Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, së bashku me Prorektorët dhe disa anëtarë të stafit akademik, ka pritur sot në takim deputeten e Gjilanit në Kuvendin e Kosovës, znj. Arbreshë Kryeziu Hyseni.
Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dëramku shprehu mirënjohjen për përkushtimin e deputetes Arbëreshë Kryeziu Hyseni në mbrojtjen dhe avancimin e interesave të qytetit të Gjilanit dhe Kosovës në përgjithësi .
Gjatë takimit, Rektori dhe ekipi i tij njoftuan deputeten për zhvillimet aktuale në Universitet dhe adresuan çështjet e rëndësishme që lidhen me funksionimin dhe rritjen e institucionit. Rektori Dërmaku e informoi deputeten Kryeziu-Hyseni për punën e deritanishme të Universitetit, duke përfshirë funksionimin e programeve studimore, akreditimin e suksesshëm Institucional dhe të programeve studimore, marrëveshjet ndërkombëtare dhe shkëmbimin e studentëve, si një nga arritjet kryesore në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e UKZ-së, po ashtu është biseduar për aktivitetet e organizuara deri më tani, si dhe rritjen e cilësisë së arsimit të reflektuar në ngritjen e Universitetit në renditjen Webometrics.
Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dëramku ndër tjerash ka folur edhe për nevojën e mbështetjes së Universitetit nga ana e Qeverisë, duke theksuar rëndësinë e rritjes së buxhetit për të përmirësuar kushtet arsimore dhe për të avancuar me projekte të reja në të ardhmen, rëndësinë e përfshirjes së Kampusit Universitar në planin qeveritar, me qëllim që përmes krijimit të hapësirave të reja, Universiteti të zgjerohet edhe më tej me programe akademike gjithnjë në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Nga ana e saj, deputetja Arbëreshë Kryeziu Hyseni theksoi se përfaqësimi i interesave të qytetarëve dhe mbështetja e institucioneve edukative, si Universiteti Publik “Kadri Zeka”, është një nga prioritetet e saj. Ajo shprehu gatishmërinë për të përkrahur çdo iniciativë që synon të përmirësojë kushtet e studimeve dhe të promovojë zhvillimin e mëtejshëm të arsimit në nivel lokal dhe kombëtar.
Pjesëmarrësit në takim thanë se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes Universitetit dhe përfaqësuesve të qytetit në Kuvend, për zhvillimet e mëtutjeshëm dhe mundësitë që mund të krijohen për komunitetin universitar. /2LONLINE/