Kalbja dhe ngjallja…

Kalbja dhe ngjallja…

E zeza dhe e bardha, ferri dhe parajsa, hija dhe drita, e shëmtuara dhe e bukura, e përkohshmja dhe e përhershmja, tokësorja dhe qiellorja, jini dhe jangu, djalli dhe engjëlli…dhe dihotomitë e tjera na tregojnë dy nga drejtimet themelore, dy nga rrugët kryesore për orientim dhe përcaktim…

Shkruan: Bejtush Isufi

A i zgjedhim, apo na zgjedhin, e përcaktohemi apo jemi të përcaktuar, a e kemi « në dorë » vetveten apo jemi në dorën e dikujt… si të orientohemi në këtë hartë të ngatërruar të unit dhe universit ku abc-ja nuk përfundon te shkronja A, e as drejtimet e botës nuk shkojnë vetëm në dy apo katër drejtime, por rrjedhin, lëvizin e mbështillen si atomet, lindin dhe vdesin si qelizat dhe përsëri pas çdo rrethi maratonik e pyesim veten kah shkohet më tutje… apo cila është rruga?

Rruga është emër dhe asaj i duhet edhe një mbiemër, si e drejtë, e gjatë, e vështirë, e verbër, rrugë e dritës apo parajsës, Rruga e Qumështit, rruga Egnacia apo rrugët e botës… dhe ec e merr rrugën, zgjidh rrugën nga gjithë këto lloje rrugësh që të lënë fare pa rrugë…

…Dhe si mund të ecet pastaj pa rrugë, pa dritë, kot pse ke zemër, kur nuk ke edhe sy, apo edhe ke sy, por nuk e ke mendjen, e kotë edhe nëse ke bukë, por nuk ke shpresë…

Sidomos nuk mund të ecet pa dritë, sepse si ti shohim pastaj ngjyrat e vjeshtës, si ta ngjyrosim shpirtin me të kuqërremtën dhe si ta dallojmë hijen, kur nuk e njohim dritën… pra nuk mund të ecet pa dritë… !

…Por më e rëndësishme është busulla, sepse edhe kur ke shumë rrugë e dritë mund ta humbësh rrugën në oborrin e shtëpisë…

Kuptohet që busulla është shpëtimi dhe mjerë ai që do ta ketë humbur busullën, sepse pastaj edhe më e vështirë është të gjendet mjeshtri i busullave… sepse edhe te ai arrihet vetëm me busull, ndoshta dikush me shumë fat, ndonjë fatlum edhe mund ta takoj rastësisht mjeshtrin e busullave duke kaluar urën mbi lum apo rrugën e dritës, por edhe mund të mos e takoj kurrë…

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE