Një grup i imamëve nga komuna e Preshevës reagojnë ndaj zgjedhjeve të organizuar nga Fikret Limani, kryetar në Këshillin e Bashkësisë Islame në Preshevë. Ky është reagimi i imamëve në nënshkruar më poshtë:
Më datë 05. 05. 2016 (e enjte), Fikret Limani kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame – myfti i vetëshpallur, ka organizuar zgjedhjet në Këshillin e Bashkësisë Islame me disa imam në kuadër të Bashkësisë Islame të Serbisë.
Përmes këtij reagimi ne edhe një herë njoftojmë opinionin publik se këto zgjedhje janë jo legjitime, të parregullta, dhe të papranuara për shumicën e imamëve të komunës së Preshevës të cilët janë pjesë e këtij institucioni.
Fikret Limani legalitetin juridik gjatë mandatit të kaluar e ka marrë nga Bashkësia Islame e Kosovës. Bashkësia Islame e Kosovës ka shpallë mbajtjen e zgjedhjeve në Këshillin e Bashkësisë Islame në Preshevë më 17 , Janar të vitit 2016. Këto zgjedhje të vetmet legjitime ku është dashur të marrin pjesë të gjithë imamët i ka bllokuar Fikret Limani për të organizuar zgjedhje sipas dëshirës dhe grupit të tij. Kundër këtyre zgjedhjeve janë deklaruar me nënshkrime pesëmbëdhjetë imamët e Komunës së Preshevës në deklaratën e tyre të datës 28. 04. 2015. Po në këtë datë edhe Kryesia e Bashkësisë Islamë të Kosovës ka reaguar përmes një deklarate për opinion ku është shprehur …” Shpallja e zgjedhjeve është kategori kushtuese e Kryesisë së Bashkësisë Islame te Kosovës, andaj, për të sqaruar opinionin e gjerë Kryesia e BIK me kohë i pati shpallë zgjedhjet edhe për Këshillin e BI në Preshevë, por mbajtjen e tyre e pengoj pikërisht, z. Fikret Limani me një grup të vogël, duke spekuluar e manipuluar për gjoja një organizim tjetër në Luginë”.
Prandaj këto zgjedhje janë jo legjitime, që përfaqësojnë vetëm interesat e ngushta klanore. Gjithashtu njoftojmë xhematin që ka marrë pjesë në këto zgjedhje mos të manipulohet, e të futet në sferën e interesave të ulëta të grupit të Fikret Limanit, për të nxitur huti dhe përçarje ne mesin e xhematit.
De fakto dhe dejure organizimi i këtyre zgjedhjeve për neve nënkupton kthimin e xhematit dhe xhamive të Preshevës nga Bashkësia Islame e Kosovës në atë të Bashkësisë Islame të Serbisë me seli në Novi Pazar, që do të thotë se do të ndodhë shkëputja e të gjitha lidhjeve historike dhe tradicionale fetare dhe kombëtare të ndërtuara me dekada me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Ne jemi në pritje të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve në Këshillin e Bashkësisë Islame në Preshevë nga Bashkësia Islame e Kosovës, të vetmet legjitime, të rregullta dhe të pranuara nga xhematet e xhamive të Komunës së Preshevës, transmeton Titulli.com.