“Një ngjarje e pazakontë dhe jo sportive ka ndodhur në ndeshjen dhe pas ndeshjes Gjilani-Prishtina e cila u zhvillua në kuadër të javës së 29 të Ipko Superligës së Kosovës. Ajo çka ndodhi në fushë nuk i shërben askujt dhe nuk na dërgon askund, ku ne si klub morëm lajmin se ka pasur lëndimeve të akterëve të ndeshjes. Klubi jonë është kundër çdo dhune dhe çdo veprimi josportiv që ndodhë në terrenet e sportit, në këtë rast në fushat e futbollit”, thuhet në një reagim të klubit gjilanas Drita.
Më tej, në këtë reagim thuhet se ajo çka na duhet më së paku është edhe prishja e raporteve në mes udhëheqësve të klubeve e cila mund të vije nga njerëzit joprofesional që gjinden nëpër kryesitë e klubeve, udhëheqës të ekipeve, e sidomos ju sportistë. Prishja, demolimi, shkatërrimi i dhomave te zhveshjes te cilat për shumë vite na kanë munguar është gjeja më e ultë që mund të bëjë një ekip dhe një sportist.
Duke i komentuar ndodhitë edhe pas përfundimit të ndeshjes, në këtë reagim të skuadrës FC Drita, thuhet se diku rreth 30 minuta pas përfundimit të ndeshjes, jashtë stadiumit, apo me saktësisht ne parkingun e stadiumit, zyrtari i klubit FC Prishtina ka ofenduar me fjalët më të pista, drejtorin sportiv të klubit drita, Valon Zymeri dhe atë e gjitha kjo ndodhi para zyrtarëve të policisë të cilët e kanë parë nga afër dhe janë duke u marr me rastin.
“Gjithashtu pas largimit te ekipit mysafir, FC Prishtina nga stadium i qytetit kemi vërejtur që dhoma e zhveshjes e klubit tonë është demoluar totalisht duke shkatërruar gjithçka që kishte brenda, duke thyer dritaret e kësaj dhome të cilën e shfrytëzon ekipi mysafir, në momentin që ekipi i Gjilanit ka ndeshje, gjithashtu edhe e kundërta, kur ne kemi ndeshje, dhoma e zhveshjes së ekipit të Gjilanit, shfrytëzohet nga mysafiret tanë. Për këtë rast ne do të njoftojmë Federatën e Futbollit të Kosovës si dhe organet kompetente”, thuhet në fund të reagimit të klubit futbollistik FC Drita. /2LONLINE.com/