth 1.700 familje në Gjilan dhe viset përreth.
Për të kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit, që copëtoi rënd tokat shqiptare, u organizuan shumë protesta e u hartuan shumë promemorie, të cilat iu drejtuan këtij Kongresi, Fuqive të Mëdha dhe Perandorisë Osmane.
Në anën tjetër filloi mbrojtja nga rreziku i copëtimit të tokave shqiptare. Kështu, me njoftimin e 12 gusht 1878, G. v. Chiari që jep për kontin Andrassy mbi lëvizjen e trupave osmane, njofton se në Gjilan ishin mbledhur në stacionet e Gjilanit e Ferizajt prej 20 deri në 200 vetave që ishin të armatosur. Ata grumbulloheshin në Prishtinë, ku do të vepronin kundër forcave serbe. Pas vendosjes së kufijve të rinj në gusht të vitit 1878, në kazanë e Gjilanit arriti Hysni Pasha (gjeneral kolonel) dhe njoftoi popullsinë e kësaj ane për vijën e re kufitare ndërmjet Serbisë dhe Perandorisë Osmane.
Në rrafshin e Moravës dhe Vardarit vepronte edhe çeta e Idriz Seferit. Çeta e tij përbëhej nga mëse 600 luftëtarëve, ku përveç tij udhëhiqej edhe nga Bislim Hogoshti, Kurtesh Pozherani, Hajdar Bislim Caka, Arif Hyseni etj. Aktivitetet luftarake të tyre arrinin deri në Vrajë e Leskoc kundër forcave serbe.
Serbia nuk ishte e kënaqur me territoret e pushtuara dhe më 10 nëntor 1878, gjatë ndërtimit të piramidave në kufirin e ri, serbët kaluan kufirin dhe e pushtuan përkohësisht Ranillukun dhe Klistinën (Kqiq) në kazanë e Gjilanit, ku plaçkitën dhe vranë gra, pleq dhe fëmijë. Me ndërhyrjen e ushtrisë osmane dhe vullnetarëve shqiptarë, ushtria serbe u detyrua të largohet nga këto territore.
Idriz Seferi si drejtues çete mbante kontakte me degën e Lidhjes së Prizrenit në Shkup, e sidomos me Abdyl Shkupin. Haptas ai kishte deklaruar se nga Kaçaniku e deri në Bujanoc duke përfshirë edhe kazanë e Gjilanit, ishte në krye të Lëvizjes Kombëtare në këto anë dhe zbatonte vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Çeta e tij i shkaktonte humbje të konsiderueshme armikut në viset shqiptare të pushtuara nga serbët.
Përveç kontakteve që kishte me degën e Lidhjes në Shkup, Idriz Seferi bashkërendonte veprimet luftarake me trimat tjerë nga Kumanova, Gjilani, Llapi, Gollaku e deri në Vrajë dhe Leskoc.
Për të bashkërenduar sa më mirë forcat ushtarake të Lidhjes së Prizrenit në mbrojtje të tokave shqiptare në kazanë e Gjilanit, për të biseduar me Idriz Seferin në Karadak arritën Sylejman Vokshi, Shuajp Spahiu dhe Abdyl Shkupi. Në bisedë ndërmjet tyre u vendos që Idriz Seferi të operonte në këto treva në mbrojtje për t`i mbrojtur ato nga sulmet serbe. Të gjitha veprimet që ishin kryer nga kjo çetë vinin në bazë të urdhrave nga qendra e Lidhjes në Prizren.
Gjatë vitit 1879 dhe në janar të vitit 1880 në mbrojtje të Plavës dhe Gucisë që synonte t’i pushtonte Mali i Zi, shkuan rreth 100 luftëtarë nga kazaja e Gjilanit, e në mesin e tyre ishin Bislim Hogoshti, Agush Azemi e Kurt Ternava.
Në anën tjetër më 2 gusht 1880, në Prizren ishte mbajtur mbledhja e Komitetit Qendror të Lidhjes ku merrte pjesë Ali aga, përfaqësues nga kazaja e Gjilanit. Aty u vendos që të pushohen të gjitha gjykatat osmane dhe të ngritën gjyqet e Lidhjes. Kurse, më 10 gusht 1880 Porta e Lartë njoftohet se shqiptarët po formojnë degët e Lidhjes së Prizrenit nëpër qytetet e tyre, kështu që në këtë kohë ishte formuar një degë në kazanë e Gjilanit që udhëhiqej nga Osman beu, Ali aga etj.
