A ecim ne kohëve apo kohët ecin mbi ne?
E kisha dëgjuar për herë të parë në bankat e shkollës kur flitej për kohën gurit, kohën e hekurit, dhe kohën e bronzit dhe atë botë më kishin habitur këto emërtime..dhe kisha vazhduar të ngjitem e zbres pllajave të vendlindjes.
Shkruan: Bejtush ISUFI
Një ditë duke ecur një shtegu me borë e qershi kisha harruar kohët e metalta dhe mësimet nga historia. Ecja këtij shtegu të blertë kur më rrëmbeu një flutur dhe me fali pak qiell të kaltër alpesh që të shuaj etjen e shekujve të ngrirë akullnajave…
…Dhe ende pa u shkrirë bora e qershorit nga rrezet e diellit, veriu ishte sulur kreshtave dhe lugjeve të atdheut. Ujqit dhe barinjtë vraponin pas fatit të tyre, e veriu ngrinte çdo pëllëmbë toke, ndërsa fqinjët tanë poetë mprihnin me thika penat e tyre të përgjakshme…
Që nga kjo ditë kishim shkelur në kohën e thikave dhe secila natë ishte natë e Bartolomeut…
Të gjallët u dërgonin të vdekurve të gjitha lajmet dhe u përbetoheshin në jetët e tyre se do të vdisnin edhe njëqind herë të tjera dhe do të verbonin bebëzat e tyre te syrit për një rreze drite…
Secili agim i zbardhur ishte ngrysur e secila verë ishte vyshkur duke pritur rrezet e para të diellit…
Duke pritur pranverat e vonuara për afër njëqind vjet, një tjetër kohë e keqe i zuri vendin të parës, koha e lakmisë, pangopësisë…
Këtu prej malit të shenjët vështroj bjeshkët dhe detin dhe u lutem atyre të ma thonë se ku janë ato yje që nuk flenë e na mbrojnë nga mallkimet e vjetra…
…A do të mbyllen një ditë të gjitha plagët, e ne pastaj ti ruajmë vrragët e tyre si një trofe lufte…