Kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka prezantuar sot projektin e rinovimit të plotë të Palestrës së Sportit “Bashkim Selishta – Petriti”, që kap vlerën e 2.3 milion eurove duke vazhduar kështu me prezantimin e projektit të dytë nga shtatë sa i ka paralajmëruar se do t’i prezantojë çdo javë.
Kujtojmë se Kryetari Hyseni, në prezantimin e raportit për punën 2-vjeçare, në fund kishte prezantuar edhe disa projekte, që i ka quajtur të mëdha dhe të rëndësishme për vitin 2024-2025.
Por, kjo që po bënë kryetari Hyseni nuk po ia mbush syrin, Lutfi Hazirit, kryetarit të Lidhjes Demokratikë të Kosovës (LDK), Dega në Gjilan, sipas të cilit kjo qeverisje ka veç skandale e dështime, e jo projekte zhvillimore.
Për më tepër, edhe Haziri ka paralajmëruar se për çdo ditë a javë, do t’i prezantojë skandalet e dështimet e kësaj qeverisjeje. Në fakt ai se quan as qeverisje, qeverisjen lokale të kryetarit Hyseni, por me ironi thotë për të se është “S’qeverisje”, derisa kryetarin e komunës e quan administrator, ndërsa veprimet e tija komedi.
“Pas projektit të “Qendrës Kulturore” kundërligjshëm dhe në pronë të sportistëve, sot Administratori i Gjilanit paska paraqitur nje projekt të ri për Palestren e Sporteve në Gjilan. Ky qe i ka degraduar projektet ekzistuese e të nisura si projektin e Stadiumit të Qytetit dhe projektin e Palestres Sportive në Zhegër, e paska zgjedhur këtë ditë vikendi për të bërë një komedi përmes rrjeteve sociale për qytetarët e Gjilanit. 7 javë, 7 dështime, 7 ofendime për gjilanasit”, ka thënë, në reagimin e tij, Lutfi Haziri i LDK-së. /2LONLINE/