Në përpjekje të forcimit të Lidhjes, në dhjetor të vitit 1880 nga mbledhja e jashtëzakonshme e kryesisë së Lidhjes së Prizrenit u formua edhe Qeveria e Përkohshme nën udhëheqjen e Ymer Prizrenit.
Në fillim të vitit 1881 pasoi çlirimi i shumë qyteteve në Vilajetin e Kosovës. Nga ushtria e Lidhjes të komanduar nga Sylejman Vokshi, i ndihmuar edhe nga Idriz Seferi me bashkëluftëtarët e tij, më 4 janar 1881 u çlirua Shkupi. Kurse studiuesi Ramiz Abdyli thotë se Shkupi ishte çliruar më 4 dhjetor 1880. Në Këshillin Udhëheqës të këtij qyteti emërohet edhe Idriz Seferi.
Pas çlirimit të Shkupit dhe qyteteve tjera ushtarët e Lidhjes më 21 janar të vitit 1881, iu drejtuan Gjilanit për ta çliruar. Kështu, Ali Ibër Neza dhe Mic Sokoli me 1000 luftëtarë e sulmuan Gjilanin. Kurse, Idriz Seferi sulmoi garnizonin ushtarak osman që vinte nga Ferizaj dhe pas një nate luftimesh arritën ta çlirojnë Gjilanin.
Pas çlirimit të Gjilanit, forcat e Lidhjes të komanduara nga Sylejman Vokshi u drejtuan drejt Pazarit të Ri, ku me vullnetarët e kazasë së Gjilanit ishte edhe Idriz Seferi. Malet Rogozine ishin të pakalueshme për shkak të borës së madhe dhe Idriz Seferi u kthye në Karadak.
Pas çlirimit të Gjilanit, Lidhja i zëvendësoi nëpunësit osmanë me ata shqiptarë. Kurse komitetet lokale u shndërruan në organe të pushtetit.
Nga frika e veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Perandoria Osmane u detyra të harmonizoj marrëdhëniet me Greqinë dhe nisi ekspeditën drejtë Vilajetit të Kosovës dhe viseve të tjera që ta shtypte Lidhjen. Në krye të 30 batalioneve osmane ishte vënë Dervish Pasha, i cili u ndihmua nga më se gjashtë gjeneral të tjerë osmanë.
Më 23 mars 1881, Ibrahim Pasha arreston të gjithë anëtarët e Lidhjes në Shkup. Kurse, më 7 prill 1881, në Shkup arrin Dervish Pasha, ku vendosi shtabin e tij dhe shpalli shtetrrethimin.
Me marrjen e lajmit se Shkupi u ripushtua nga osmanët, Qeveria e Përkohshme krijoi shtabin mbrojtës të udhëhequr nga Sylejman Vokshi. Për mobilizimin e ulët të popullsisë shqiptare në mbrojtje të tokave të tyre ndikuan përveç mjeteve financiare edhe një pjesë e feudalëve shqiptarë, të cilët bëheshin se gjoja po e përkrahin Lidhjen, e nga ana tjetër sabotonin punën e saj.
Në mbrojtje të Lidhjes doli Idriz Seferi me luftëtarët nga kazaja e Gjilanit, të cilët marshuan drejt Kaçanikut për të penguar ripushtimin e Vilajetit të Kosovës. Gjilanasit e sulmuan ushtrinë e Dervish Pashës në Grykë të Kaçanikut dhe aty i shkaktuan dëme të konsiderueshme. Me gjithë luftimet e zhvilluara, ushtria osmane arrin në Ferizaj më 7 prill 1881. Për ta ripushtuar kazanë e Gjilanit Dervish Pasha urdhëroi që disa taborre ushtarësh të nisen drejt saj. Kurse, konsulli anglez Blant shkruante në raportin e tij se kazaja e Gjilanit ishte qetësuar nga trazirat dhe më 11 prill 1881 ishte rivendosur administrata osmane.
Rezistenca e fundit e ushtrisë së Lidhjes kundër forcave osmane në të cilën mori pjesë edhe Idriz Seferi me bashkëluftëtarët e tij u bë në Slivovë, Shtime, Caralevë, Dule dhe Suharekë. Më 23 prill 1881, Dervish Pasha me 24 batalione hyn në Prizren dhe pushtoi organet e Lidhjes.
Nga e gjithë kjo që u tha më sipër, mund të përfundojmë se Gjilani dhe rrethina e tij ishte aktiv në çdo akt dhe veprim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitet 1878-1881.