Nga Ismajl KURTESHI
Paqja pa drejtësi është thjesht tirani.
William A. Uajt
Shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Luginën e Preshevës ishin pajtuar ta ndalnin luftën e armatosur në vitin 2001 që e kishin filluar për shkak të represionit sistematik dhe mohimit të të drejtave të tyre elementare. Lufta pati filluar pas përpjekjeve të pasuksesshme pothuajse shekullore të shqiptarëve për realizimin e të drejtave të tyre me anë të metodave paqësore.
Lufta u ndal vetëm pas premtimit të ndërkombëtarëve se të drejtat kombëtare të shqiptarëve garantohen, se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të trajtohen ashtu si do të trajtohen serbët në Kosovë.
Në praktikë ndodhi e kundërta, serbët në Kosovë jo vetëm se i realizuan të drejtat, që u takojnë pakicave kombëtare, por ata po gëzojnë edhe privilegje të papara e të paimagjinuara në asnjë vend të botës. Përkundër faktit se ushtria serbe që vrau e dhunoj, që e bëri Kosovën shkrumb e hi, u ndihmua edhe nga një numër i madh i serbëve që jetojnë në Kosovë.
Serbët në Kosovë, jo vetëm se e kanë të garantuar përdorimin zyrtar të gjuhës amtare dhe shkollimin në gjuhën e tyre nga fillorja e në universitet, por ata nuk çajnë kokën ta respektojnë dygjuhësinë në institucionet që ata i udhëheqin.
Serbët në Kosovë, jo vetëm se e kanë të garantuar shkollimin në gjuhën amtare nga fillorja në universitet, që është e drejtë, por i përdorin edhe plan-programet shkollore të Serbisë, që nxisin urrejtje për shqiptarët, gjë që nuk tolerohet në asnjë vend tjetër.
Serbët në Kosovë, jo vetëm se pa pengesë e kultivojnë dhe e zhvillojnë kulturën dhe religjionin e tyre (me anë të të cilave shpesh nxisin urrejtje kundër të tjerëve, sidomos ndaj fqinjëve), por edhe i administrojnë objektet fetare ortodokse të përvetësuara si të tyre, madje administrojnë edhe sipërfaqe të mëdha të tokave për rreth tyre, pa i dhënë kurrfarë llogarie autoriteteve të vendit, gjë që nuk është aspak e drejtë.
Serbët e Kosovës, që më shumë marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga Serbia se në ato që i organizon Kosova, në Kuvendin e Kosovës i kanë të rezervuara 10 ulëse për deputetë dhe së paku dy ministri në Qeverinë e Kosovës, vende pune të rezervuara për serbë nëpër komuna dhe buxhet të veçanet për investime në lokalitetet ku jetojnë serbët, edhe pse të njëjtit me asnjë cent nuk kontribuojnë në buxhetin e Kosovës. Ata madje hapur veprojnë kundër këtyre institucioneve.
Serbëve të Kosovës, u është lejuar deri në vitin 2012 përdorimi i tabelave të automjeteve që kanë skaduar me 1999. Ata tolerohen edhe kur nuk paguajnë tatim, rrymë, komunali e të tjerat, gjë që nuk guxon të lejohet.
Serbëve që dëshirojnë të kthehen në Kosovë u ndërtohen shtëpi e u gjenden vende pune, madje edhe atyre që shtëpitë, banesat e tokën e kanë shitur me çmime të larta, edhe pse shpesh atë pasuri e kanë marrë si dhuratë nga pushteti okupues i Serbisë, me qëllim të ndryshimit të përmbajtjes demografike të Kosovës.
Serbët në Kosovë tani i kanë komunat e tyre etnike të dizajnuara sipas projekteve të Akademisë Serbe, të inkorporuar në planin e Ahtiasarit, por të financuara nga buxheti i Kosovës, komuna pa simbole të shtetit të Republikës së Kosovës, e të dirigjuara nga Serbia. Serbët i kanë edhe komunat e jashtë ligjshme që i udhëheqin strukturat ilegale të Serbisë. Komuna të tilla nuk ekzistojnë askund e nuk do të duhej të ekzistonin as në Kosovë.
Serbët në Kosovë i kanë themeluar pothuajse të gjitha institucionet që i ka një vend sovran. Këto institucione ilegale, që udhëhiqen nga Serbia, janë bërë pengesë e funksionimit të shtetit të Kosovës.
Komunat, shkollat, entet shëndetësore etj., që udhëhiqen nga serbët, me institucionet e Kosovës bashkëpunojnë vetëm atëherë kur duhet ta shfrytëzojnë buxhetin e Kosovës. Serbët e Kosovës i luftojnë hapur institucionet e Republikës së Kosovës ose në rastin më të mirë i injorojnë ato skajshmërish. Një gjë e tillë lejohet vetëm në Kosovë.
