Jemi dëshmitarë tash e gati 20 vite pas përfundimit të luftës se si në Kosovën tonë po luhet me ndjenjat e sa gjeneratave, po luhet me ndjenjat e atyre që humbën më të dashurit e tyre për lirinë e Kosovës e jo për lirinë e “dostave”.
Shkruan: Arbër Rama, student
De fakto, asnjë qytetar i kësaj Republike nuk është i lirë, lëre që saga e liberalizimit është bërë histori më vete po ne jemi peng dhe të varur nga hatri dhe rahmeti i “dostave” që me kthetrat e tyre kanë kapur Republikën tonë.
Nuk ka rëndësi se çfarë suksesi në studime ke, nuk ka rëndësi niveli i studimeve që ke përfunduar, nuk ka rëndësi se në cilin shtet ke studiuar, në fund të fundit gjëja kryesore nëse nuk je familjar i këtyre “dostave” është servilizmi yt ndaj idealeve të tyre apo militantizmi dhe “puna” jote që ke bërë kur “dostat” kanë pasur nevojë.
Çdo ditë e më tepër shohim një depresion të madh që ka kapluar njerëzit në këtë vend e sidomos pjesën më thelbësore për ekzistencën e një vendi, rininë.
Vendi për të cilin u luftua e u derdh gjak tani po i detyron rininë me doemos që nëpërmjet çdo mënyre qoftë edhe ilegale e jashtëligjore të luftojë tani më 2018 për ekzistencë!
E gjithë kjo ka një shpjegim, “dostat” që shiten ndonjëherë si armiq në sy të popullit në fushata e në prag zgjedhjesh kanë instalua sistemin e tyre të votës klienteliste tash e sa vite.
Vota klienteliste është ajo që mban peng të tashmen e këtij vendi dhe shkatërron në heshtje të ardhmen e tij dhe ëndrrat e çdo të riu e të reje. Janë afro 60% e popullit që atë ditën e famshme të diel kur kemi pushtetin në dorë një herë në 4 vite qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe nuk dalin t’i mposhtin 40%-shin gati se krejt klientelist në anën tjetër.
Të dashur 60%-sh, që “keni humbur rrugën në oborr” sikur shumë prej nesh, e kemi në dorën tonë ti dërgojmë në shtëpi ata që shkatërruan edhe ëndrrat tona më të thjeshta që i kishim pas çlirimit.
E kemi në dorën tonë që të bëjmë ndryshim, zgjidhni kombinatorikën jo kriminale nga ato që na servohen të dielën e famshme e të pushtetshme për popullin kurdo që të jetë ajo e që duket goxha afër.