Riad Rashit, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, ka vazhduar me kritikat e tij në adresë të pushtetit në Gjilan, që siç thotë ai, po e humb buxhetin në çdo projekt.
“Secila ditë e kësaj qeverisje komunale është për keqardhje, qytetarët janë thellësisht të zhgënjyer më këta që sot po e bllokojnë çdo zhvillim për Gjilanin. Edhe vet ata të cilët e përkrahën me votë këtë qeverisje, po e shprehin hapur pakënaqësinë e tyre, sepse fatkeqësisht dështimet janë kolosale në secilin projekt madhor për qytetin tonë”, ka thënë Rashiti.
Ai tha se, më 18 shkurt 2024 është prezantuar projekti i bulevardit të qytetit të Gjilanit në vlerë prej 20 milion euro. Buxheti prej një milion euro është ndarë komunës së Gjilanit për vitin 2024. Paaftësia, mospuna dhe mosdija janë shkaktar i kësaj katrahure në qeverisjen e Gjilanit dhe të Kosovës.
“Asnjë veprim nuk është bërë nga qeverisja e dështuar komunale dhe qendrore, për të filluar dhe përfunduar projektet kapitale, siç është projekti i bulevardit të qytetit. Aq më pak respektimi i procedurave ligjore, nuk është bërë asnjë dëgjim publik me qytetarët e Gjilanit, asnjë diskutim me profesionistët e fushës, asnjë konsultim me përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvendin Komunal, nuk ka formuar asnjë ekip të ekspertëve për të menaxhuar këtë projekt. Pranda janë të padenjë me udhëheq me Gjilanin”, ka thënë tutje, Riad Rashiti.
I pari i PDK-së së Gjilanit tha edhe se, qeverisja e VV-së në Gjilan duhet të marrin shembull qeverisjen e PDK-së në Ferizaj, që pa përkrahjen financiare të qeverisë, e nisën dhe e përfunduan bulevardin e qytetit të tyre.
“Ndërsa, Gjilanit projektet po i treten të paluara në letër nëpër administratën komunale e stërmbushur me militantë dhe praktikantë të VV-së. Marre për besë”, thotë Riad Rashti, kryetar i Degës së PDK-së, së Gjilanit. /2LONLINE/