Shqiptarët në Luginë dhjetë vjetët e fundit jetojnë mes shpresës se do të realizohen garancitë e dhëna nga ndërkombëtarët dhe presionit politik e ekonomik të Serbisë. Ata po ndihen të tradhtuar (por jo edhe të befasuar) nga Serbia që si çdo marrëveshje edhe këto marrëveshje nuk po i respekton. Ata po e ndiejnë vetin të mashtruar nga faktori ndërkombëtar që kishte garantuar respektimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Ata po e ndiejnë veten të injoruar nga Shqipëria dhe nga Kosova që ua kanë borxh përkrahjen për realizimin e kërkesave të tyre të drejta.
Shqiptarët që jetojnë në Luginë kërkojnë respektim të Marrëveshjes së Konçulit. Ata kërkojnë trajtim dinjitoz nga autoritetet e Serbisë. Ata kërkojnë shkollim në gjuhën amtare nga fillorja në universitet dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe, ashtu siç i kanë serbët në Kosovë. Ata duan ta kultivojnë e ta zhvillojnë kulturën e tyre pa u penguar. Ata kanë nevojë për investime në infrastrukturë e zhvillim ekonomik. Ata kërkojnë punësim, krijim të kushteve për kthimin në shtëpitë e veta, të atyre që u dëbuan gjatë luftës nga Lugina.
Ata kërkojnë përfaqësim meritor në institucionet shtetërore të Serbisë, ashtu si përfaqësohen serbët në institucionet e Kosovës. Reciprociteti nuk ka alternativë thonë shqiptarët që jetojnë në Luginë. Reciprocitet kërkuan këto ditë edhe përfaqësuesit e tyre legjitim në Kuvendin Komunal të Bujanocit. Kërkesat e tyre të arsyeshme janë të artikuluara qartë. Injorimi i këtyre kërkesave dhe trajtimi jo i barabartë i shqiptarëve të Luginës me serbët që jetojnë në Kosovë e rrezikon stabilitetin në këtë pjesë të Ballkanit.
Historia na ka mësuar se pabarazia është burim i konflikteve. Kërkesa për të qenë i barabartë me tjetrin është njerëzore, është fisnike, është shumë e drejtë. Mbyllja e veshëve para një kërkese të tillë është gabim i rëndë politik, është dështim njerëzor. Edhe në këtë situatë nuk habit verbëria politike e Serbisë që tradicionalisht udhëhiqet nga synimet hegjemoniste, por habit indiferenca e faktorit ndërkombëtar, heshtja e institucioneve të Shqipërisë. Është i pakuptimtë, sidomos mjerimi politik i negociatorëve kosovarë, që pa një pa dy pranojnë të bisedojnë për secilën temë që e propozon Serbia, por kurrë nuk janë përpjekur ta hapin çështjen e shqiptarëve të diskriminuar që jetojnë në Luginën e Preshevës, as të atyre shqiptarëve që janë dëbuar nga Lugina e që qe dhjetë vjet bëjnë jetë refugjati në Kosovë pa pasur mundësi që të kthehen në shtëpitë e tyre në Luginë.
Shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës i kanë shprehur qartë kërkesat e tyre me referendumin e vitit 1992, me anë të deklaratës politike të vitit 2006, të protestave të vitit 2011dhe kërkesës për reciprocitet në vitin2012.
Qasjen e gabuar të faktorit ndërkombëtar, që synon normalizim të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe Serbisë, më së miri e shpjegon ish-kryeministri britanik Tony Blair në librin e tij “Një Rrugëtim” ku për problemin e Kosovës në vitin 1999, përveç të tjerash, thotë: ”… instinkti kryesor i komunitetit ndërkombëtar ishte të ndërhynte, por në një mënyrë shumë të kufizuar. Dhe në rast se do të ishte e mundur, të arrihej një marrëveshje, praktikisht çdo lloj marrëveshjeje që ta hiqte këtë problem nga titujt e lajmeve. Kishte një dëshirë për paqe, por jo për zgjidhje të problemit….unë këmbëngulja për zgjidhje jo për paqësim”.
Me luftën e vitit 2001 shqiptarët kanë dëshmuar se për të drejtat e tyre janë gati po qe nevoja edhe të vdesin. Ata ia bënë me dije të gjithëve se koha e nënshtrimit të popujve ka kaluar, ata kërkojnë drejtësi e barazi. Ata kanë filluar ta humbin durimin.
Prandaj faktorët relevantë kombëtarë e ndërkombëtarë këtë çështje serioze duhet patjetër ta trajtojnë seriozisht dhe të angazhohen për zgjidhjen e saj të drejtë e jo kështu si po angazhohen për paqësim. Përndryshe agjendat politike në këtë rajon mund të ndryshojnë. Prandaj sa më parë që të kuptohet se kërkesa, por dhe angazhimi për realizimin e barazisë dhe reciprocitetit ndërmjet njerëzve dhe popujve është e drejtë dhe pa alternativë, është më mirë për të gjitha palët. /2LONLINE/