“Drejtoria për Buxhet dhe Financa në raportin e saj gjashtë mujor për vitin 2024, ka paraqitur të dhënat buxhetore që janë tejet shqetësuese për secilin qytetarë të Gjilanit, i cili është tejet i zhgënjyer me mospunën e qeverisjes së VV-së dhe të këtij kryetari të komunës, i cili vizaton e prezanton shumë, por për punë nuk është kërkah”, thotë Riad Rashiti, kryetar i PDK-së, Dega në Gjilan.
Ai shtoi se shifrat financiare tregojnë dështime të jashtëzakonshme në shumicën e drejtorive komunale duke mos shpenzuar asnjë euro të vetëm nga buxheti i planifikuar për investime kapitale. Ndërsa pak drejtori kanë arritë të shpenzojnë buxhetin prej 10% deri në 36%.
Rashiti tha se Drejtoria e Shërbimeve Publike është kampione e dështimit të realizimit të projekteve kapitale dhe e shfrytëzimit të buxhetit të planifikuar. Prej 6.1 milion euro nuk ka arritë të shpenzojë as një milion euro.
Sipas tij, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale prej rreth 720 mijë euro të planifikuar, ka shpenzuar vetëm 46 mijë euro. Dështim i plotë tek buxheti i projektit për shpenzime rezidenciale ku prej 386 mijë euro asnjë euro nuk ka shpenzuar, njësoj sikurse vitin e kaluar që i ka humbur 280 mijë euro të tjera për këtë projekt.
Rashiti tha se Drejtoria e Bujqësisë me zero euro shpenzim të buxhetit prej 305 mijë euro sa janë të planifikuara për këtë vit. Drejtoria e Urbanizmit me zero euro shpenzim buxhet të shpenzuar për projekte kapitale, prej 280 mijë euro të planifikuar për këtë vit. Në vitin 2023 po ashtu asnjë euro nuk ka arritë të shpenzojë dhe investojë.
“Me qeverisjen komunale të drejtuar nga VV dhe një kryetar i papërgjegjshëm dhe i papunë, secili vit është më i rëndë se ai paraprak, e që dëmet janë kolosale për qytetarët e Gjilanit”, ka thënë i pari i PDK-së së Gjilanit.
Sipas tij, në vitin 2023 Gjilanit i kanë humbur mbi 28 milion euro buxhet të pashfrytëzuar dhe pjesa më e madhe kanë shkuar në suficit, ndërsa 2,5 milion euro nga të hyrat vetanake janë ende të pabartura si pasojë e mungesës së vendimarrjes nga ana e Kuvendit Komunal.
“Ata që po viktimizohen çdo ditë, se opozita nuk po e miraton bartjen e mjeteve buxhetore, është mirë të punojnë pak më shumë dhe të bëjnë përpjekje për ti shpenzuar këto 8 milion që i kanë dhe nuk po dinë, e nuk po munden me i shpenzua fare”, ka thënë Riad Rashiti, kryetar i PDK-së, Dega në Gjilan. /2LONLINE/