Sherafedin KADRIU
REFUZIM ESTETIK OSE DHEMBJA E BUKUR
( Parathënie për librin e sapobotuar me poezi të Sabit Rrustemit, me titull, PUHIZA MËNGJESORE, nga ana e Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”)
Poezia e shpërblyer nëpër vite e dekada me çmime të ndryshme e poetit Sabit Rrustemit dëshmon thellësi poetike nëpërmjet figurash si antiteza, personifikimi, alegoria, simboli, metafora, metonimia, ironia etj.
Strukturimi i librit “Puhiza mëngjesore”, paraqet një lloj ditari poetik, ndërtuar nga radhitja e poezive, sipas kohës kur është marrë çmimi. Gjithsesi që ka edhe një prerje tematike të lehtë ndërmjet tri periudhave të krijimit, të afërta për shoqërinë, por të largëta për njeriun. Gjashtë poezi i takojnë dekadës tetë-nëntë të shek. XX, pesë të tjera periudhës së pushtimit të Kosovës nga Serbia, përkatësisht dekadës së dhjetë po të shek. XX, dhe dymbëdhjetë poezi të fundit i takojnë pasçlirimit të Kosovës deri në vitin 2020 .
Në periudhën e parë të krijimit, poeti nuk u mor me aktualitetin ballë për ballë. Ai gjeti atë mënyrën e ndëshkimit të atij aktualiteti që ofrohej si gëzim i papërmbajtur gjoja për arritjet në fusha të ndryshme të shoqërisë së kohës. Duke ndjerë qysh në rini, poeti sjell vlera të tjera frymëzimi duke luajtur me përmbajtjen dhe vargun nëpërmjet refuzimit tematik; është fjala për një refuzim estetik, siç e konceptonte studiuesi Ibrahim Rugova këtë koncept teorik-letrar. Të kësaj natyre janë poezitë e periudhës së parë të krijimit: Sëmundja e dhëmbit, Fotografia e nënës, Orari i të papunëve, Këpucët në menopauzë e ndonjë tjetër.
Dhëmbi i paraqitur në tri trajta të tij, si Në dhëmb krimbi, Dhëmbi artificial dhe Dhëmb i fëmijërisë, merr konotacion tej reales, shpreh bukurinë e të jetuarit duke shfaqur dhembjen e bukur! Nëse te Beqir Musliu antonimia shpërfaqet tekstualisht si Bukuria e zezë, te Sabit Rrustemi, antonimia shpërfaqet vetëm si e nënkuptuar – Dhembja e Bukur! Ky është pushteti i artit, që gjithçka në këtë botë arrin ta kthejë në të bukur, madje edhe dhembjen, edhe shëmtinë, edhe të keqen, por vetëm për aq sa është origjinale, përndryshe artificialja vetëm mund ta mbulojë shëmtinë si një pudër, po për një kohë. Kësaj here është alegoria e shtruar në tekstin e poezisë, në mënyrë që dy vargjet e fundit Shërimi yt/Shpëtimi i të tjerëve të mos marrin konotacion të vargjeve moralizuese, po të mbetet një imazh poetik i mirëfilltë.
Aty është edhe poezia Fotografia e nënës,- një nga poezitë më të bukura kushtuar ndjenjësisë, dashurisë dhe dhimbjes për nënën. Janë dy ndjenja që ngjizen pa pasur nevojë ta ndjekin njëra-tjetrën. Është një ritëm i lehtë, që shoqërohet nga thjeshtësia poetike si tërësi. Nëse thjeshtësia është art më i vështirë se arti i ndërlikuar, atëherë poezia Fotografia e nënës është shëmbëllimi më i mirë.
Nënës i duhej bërë një foto, se bukuria e saj nuk shter dashuri për fëmijën. I duhej me patjetër. Po s’ka kohë të telendiset se vijnë burrat prej malit e vaj halli për djegien e bukës në çerep, atëherë ja në prag të derës:
Ashtu siç ishte
Rrezja e diellit e puthi në ballë.
Cili aparat fotografik shkrepka më mirë se rrezja e diellit?
Jo se ka zënë vendin e parë në një konkurs poezie, por poezia Pylli i Brinjës, është ndër poezitë më të arrira poetikisht. Autori i këndon edhe njëherë Makbethit që ka shkalluar tashmë, pasi ka vrarë mbretin. Nuk është më rendësi nëse do ta dënojmë ambicien e sëmurë të Makbethit e zonjës Makbeth, ose do ta vlerësojmë ndjenjën e fajësisë që i ka kapluar burrë e grua! Në këtë teh shpate lëviz tragjikisht tirani edhe në poezinë e Sabit Rrustemit, Pylli i Brinjës; poezi që me pak fjalë, e ka vrarë veprimin tragjik të psikikës së tiranëve, të cilët vijnë me gjakun dhe me të shkojnë. Në fund u mbetet vetëm shtegu i besimit në zotësinë e tyre, ashtu siç shprehet Makbethi në përballje me Makdafin…
….. është ca më lehtë
të shthurësh erën se të më përgjakësh
Makbethi, f. 140.
