/2L ONLINE/ – “Qytetarët e Gjilanit nuk e kanë merituar që të kenë një kryetar komune që endet nëpër gjykata, si akuzuar nga Prokuroria me pretendimin për kryerjen e aktiviteteve kriminale të cilat e kanë dëmtuar buxhetin komunal. Ata i kanë besuar një qeverisjes me duar të pastra, që ia kishte premtuar Lutfi Haziri, mirëpo tani janë duart e ndyta të qeverisjes së tij, ato që kanë bashkëpunuar me krimin financiar dhe urbanistik, me korrupsionin e lartë në ngufatjen e bizneseve dhe që kanë sjellë depresionin e thellë ekonomik dhe social në Gjilan”.
Kështu shprehet Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, sipas të cilit nisja e procesit gjyqësor ndaj Lutfi Hazirit që në fillim lë për të dyshuar, sepse kryetari i trupit gjykues është i afërt familjar i një këshilltari komunal të LDK-së. Ndërhyrjet dhe ndikimet e kryetarit të Gjilanit në punën e hetuesisë dhe gjygjësisë, janë dëshmuar disa herë nëpër dekada, edhe atëherë kur dikur gjatë sllavizmit të tjerët mbetshin nëpër burgje.
“Ky kryetar komune ka mbijetuar politikisht deri më tani, falë të qenit pjesë e një Task Force të fuqishme, e cila vepron ilegalisht në Gjilan dhe që ka përfituar miliona euro pasuri nga procesi i dyshimtë i privatizimit, shpëlarja e parasë përmes ndërtimeve, uzurpimi dhe tjetërsimi i pronës publike, tenderët dhe korrupsioni”, thotë Rashiti.
Sipas tij, sikurse që Prokuroria Themelore e Gjilanit ashtu edhe Gjykata Themelore nuk do të mund të fshehin dhe mbrojnë shkelësin e ligjit, keqpërdoruesin dhe dëmtuesin e buxhetit komunal dhe atë i cili po e shkatërron një qytet të tërë, pavarësisht që të gjithë këta së bashku, mund të jenë pjesë e të njëjtës task forcë politike ilegale.
“Fundi i të keqes po vjen, fillimi i të mirës dhe perspektivës për qytetarët e Gjilanit po vonohet shumë, por gjithsesi do të vije”, shprehet Riad Rasihiti (PDK), anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit. /2L ONLINE/