Në lindjen e kontinentit evropian është rikthyer i ftohti dhe reshjet e borës. Por, ndërsa pjesa lindore e Evropës është zbardhur sërish, pjesa perëndimore do të shënojë temperatura të ngrohta.
Ndërsa, po i afrohemi kështu fundit të dimrit në Evropë, pjesa qendrore dhe ajo perëndimore duket se po e përqafon pranverën me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 25 gradë celcius në fundjavë, por lindja dhe jugu i kontinentit ende jo.
I ftohti, thonë meteorologët, do të vijojë edhe në fillim të javës së ardhshme, por temperaturat do të shënojnë rritje graduale. Për momentin, ato do të zbresin deri në -13 gradë celcius në disa zona të Kosovës.
Disa zona në Itali, Greqi dhe Turqi janë goditur nga një sistem presioni të ulët që gjatë të shtunës dhe të dielës do të sjellë reshje bore të konsiderueshme.
Meteorologët kanë folur edhe për erëra të forta nga Kroacia e në jug të saj që pritet të shkaktojnë jo pak probleme.