ÇLIRIM CYTJESH NGA MOTIVE TË TJERA
Vizioni i poetit është dëshmuar në poezinë moderne me elemente të bollshme të traditës (ka një varg veprash të trashëgimisë shpirtërore të botuara dhe në dorëshkrim, si mesele e rrëfime të Karadakut). Aty është bota e heronjve lirikë që shpërthen si frymë qiellore, për një veprim tokësor e njerëzor njëkohësisht. Bota e tyre është medoemos edhe një pikë bote e poetit, një botë ndjenjash e sulmuar që në fëmijëri për të mos guxuar të mendosh me kokën tënde:
Artin e të heshturit e mësova
Të mos nxjerr zë
Nga shkopi i thanës
Po gjërat e ndaluara janë kureshtare në thelb, prandaj autori shprehet:
Më dogji hithi i babës
Sepse dendur përmendja djallin
Pa ditur se kështu fyeja zotin
Të cilit nuk iu fala më
Këto vargje qëndrojnë estetikisht lart dhe kanë domethënie, sepse shpërfaqin një poetikë të mirëfilltë. Pushteti i babës mjaftohet me hithin për ta mohuar djallin, ndërsa, përmendja e tij fyen Zotin (atëherë emri Zot shkruhej me shkronjë të vogël, siç e gjejmë në poezinë e këtij poeti), të cilit nuk i falet më poeti, as sot e kësaj dite duket, sepse ka gjetur belanë me kuptimin e dashurisë ndaj Zotit.
Mesazhi i poezive që fituan në konkurse çmime të para, të dyta, të treta ose të marra për botim, realizohet si koncept dialektik, i fshehur medoemos, nëpërmjet situatave të cilat autori i ka shpërfaqur qartë, thua se bën përshkrim të asaj që ka dëshirë për ta ndarë me të tjerët, por e vërteta është se ka një varg kategorish estetike të shkallëzuara që e bëjnë poetikën e poezive aq të vlefshme. Në këtë mënyrë shpërfaqja e poetikës analitike si trajtë estetike e arrirë e zbeh porosinë etike.
Nëpër prova të dhimbshme të jetës reale
Sytë e mi
Nuk pajtoheshin me zhveshjen e aureolës
ose
Plagët e lindjes nuk më përkasin mua
Ato le t’i kujtojë nëna
Unë ia hoqa velin mashtrimit të gjetjes
Janë çaste artistike që i dritësojnë terrinat e të menduarit; që kërkojnë ta ndriçojnë edhe qenien tonë; vetë qenësia e poetit sa është pronë e mendimit dhe e angazhimit, po aq është dije e kushtëzuar nga reflekse edhe jashtë poetike.
Periudha e dytë e krijimit artistik që përfshin më pak se një dekadë, përfaqësohet nga pesë poezi të shpërblyera: Arnimi i shtëpisë, Lotina, Leximi i lules së ballit, Çka i thashë Demë Kadrisë dhe Natyrë me vaj, apo Adami lirohet nga auto-censura. Jo pa qëllim shfaqëm edhe titullin e dytë të mundshëm të poezisë Natyrë në vaj – Adami lirohet nga auto-censura. Në të më mirë se gjithkund vërejmë se poeti e ka vrarë censurën dhe ka shkalafitur auto-censurën për të shkruar për atë që do e si do dhe kur do, bashkë me shtetësinë morale dhe demokratike në robëri(!).
MISHËRIM OSE I DASHURUAR PAKTHYESHËM
Poezitë e periudhës së pasçlirimit të Kosovës janë motivuar nga shkaqe nga më të ndryshmet për të reflektuar ide e vizione të kapshme. Ç’është e vërteta, ajo që vështrohet në to është projektuese, e qëllimtë, e kërkuar dhe e rebeluar ndonjëherë, me apo pa arsye…
T’i më le vetëm e hero nuk u bëre
Së paku për një këngë
Sharkitë as në muze gjejnë vend
Na i hëngrën veshët rivalët e trilltë
(Baladë e re për një urtësi të vjetër)
Një tematikë e tillë sfondesh trishtuese del më mishëruese në prozën tregimtare të këtij autori. Mjafton të lexosh tregimin “Nën maskën e mysafirëve” për të parë sesi psikologjia e dialogut vishet me ndjenjën e vetëshkatërrimit, para se komunikuesit të shkatërrohen nëpër territore qendrestare. Ky përfundim, mbase i shpresës, përmbush kureshtjen e lexuesit. Ose, në tregimin Pika e zezë, idetë vishen me petkun e veprimit dhe ngrihen në nivel të simbolit. Është simbolika e së keqes e trupëzuar në Copën e Akullit dhe simbolika e së mirës e gjethësuar në gjethet e lisave dhe fijet e barit, të cilat përcëlloheshin e shkrumboheshin, sa herë bënte luftë Copa e Akullit me Dritën e Diellit.
