Kryeministri në largim, Isa Mustafa
Sulmi mbi Arbana Xharrën është akt i ulët dhe i turpshëm. Kryerësit duhet të sillen para drejtësisë. IM
Presidenti Hashim Thaçi
Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë.
Si shoqëri nuk bën të lejojmë që dhuna të bëhet mjet i shprehjes së pakënaqësisë sonë.
Me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë.
Organet e rendit duhet ta zbardhin në tërësi rastin dhe t’i sjellin sulmuesit para drejtësisë. HTH
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha
Sulmi i tmerrshëm kundër Arbana Xharrës, na solli tronditje të thellë. E pabesueshme se si mund të shndërrohet mosdurimi dhe dhuna verbale në dhunë brutale fizike kundër nënës, bashkëshortes, gazetares, aktivistes dhe humanistes së shquar. I uroj Arbanës sinqerisht shërim të shpejt.
Sulmi merr përmasa tmerruese pas atakimit të vazhdueshëm, pas përcaktimit të qartë të saj dhe orientimit politik, të deklaruara me guxim dhe bindje. Urgjent pres nga organet e rendit, ta ndriçojnë rastin dhe kryesit e këtij akti jonjerëzor, të marrin dënimin e merituar.
Po ashtu, urgjent duhet të ndalet dhuna verbale në medie dhe në rrjetet sociale ndaj kujtdo që mendon ndryshe, duke mos cenuar në asnjë rast lirinë e askujt.
Ministri i Jashtëm, në largim, Enver Hoxhaj
Thellësisht i tronditur nga sulmi qyqar ndaj Arbana Xharrës. I shokuar nga ajo që mund ti ndodhë një gruaje, një nëne dhe mbi të gjitha një aktiviste të guximshme në tërë këto vite që nuk ka hezituar ti thotë hapur dhe pa frikë gjërat të cilat i mendon. Kemi dështuar të tërë që nuk kemi mbrojtur një grua e cila i thotë mendimet ndryshe. Jo toleranca jonë ndaj njerëzve që nuk pajtohemi me ta po na shtyn drejt këtyre ngjarjeve të papranueshme. Mjaft më! Të bashkëndjejmë të gjithë. Ta dënojmë të gjithë! Sulmuesit para drejtësisë. Arbana, shërim sa më të shpejt!
Kadri Veseli, kreu i PDK-së
Sulmi ndaj Arbana Xharrës është një akt barbar dhe i patolerueshëm.
Linçimi i vazhdueshëm i një gruaje dhe nëne, e cila ndër vite është shquar për veprimtarinë e saj të guximshme në të mirë të të gjithë shoqërisë sonë, është një sulm i radhës qyqar ndaj Arbanës, familjes së saj dhe demokracisë në vendin tonë.
Të gjithë duhet të jemi një, kundër së keqes, kundër cenimit të fjalës së lirë, të mendimit, shprehjes dhe orientimit politik.
Arbana edhe tani në angazhimin e saj në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës do të vazhdojë të japë më të mirën e saj për konsolidimin e demokracisë dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të vendit.
Sulmuesit duhet të sillen para drejtësisë, kurse Arbanës i uroj shërim të shpejtë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Gazetarja Arbana Xharra ka replikuar me anëtarin e Vetëvendosjes, Arbër Zaimi. Ky debat mes tyre ka shkaktuar diskutim të madh në opinionin publik. AGK për çdo rast i referohet Kodit të Etikës, i cili i bënë thirrje gazetarëve ta respektojnë, pasi vetëm me respektim të parimeve profesionale dhe etike, gazetaria në vendin tonë do të ketë respekt dhe besim më të madh të qytetarëve.
Ne dëshirojmë që të njoftojmë opinion publik se nuk është në punën AGK-së që të komentojë apo mbajë qëndrim në raport me mendimet personale të gazetarëve, në këtë rast të znj.Arbana Xharra, e cila në profilin e saj në Facebook ka replikuar me aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, por nga ana tjetër AGK-ja nuk mund të rri indiferente, madje do të mundohet vazhdimisht që të ngrisë vëmendjen përmes reagimeve publike dhe komunikimit me institucione në rastet kur kemi të bëjmë me punë profesionale, raportim, intervista, hulumtim… apo raportim për ngjarje të ndryshme në vend.
Ne jemi kundër çdo lloj fushate denigruese, lincuese apo edhe kërcënuese ndaj gazetarëve si dhe ndaj çdo lloj ofendimi që mund të bëjnë gazetarët. Ne ju bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë diskutim, porse edhe grupeve të tjera të interesit, që t’i shfrytëzojnë institucionet kompetente për t’i zgjidhur problemet mes vete, qofshin ato, kërcënime, fyerje apo gjuhë e urrejtjes.
Gjuha e urrejtjes dhe kërcënimit vetëm sa e keqësojnë gjendjen e Lirisë së Shprehjes dhe Mediave në vendin tonë. Ne kërkojmë nga të gjitha palët që të kursehen nga akuzat, shpifjet, kërcënimet dhe fushatat lincuese.
Siç e dini vendi jonë prej vitesh është në fund të raporteve ndërkombëtare sa i përket Lirisë së Shprehjes dhe Sigurisë së Gazetarëve.
Ramush Haradinaj, lideri i AAK-së
Sulmi ndaj Arbana Xharrēs, është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Aktet e tilla janë edhe kundër logjikës dhe traditës shqiptare.
U kërkoj organeve të rendit që ta zbardhin këtë rast, dhe t’i nxjerrin para drejtësisë kryesit e këtij akti të lig.
RH
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh keqardhje të thellë dhe e dënon sulmin ndaj opinionistes, tash anëtare e PDK-së, Arbana Xharrës. Asaj i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe organet e rendit i ftojmë që ta zbardhin sa më parë rastin.
Krahas kësaj, sqarojmë se raportimi i mediave satelite e krejtësisht të instrumentalizuara prej PDK-së si Express-i, ashtu edhe RTK-ja, në lidhjen e sulmit që bëjnë me aktivistët e VETËVENDOSJE!-s është jashtë çdo etike dhe pa asnjë bazë të argumentimit. Sulmet e tilla prej PDK-së nuk do të duhej të zinin vend në media, por të penalizoheshin.
Orkestrimi i tillë i sulmeve mediatike është keqpërdorimi më i madh që mund t’i bëhet një fatkeqësie për të goditur kundërshtarët politikë elektoralisht. Gjendja e znj. Xharra, as vetë ajo nuk duhet përdorur si armë kundër VETËVENDOSJE!-s.
Vetëm dy muaj më parë, aktivisti i VETËVENDOSJE!-s Agron Kabashi ishte sulmuar dhe rrahur brutalisht në mesnatë. Për sulme të tilla është drejtpërsdrejti fajtor kreu i PDK-së Kadri Veseli. Këto janë të metodat e tij të natës dhe për këtë duhet të përgjegjet.
Shpresojmë që znj. Xharra ta kalojë sa më lehtë këtë ngjarje.