Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, ka pritur në takim Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Gjatë kësaj kohe Rektori Dërmaku dhe Kryetari Hyseni kanë parë nga afër punimet e renovimeve të hapësirave të brendshme të universitetit, përfshirë sallat mësimore dhe ambientet tjera akademike, për të cilat është duke u punuar për krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për zhvillimin e aktiviteteve akademike.
Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku tha se me këto punime të renovimit, do të përmirësohet infrastruktura që është jetik për të siguruar kushte optimale për studentët dhe stafin. “Investimet në arsimin e lartë janë investime në të ardhmen e komunitetit tonë. Krijimi i një infrastrukture moderne është bazë për një mësimdhënie dhe mësimnxënie më cilësore,” tha Rektori Dërmaku.
Rektori ndër tjerash tha se përveç sallave të mësimit, po bëhen përmirësime në laboratorë dhe hapësira të tjera të përdorura për kërkime shkencore, duke synuar që këto përmirësime të jenë në përputhje me standardet më moderne. Këto përpjekje për të përmirësuar kushtet infrastrukturore janë pjesë e strategjisë së universitetit për të krijuar një mjedis të qetë dhe të favorshëm për mësim dhe studim.
“Ne kemi ndërmarrë këtë proces të renovimit për të përmbushur pritshmëritë e studentëve dhe për t’u siguruar që ata të kenë hapësirat e nevojshme për të zhvilluar mësimet dhe hulumtimet në një mjedis sa më produktiv,” tha rektori Dermaku. Ai gjithashtu shtoi se këto përmirësime janë të nevojshme për të përballuar sfidat dhe ndryshimet e vazhdueshme në fushën e arsimit të lartë.
Kryetari Alban Hyseni gjatë inspektimit të punimeve vuri në dukje mbështetjen e Komunës së Gjilanit për universitetin, duke e quajtur atë një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. “Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të jetë përkrahëse e projekteve që synojnë rritjen e cilësisë së arsimit në rajon. Bashkëpunimi ynë me Universitetin “Kadri Zeka” është një shembull i qartë i përpjekjeve tona të përbashkëta për të investuar në të ardhmen e të rinjve,” tha kryetari Hyseni.
Ai gjithashtu përgëzoi universitetin për punën që po bën në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe përkushtimin e treguar ndaj përmirësimit të cilësisë së arsimit në përgjithësi. /2LONLINE/