”Dorëheqja e kryetarit të komunës është e vetmja rrugë dhe shpresë për qytetarët e Gjilanit. Sepse secila ditë e qeverisjes së tij, po i sjellë dëme të jashtëzakonshme qytetit tonë”, ka thënë Riad Rashiti, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan.
Rashiti, tani së fundi e ka kritikuar qeverisjen e Vetëvendosjes si dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit në lidhje me projektin e rrugës Gjilan-Kllokot me kosto prej mbi 5 milion euro, duke thënë se ky projekt mjafton, për ta parë mjerimin e kësaj qeverisje komunale.
“Kjo rrugë e asfaltuar vitin e kaluar (2023), filloi të prishet menjëherë vetëm pas dy muajsh dhe u riparua në vjeshtë duke i mbushur gropat me kubëza betoni. Ndërsa sot ka filluar të hjeket asfalti i shtruar para një viti, për t’u asfaltuar përsëri”, ka thënë Rashiti, për të shtuar se për qytetarët e Gjilanit është bërë trishtim me marr rrugën për Prishtinë, Ferizaj apo Dardanë, gjithandej është kaos. Rreziqet janë tejet të larta, deri në humbje jetësh.
Ai shtoi se zgjedhjet lokale janë shumë larg për t’i përballuar kësaj gjendje të mjerueshme të krijuar në komunë.
“Akti i dorëheqjes së kryetarit të komunës është mundësia më e mirë, që ia mundëson qytetarëve të Gjilanit më 9 shkurt të votojnë për dy palë zgjedhje, për parlamentare dhe për ato komunale. Përndryshe vazhdimi i kësaj gjendje të jashtëzakonshme, e rrit edhe më tutje nivelin e degradimit dhe shkatërrimit të Gjilanit”, ka thënë Riad Rashiti, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan. /2LONLINE/