Përvjetori i 17 –të i rënies heroike të Shaban e Sami Ukshinit, në Rahovicë të Preshevës, më 14 maj 2001 (bashkë dhe me komandant Deltën e Kastriot Arifin), po shënohet në mënyrën më të mirë; me përurimin e shtatoreve të tyre, këtu në Zhegër, që është një nderim i jashtëzakonshëm nga ana e bashkëvendasëve të tyre, për gjithë atë kontribut deri në flijim, për çlirimin e trojeve etnike shqiptare.
Zhegra me rrethinën e saj,si gjith’herë e njohur dhe e dëshmuar për traditë atdhedashurie, e cila kombit shqiptar ia dha dy nga figurat më emblematike, Idriz Seferin e Agim Ramadanin, nga sot , në vendin e nderit i vendos dhe këta dy djelmosha, të cilët për liri nuk e kursyen as pikën e fundit të gjakut.
Shabani e Samiu, të njohur dhe me nofkat “Komandant Terri” e “Komandant Kingji” u rikthyen simbolikisht dhe u ringjallën për së dyti, këtu, nën sqetullat e këtij Çarri të Madh, këtij monumenti natyror që prej sot merr edhe epitetin e simbolit të qëndresës, falë heroizmit të këtyre dy dëshmorëve po, edhe heroizmit të vetë këtij Lisi, përballë stuhive të kohës.
Dëshmorët tanë do të na vigjëlojnë e do të bëjnë roje lirie në ballë të këtij kryqëzimi rrugësh, afër Varrit Të idriz Seferit e përballë rrugës “Agim Ramadani” , ditë e natë, stinëve e moteve që nuk kanë të sosur, duke u bërë njëkohësisht dhe dëshmitarë të ecjeve tona nëpër kohë.
Do të na përcjellin e do të na motivojnë për punë të mira dhe të ndershme për Kosovën, por edhe do të na korigjojnë sa herë që rastësisht mund të shtrembërojmë nga synimet tona kombëtare , nga ideali shekullor për çlirim e bashkim kombëtar.
Shabani e Samiu, dy trima të Karadakut,ndoqën rrugën e të parëve të tyre. U Rritën e u kalitën në një familje të besimit në Zot e në këtë Dhe, ku atdhedashuria ishte dhe mbetet Libri më i shejtë i jetës.
Rikujtoj se katragjyshi i tyre, Fazliu, i biri i Ukës,djalit të Rrustem Kurexhës , u ekzekutua nga bandat kriminele sllavo – maqedone në fund të nëntorit të vitit 1994, anise në moshë të shtyrë. Ai kishte qenë luftëtar i Idriz Seferit, si shumë karadakli të kësaj ane.
Xhaxhai i tyre, Ilmi Ukshini, gjithashtu njihej si një kundërshtar i rreptë i pushtetit komunist deri në vdekje, siç njiheshin për bujari e pathyeshmëri edhe prindërit e tyre, Nevzad e Rexhep Ukshini, të cilët zbritën në Zhegër, nga fshati Kurexh, në vitet tetëdhjeta të shekullit të kaluar.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta, Familja Ukshini ishte pjesë e pandashme e rezistencës për liri, pavarësi e demokraci. Vetë Shabani, Skënderi e Samiu ishin dhe pjesë e mobilizimit nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa logjistikë e luftës për liri ishin edhe baca Nevzad e baca Rexhë, shtëpia dhe oda e të cilëve ishte në shërbim të shumë tubimeve të rëndësishme gjatë viteve të nëntëdhjeta e, edhe gjatë vlimeve të bujshme për çlirimin e Kosovës Lindore.
Shaban Ukshini, i njohur gjithandej Kosovës Lindore si Komandant Terri, nuk pranoi të t’i hiqte armët nga duart përderisa njëri ndër damarët më të fortë të rreistencës sonë, që shtrihej nga Presheva, në Bujanoc e deri në Medvegjë, vuante dhe po vuan nën thundrën serbe qe njëqind e gjashtë vite.
Anise në shikim të parë dukej si një luftë e pamundur dhe tejet e pabarabartë, si e Davidit ndaj Goliatit, që përshkruhet dhe në Librat e Shejtë, pjesëtarët e saj, të cilëve iu bashkua Shabani pa asnjë hezitim, po e kontestonin pushtimin serbë, njejtë si gjyshërit e tyre.
Shabani, gjegjësisht Komandant Terri, si pjesë e brigadës 113 “Ibrahim Fejzullahu”, ku ishte dhe komandant i batalionit të dytë, deri në rënien e tij heroike, ishte një shembull I vetmohimit dhe sakrificës, deri në flijim, ngjashëm si edhe Samiu e shumë të tjerë, të cilët rezistuan me tërë fuqinë që kishin dhe, arsenalin luftarak.
Samiu apo Komandant Kingji, la mërgimin dhe, nga Zvicra erdhi drejt e në front, për t’mos e lënë vetëm Shabanin dhe dhjetëra e dhjetëra luftëtarë të tjerë, deri në çastet e rënies heroike.
Ata, ashtu siç ishin bashkë në familje, siç ishin bashkë në jetën e tyre rinore, po edhe në frontin e luftës për çlirim, bashkë janë dhe sot e gjithmonë këtu para nesh, si dy trima që nuk iu tremb për asnjë çast syri, në përballje me një ushtri shumëfish më të madhe në numër po edhe në armatim.
Lufta e tyre nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, bashkë dhe me qindra e qindra të tjerë, pavarësisht epilogut të saj, në vazhdimësi do të mbetet dhe do të përdoret si argument i kundërshtimit të pushtimit serb dhe, një nga rrugët e kërkimit për çlrim e bashkim me Trungun etnik të saj..
Po, njëkohësisht edhe do ta kontestojë pandërprerë tezën e lansuar serbe në këto 70 vitet e fundit gjithandej nëpër botë, se ajo pjesë e pandashme e shqiptarisë, gjoja me vullnet iu bashkëngjit Serbisë.
Fryma e heroizmit të Shabanit e Samiut, që tashmë përditë do të burojë nga këto shtatore, për breza e breza, do të na frymëzojë për t’u angazhuar fuqishëm në jetësimin e idealeve të tyre, përmes rrugëve të shumta, të cilat një ditë, ëndrrën e qindra –mijëra të rënëve do ta bëjnë realiet.
Atë ditë, këta dy trima të Karadakut, të cilë, t pas një mungese fizike prej 17 vitesh, sot më 14 maj 2018 u “rikthyen” në vendlindje, do ta presin këtu, në këmbë e ballëhapur, nën sqetullat e këtij Çarri qindvjeçar, i cili, në fakt po bëhet Shtëpia e tyre e Dytë, shtëpi e hapur ku ne, vijmë e hyjmë pa trokitur.
Faleminderit gjithë atyre që ndihmuan dhe i sollën këtu, thuaja të gjallë, Shabanin e Samiun.
E, uroj të frymëzohemi nga vepra të mira atdhetare, për të punuar e për t’u angazhuar përditë e më shumë në jetësimin e idealeve të të rënëve për liri e bashkim kombëtar.
Zhegër, 14 Maj 2018