Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF) shprehin shqetësim me situatën e rënduar energjetike në vend. Kjo gjendje është pasojë e mungesës së politikave të mirëfillta në vend për një kohë të gjatë që e kanë lënë Kosovën të varur nga dy termocentrale prej qymyri, të papërgatitur për kriza të tilla dhe pa një shteg të qartë nga e ardhmja. Është jashtëzakonisht e padrejtë që nga kjo situatë të dëmtohet konsumatori me paralajmërime për shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike apo t’i bëhet thirrje që të mos ngrohet në muajt e ftohtë të vitit. Nevojiten veprime urgjente para fjalëve dhe deklarimeve dhe dorë e ndihmës së shtetit para gjuhës fajësuese ndaj qytetarëve!
Kriza e çmimeve të importit të energjisë dhe rëniet e papritura të blloqeve të termocentraleve ekzistuese po shpërfaqin problemet e kahmotshme të sistemit energjetik në vend. Kosova po lëngon nga mungesa e investimeve që do të diversifikonin prodhimin dhe miksin energjetik, e cila do të mundësonte ofertën e brendshme më të lirë dhe të përballueshme për qytetarët. Për së paku katër vitet e fundit kemi berë thirrje që të reformohet skema mbështetëse për burime të ripërtëritshme të energjisë dhe të investohet në programe konkrete të efiçiencës së energjisë. Mos miratimi i Ligjit për Burime të Ripërtritshme sivjet dhe mos shpallja e ankandeve të para për investime në BRE, kanë bërë që ne ende të varemi me mbi 90% nga prodhimi i energjisë nga qymyri.
Edhe skema mbështetëse për qytetarët që vendosin të investojnë në panele solare është e mangët dhe e pamjaftueshme! Sa pako të rimëkëmbjes janë bërë e nuk është paraparë subvencionimi i paneleve solare për qytetarët që do të ulnin kërkesën për energji dhe do të rrisnin mikro-prodhimin?! Visar Azemi, Drejtori Ekzekutiv i BGF ka deklaruar se: “Është e domosdoshme të decentralizohet prodhimi nëse duam siguri më të madhe të furnizimit. Sektori i energjisë ka probleme të vjetra te cilat nuk mund të zgjidhen me subvencionime dhe vendime te rastit. Kosova duhet të ndërtojë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, e cila shkon drejt dekarbonizimit të sektorit energjetik. Investimi në efiçiencë të energjisë i cila e ulë konsumin e energjisë duhet të shihet me prioritet”.
I bëjmë thirrje Qeverisë që në planin afatshkurtër të themelojë Fondin e Konsumatorëve në Nevojë sipas kërkesave të Ligjit për Energjinë Elektrike, pastaj të fuqizojë Fondin e Efiçiencës dhe të ndihmojë qytetarët të përdorin alternativa të ngrohjes. Të dizajnohet një pako e ringjalljes që synon transformimin e sistemeve të ngrohjes, rritje të kursimit dhe rritje të kualitetit të jetës së qytetarëve. Një rimëkëmbje e gjelbër është e vetmja rimëkëmbje e qëndrueshme!
Ne gjithashtu, i bëjmë thirrje ZRRE-së që të rikthejë strukturën tarifore me blloqe në mënyrë që çfarëdo shtrenjtimi eventual i rrymës të mos prekë familjet që nuk mund të përballojnë një shtrenjtim të tillë. Struktura tarifore me blloqe ishte ndryshuar në vitin 2017 dhe ne kishim kundërshtuar këtë proces. “Është e rëndësishme të mbahet struktura tarifore me blloqe sidomos për të përballuar kërkesën për energji dhe për të nxitur efiçiencën e energjisë. Është koha që struktura që promovon efiçiencën të kthehet në mënyrë që të kontrollohet kërkesa për energji dhe të rritet efiçienca” – kishte deklaruar Drejtori Ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi që në vitin 2017.
Kjo krizë energjetike po shpërfaqë krizën e vendimmarrjes së munguar për njëzet vite në sektorin e energjisë. Është koha e fundit që Qeveria, ZRRE-ja dhe akterët e tjerë të përshpejtojnë procesin e tranzicionit duke promovuar prodhim më të madh nga burimet e gjelbra, kursim më të madh të energjisë duke investuar në programe të efiçiencës së energjisë që rrisin kualitetin e jetës dhe menaxhim dinamik të kërkesës dhe ofertës për energji. Krizat energjetike kërkojnë masa jo vetëm lehtësuese, por edhe vendime transformuese.
INDEP dhe BGF.