Nga Zejnullah Jakupi
Në ditët e sotme, kërkohet që të mbrohet UÇK-ja, djemtë më të mirë të saj, të cilët e dhanë jetën për liri dhe ata që mbetën gjallë u inkuadruan ose ishin pjesë të strukturave politike si Drejtoria Politike e UÇK-së, dhe natyrisht veteranët. Imazhi ose fotografia e kësaj ushtrie, pra, e UÇK-së, në të gjitha rastet, e ka në epiqendër burrin, shqiptarin e sypatrembur të fortë dhe i cili nuk i kishte frikën as Serbisë dhe forcave të saja paramilitare, të asaj, një ushtrie më të madhe në Ballkan dhe më gjerë. Por këto virtyte janë zhdukur ose kanë mbetur pjesë e lavdishme historike e atyre djemve dhe e burrave të asaj kohe. Por si është situata sot, si është çështja me gjeneratën e pas luftës, me ata që në kohën e luftës ishin fëmijë e sot janë pjesë e elitave politike, intelektuale etj? A duhet të jenë edhe këta empatikë dhe të kujdesshëm kur flasin për gjeneratat e luftës dhe të UÇK-së? Duhet thënë gjithashtu se gjenerata e Hekuran Muratit, nuk e ka lehtë. Pedagogjia e shoqërisë pas vitit 2000 kërkon që burrat të adoptojnë prirjen feministe, të jenë të butë, të kenë të drejtë të kritikojnë, të mos kenë nevojë më të jenë vetëm të vyeshëm ose të mirë dhe të sprovohen në sfondin e luftës ose nga kjo pikëpamje.
Me sulmin ndaj gjeneratës së paqesë, të pasluftës dëshirohet të shkatërrohet ekuilibri shoqëror. Mund gjithashtu të shkatërrohen edhe perspektivat, siguria e mëparshme, vlerat e më parshme ose të bien ato në herresë- siç është patremburia e shoqëruar edhe me prirjen për dhunë fizike dhe kjo e fundit përfshin gjithashtu një imazh specifik të burrave: që çarmatimin e UÇK-së nga viti 1999 e nënkupton si reduktim të maskulinitetit tradicional shqiptar i njohur ndër shekuj i cilësuar si vyrtyt i ashpërsisë dhe i konkurrencës. E tani kërkohet një “mashkullor i butë” i ri – me ndjeshmëri, me përkujdesje dhe jo i dhunshëm.
Sot, ky imazh i burrave, të gjeneratës të para luftës, ka filluar të lëkundet. Që kur ka mbaruar lufta, nuk kërkohet domosdoshmërisht aftësia muskulore, ai guximi i burrave të celulave të para të UÇK-së. Atëherë e thonin të gjithë se duhej forcë për të mbrojtur vendin, feminizmi demonstrohej vetëm në rrugët e Prishtinës me demonstrata paqësore ku merrnin pjesë intelektualët, gratë dhe shtresa akademike, ndërsa në male ishin burrat e fortë, sypatrembur. Ata përballeshin me armikun, me forcën, prandaj duhej të ishin edhe të dhunshëm. Kjo pjesë ose ky epitet i të qenurit i dhunshëm, i fortë, tani nuk është më vijë mbrojtëse dhe bazat e saja etike dhe shoqërore janë hequr disi pa kujdes por edhe me qëllim të mirë, por natyrisht kanë ngelur fërkimet diskursive të cilat tani 23 vite pas luftës i hasim kudo?
Cilësitë thelbësore të maskulinitetit tradicional si; burrëria, forca, lidershipi- i përzier me forcë, nxitja, vetëmbrojtja ose marrja e rrezikut janë zhdukur ose po kërkohet të mënjanohen, prandaj ata që sot përdorin këtë metodikë edhe në mbajtjen ose marrjen e pushtetit janë po të kësaj shkolle. Simbolika e të qenurit i fortë, fitues në gara politike mundësonte ose bëhej e mundshme sepse kështu e kishte vendosur konteksti historik i patriarkatit, i hegjemonisë dhe i dhunës (mashkullore) në mënyrë jokritike. Dhe, siç dihet nga ky tipar liderësh, qofshin edhe komandantë ose udhëheqës politik, janë bërë aty-këtu shumë të këqija, dhe këto fakte janë të padiskutueshme. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ky tip burrash gjatë gjithë historisë, në të vërtetë, ata e ndërtuan edhe qytetërimin, shmangën rreziqet dhe siguruan përparim, në rastin e Kosovës sfiduan pushtetin gjenocidial serb duke ju kundërvën me armë për të nxitur pastaj edhe intervenimin ushtarak të NATO-së dhe çlirimin e vendit.
