(2L ONLINE) – Arsimi luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Integriteti i një shoqërie është rezultat i drejtpërdrejtë i një sistemi arsimor cilësor. Synimi kryesor është arritja e zhvillimit etik, intelektual, fizik, social dhe estetik të nxënësit, në mënyrë që të jetë i aftë të mësojë gjatë të gjithë jetës, të mendojë në mënyrë të pavarur, kritike e krijuese, t’u përshtatet ndryshimeve, të ketë vetëbesim e shpirt bashkëpunimi dhe të jetë i gatshëm të ofrojë përpjekjet e tij për mirëqenien, përparimin, lirinë e demokracinë e vendit e më gjerë. Ky është njëkohësisht dhe misioni i sistemit arsimor parauniversitar.
Nga: Fehmi SYLEJMANI
Zhvillimi i gjithanshëm i individit dhe aftësimi i tij si qytetar bëhet kryesisht në shkollë, ndaj arsimi duhet konsideruar si oportunitet për të gjithë ata që duan të studiojnë, të kenë mjedis miqësor dhe të zhvillojnë aftësitë individuale. Shkollat dhe kolegjet duhet të shfaqin shembuj suksesesh shumëplanëshe; në disiplinë, përgatitje shkencore, olimpiada, sport, veprimtari artistike, shoqërore etj.
Do të ishim sot të gjithë të lumtur po të flasim për rezultate të mirë në sferën e arsimit, por ja që janë shumë gjëra, që nuk na bëjnë komod që të flasim për të arritura në këtë segment të rëndësishme jetësor. Megjithatë rezultatet në arsim në komunën tonë lënë për të dëshiruar, ndonëse Gjilani ka potencial dhe kapacitet të mjaftueshme për ta udhëhequr arsimin drejt, arsyeshëm, ndershëm dhe në një mënyrë më të përsosur se deri më tash, të paktën duhet të përpiqemi dhe të tregojmë gatishmëri se mundemi dhe jemi duke u nisur drejt kësaj rruge, drejtë sukseseve.
Me gjithë që arsimi ka sfida të ndryshme, sivjet pa dëshirën tonë na është imponuar shuarja e klasave të 13, përkatësisht “teprica teknologjike” e mësimdhënësve që do mbesin. Kjo pa dyshim se ka ngrit shumë shqetësime dhe është shumë e natyrshme brenga e këtyre mësimdhënësve dhe familjarëve të tyre, por edhe e të tjervë. Ne si LVV kërkojmë nga organet më të larta komunale dhe arsimore që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa punë. Natyrisht se parashtrohet pyetja se si është e mundur të bëhet kjo. Ja disa mundësi dhe shembuj konkretë se si të jetësohet kjo mënyrë:
1. Të mos hapet kurrfarë konkursi pa u bë sistematizimi i këtyre mësimdhënësve
2. Mësimi zgjedhor t’ju jepet këtyre mësimdhënësve
3. Të formohen paralele më tepër vëcmas nëpër shkolla të mesme, prej 20-25 nxënësve, për faktin se më vështirë është për të krijuar vende të reja pune, se sa për të ruajtur këto vende
4. Të krijohen drejtime të reja, p sh të formohen klasë të posaçme për drejtimin matematikor, si një drejtim i vecantë dhe elitar
5. Të futet ora e kujdestarisë në normën e përgjithshme prej 20 orëve në javë, në mënyrë që çdo mësimdhënës me këtë rast e liron nga një orë. Dmth 19 orë të lëndës profesionale dhe një orë kujdestarie, që bëjnë gjithsej 20 orë. Dhe në këtë rast në shkollat me 20 paralele të një klase, automatikisht lirohen dy vende të reja të punës. Të rishikohet mundësia që të bëhet nga klasat e 6 deri në të 12.
6. Përmes një akti normativ nga Ministria e Arsimit të pensionohen me vetëdëshirë mësimdhënësit me 60 vjet moshë, të cilët do të marrin pagën diku 70 për qind të pagës aktuale. Dhe kjo të ndodh vetëm në një rast-vit, në mënyrë që mësimdhënësit aktual, që po i konsiderojmë tepricë teknologjike të sistemohen më pas në vendet boshe.
Pavarësisht se drejtori i drejtorisë së arsimit po shfaq vullnet të mirë për të punuar drejtë, janë shumë faktorë të ndryshëm që po ia vështirësojnë këtë qëllim dhe nijet të mirë, duke u nisur në radhë të parë nga vetë partia prej të cilës vjen. Vetë kryrtari Haziri para se të zgjidhej kryetari kishte premtuar se në Gjilan do të këtë depolitizim të arsimit, mirëpo kohëve të fundit kjo nuk po vërehet, përkundrazi edhe më shumë po implikohet politika në arsim. Emërimi i panelit intervistues për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve ka qenë panel politik dhe jo ligjor e mbase edhe mund të quhet joprofesional. Punësimet e shpejta dhe pa konkurs, e që është kritikuar edhe qeveria e mëparshme për këtë dukuri duhet domosdoshmërish të ndalet dhe të punësohen në mënyrë ligjore duke shpallur konkurs ashtu siç kërkohet me ligj.
Edhe përkundër që nuk është kompetencë e Drejtorisë së Arsimit, organizmi i testit të maturës me anë të kompanive të sigurimeve private ia ka prish imazhin arsimit në tërë vendin, dhe duke u dëshmuar se edhe me ketë lloj forme kopjimet kanë qenë të paevitueshme.
Dhe krejt në fund nëse duam që fjala dështim të zhduket nga arsimi duhet të kemi parasysh sipas Jean Jaurèsqë “Nuk mund t’u mësosh të tjerëve atë që di, nuk mund t’u mësosh as atë që do dhe as atë që pretendon se di; mund t’u mësosh veç atë që ti je”.
Arsimi dhe edukimi i rinisë është themeli i cdo shteti. Ndërkaq porosia e rilindases së madhe shqiptare Sevasti Qiriazit e cila thotë: “Lum ai njeri që zbraz qesen e tij për dituri, sepse ajo nuk mund të merret, as të vidhet prej askujt“.
/autori është këshilltar komunal i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Gjilanit/