Për herë të parë, me datë 20.12.2023, është realizuar me sukses, Nefrektomia laparoskopike- “Laparoscopic Nephrectomy Ribbon Technique”, në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, nga ekipi i kirurgëve pediatrik në bashkëpunim me anesteziologët e Klinikës së Anesteziologjisë.
Intervenimi është realizuar tek një fëmijë i moshës 5 vjeçare, i diagnostikuar me veshkë jo funksionale si pasojë e hidronefrozës së gradës së katërt, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK).
Javë më parë, gjithashtu është realizuar për të tretën herë një tjetër rast sfidues “Laparascopic assisted pull through” në një fëmijë të moshës 1 vjeçar me sëmundjen e Hirschsprung-ut (megakoloni kongjenital).
Raste të tilla sfiduese të cilat kryhen në qendra të specializuara dhe me përvojë, janë realizuar me sukses të plotë edhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, ku për mbi 4 vjet, janë realizuar intervenime laparaskopike tek fëmijët me patologji te ndryshme si: testisi intraabdominal, varikocela e testisit, divertikuli i Meckeli-it, tumoret e vezoreve, ciste e veshkës, apendektomia laparoskopike, kolecistektomia laparoskopike dhe Cista e Ekinokokut të Mëlçisë.
Me avancimin e mëtutjeshëm të “Kirurgjisë Minimale Invazive” do të mund të trajtohen shumica e patologjive me intervenimeve laparaskopike në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në ShSKUK, thuhet në njoftimin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK). /2LONLINE/