Roli i performancës dhe i ashpërsisë së burrit të luftës, ka kërkuar gjithashtu kufizime nga vetë burrat, pas luftës me ardhjen e gjeneratës së paqesë, i gjeneratës që në vend të pushkës, dhe armatimit me pushkë, të gatshëm për akcione kundër policisë dhe ushtrisë serbe, vjen gjenerata tjetër, ajo e reja. Ajo vjenë me diploma, me tituj shkencor, me diskurs tjetër dhe është e gatshme të heq dorë ose edhe të kundërshtojë ndjenjat ndaj të parës dhe të mos e konsiderojë më këtë tipar si të domosdoshëm në lidhje me veprimin e tyre politik. Tani më nuk kërkohet që në parlament, qeveri, të kemi ata që zgjedhin t’i rezistojnë dhunës ushtarake serbe, të rrezikojnë jetën e tyre për vlerën kolektive të shpëtimit kombëtar e njerëzor.
Thyerja me këtë imazh të diferencuar mund të regjistrohet pas vitit 2011, kur u shpall pavarësia e Republikës së Kosovës dhe vazhdimisht kërkohej modernizimi dhe pacifizmi i shoqërisë dhe në këtë mes filloi të forcohet feminizmi – i cili natyrisht ka përpjekje ta shpërbëj pa mëshirë subjektin mashkull në luftën e tij kundër patriarkatit. Tipi patriarkal në shumë raste është burri i gatshëm për të ushtruar dhunë, për të marrë një femër ose një pozitë (vend pune) me ryshfet ose përmes vizaminës B ose edhe me ndërhyrje të dhunshme dhe frikësim, kërcnim. Prandaj soi i këtyre burrave na paraqitën vetëm si kriminelë, përdhunues dhe abuzues.
Ky ndryshim i gjerë në imazhin e burrave në kulturën tonë ende nuk është njohur apo shqyrtuar në mënyrë adekuate në botën shqipfolëse, çështje këto të njohura prej kohësh që vazhdojnë të rrisin ndërgjegjësimin e publikut, por dhe urrejtjen ndaj burrave të tillë. Modelet e roleve të tillë janë gjithashtu të rëndësishme për zhvillimin dhe orientimin e djemve e të cilët diskreditohen sistematikisht – këtu përfshihen heronjtë e luftës dhe aventurierët e paqes.
Tipi mashkullor që ka dëshirë të mbaj revole dhe të shtie me revole në ahengje etj, etiketohen si meshkuj brutal. Ata gradualisht po zhvlerësohen, edhe pse ata gjithsesi janë shtylla qendrore për shoqërinë të cilët i preferojnë gjithashtu profesionet tradicionale, ndërsa ka edhe rryma, grupe në shoqëri, të cilë janë pakta, e të cilët kërkojnë një emaskulim gradual të djemve. Kur djemve dhe burrave u ofrohen “vetëm” cilësi dhe virtyte femërore si një kundërpropozim i qartë, atëherë mund të themi se ka pasoja. Njëanshmëria sistematike gjeneron pasiguri, çorientim dhe ankth.
Elitës sonë politike, të dyja gjinive u mungojnë modele pozitive për orientim në lidhje me identitetin e tyre të qenurit paqësor, të aftë për debate dhe ballafaqime në diskurse pa patur frikë të diskutojnë edhe tema dabu si kjo e luftës dhe mbi të kaluarën e UÇK-së. Me këtë nuk nënkuptoj dekonstruksionin e maskulinitetit tradicional, sepse me këtë ekziston rreziku i humbjes së atyre cilësive që janë thelbësore për ruajtjen dhe mbrojtjen e të drejtës për të qenë i lirë në veprim dhe në të shprehurit: gatishmëria për të ndërmarrë rreziqe, vullneti për të luftuar, aftësia për të mbrojtur veten dhe për të lënë mënjanë nevojat e veta në favor të shoqërisë, vlejnë dhe duhet të vlejnë për të gjithë.
Të kritikosh fenomenet negative të UÇK-së dhe vyrtytet e reszistencës luftarake nuk do të thotë të kërkosh një kthim në një mentalitet kundër UÇK, por protestim kundër shtyrjes me bërryla, i cili mund të interpretohet si një kundërpropozim i qartë ndaj fenomeneve në fjalë. Ngritja kundër mendimit ndryshe, siç po bëhet tani ndaj Hekuran Muratit për një mendim të shprehur para ca vitesh është njëanshmëri, e cila pastaj në mënyrë sistematike gjeneron pasiguri, çorientim dhe ankth dhe promovon frikën e të rinjve për të ardhmen, i frikëson ata të bëhen paqësor, që të jenë më feministë dhe kritik në mendime për çështje të ndryshme shoqërore. /2LONLINE/