Në periudhën e tretë, poeti u është rikthyer ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë, të largëta apo të afërta, të cilat ndonjëherë bëhen të diskutueshme për moralin plëngprishës. Ani, se të tillët vetëm shpërfaqin egon e sëmurë në demokracinë pa fre. Ata nuk kanë forcë dijeje të nëpërkëmbin Agimet para Mbrëmjeve:
Me Agim po nxitove
I pari mund ta prekësh një peizazh Kosove
Mund të bëhesh dhe liri e kësaj toke
(Të niseshe me ag)
Ata mund ta skuqin borën në gjak për një atavizëm familjar, por vetëm aq mund të bëjnë, pse ajo po vinte, nuk po pyeste, lum kush e priste:
Një pjatë
hapësirës së mbyllur
terrin e një nate shkyente n’ fluturim
Mbi kryeqendrën ngjyrë hiri
si bisht dallëndysheje
stinën e pritur paralajmëronte
………………………………………….
Ajo pas bishtit të çdo dallëndysheje
do të kthehej për çdo stinë
me ëndrrën e vjetër
mbi shpinë
të plotë Shqipërinë ta rigjejë
(Paralajmërimi i stinës së pritur)
Mesazhet poetike ndonjëherë zbulohen më thjeshtë e më lehtë nëpërmjet personazheve lirikë, ani pse të mbytur nga emrat e mëdhenj historikë, por që me veprimet e tyre e gjallojnë pamjen e absurdit:
Me atë kumt në gji
fluturon nëpër Shqipëri
Pas le malet nën borë
ato fusha të mbuluara në gjak
gjallë
jo vdekur
të mbërrijë në Vlorë
baca Idriz i ka thënë
(Xun Çeliku e pyet Vlorën)
Poezia “Tek Ati ynë në Lezhë”, është ndërtuar mbi modelin biblik, përkufizuar për së mbari si mbarshtrim uratar, duke ngjizur Atin me njeriun. Jo me secilin njeri, po vetëm me atë që historia mesjetës së errët ka bërë dritë, me Gjergjin medoemos:
O Atë
me emrin e për emrin Tënd
nëpër dejtë e trupit arbëror
O udhërrëfyes
o bekues
i secilës Epokë
dhe të hapit që bëj
të frymës që thithi orë e çast
Ti
Atë i mbrojtjes
i paqes e i lirisë
Përjetësisht të falem
për atë që na dhe
Nën Dhe e mbi Dhe
Poezitë e këtij vëllimi kanë diçka të veçantë: janë ndërtuar me një gjuhë sa të thjeshtë, aq të zakonshme dhe të gjallë. Guximi për të krijuar, dija e fituar gjatë leximit, përvoja jetësore mishërohen në përftimin e poezive. Si të tilla kanë diçka që e kënaqin imagjinatën e lexuesit. Në këtë kontekst po përmend poezinë e dashurisë “Përderisa nuk je dashuri”, e cila është shpërblyer me vendin e dytë, në Tetovë, Flakadani i kujtesës” (në vitin 2020). Poeti ndodhet në një situatë të trishtë, sepse ai i është dhënë Asaj, që ishte shfaqur me një mal të panjohurash, që i kishe ruajtur e brumosur thellë qenies së vet të mistershme. Po qe shtyri poetin të përralloset kaq thellë? Shtirja e vardisja e saj, nxehja e nxitja për besim, apo ëndrra, fryma e jeta në këtë botë të përkohshme dhe në atë të përjetshmen botë?
Ndoshta të gjitha së bashku luajtën në violinën e akorduar rrejshëm, derisa zëri i saj lëshonte atë kakofoni kërcëlluese, kur poeti e ka qartësuar veten e tij dhe veten e saj:
Hapësirave të mia
S’ka vend as për ty
përderisa nuk je jetë
përderisa nuk je as dashuri
Vetë mortja je
Këtu vërehen elemente të poetikës përvëluese dhe melankolike, trishtuese dhe melodike, gërryese dhe cytëse, – një antonimi e veshur me metaforikë e simbolikë shprehjesh në një varg të lirë e ritmik njëkohësisht.
Kjo poetikë e shtrirë në të gjitha veprat e Sabit Rrustemit përligj vijimësi, dritësohet si cilësi e veçantë, si strukturë e materializuar, si kuptimësi ndryshe, si ndjenjë e shthurur ndonjëherë, si jetë filozofike, si veprim etik e si shpërfaqje estetike. /2LONLINE/