Është rithemeluar të enjten Grupi Joformal i Grave të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ku unanimisht kryesuese është zgjedhur Mimoza Kadriu-Qerimi (LVV), ndërkaq zëvendës kryesuese, Gresa Avdiu (LDK).
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina – Bunjaku dhe kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku, të cilët kanë ofruar bashkëpunimin e plotë dhe trajtimin e kërkesave të tyre në Kuvendin e Komunal dhe në ekzekutiv me seriozitet të plotë.
Po ashtu, në takim kanë marrë pjesë edhe drejtoreshat komunale, këshilltaret komunale në përbërje nga të gjitha partitë politike, nga Zyra për Barazi Gjinore, sikurse edhe nga OSBE e organizata “Gruaja Hyjnore”.
Përfaqësuesja e Zyrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, Sadete Tërnava – Osmani, ka thënë se Grupi Joformal i Grave është trup ndërpartiak, i cili vepron në bazë të vullnetit të mirë për ngritjen e gruas në çdo sferë të jetës publike e politike.
Objektiva të Grupit të Grave janë fuqizimi i rolit të gruas në vendimmarrje, në sferën publike dhe politike, monitorimi i zbatimit të ligjit për barazi gjinore dhe ligjeve tjera që kanë të bëjnë me përparimin e pozitës së gruas në shoqëri, promovimi i mundësive të barabarta dhe të tjera.
Ndryshe, Grupi i Grave të Gjilanit, i themeluar më 6 mars 2009, me iniciativën e OSBE-se, deri tani ka luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e kriterit gjinor në trupat politike dhe vendimmarrëse, duke e ngritur vazhdimisht nivelin e përfaqësimit të femrës. /2LONLINE/