“Në buxhetin e vitit 2024 janë të ndarë 6 milion euro për projektin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Gjilanit. Edhe në vitin 2023 poashtu ishin të ndara 6 milion euro buxhet për këtë projekt. Pra janë 12 milion euro buxhet i ndarë në planifikim dhe që nuk po shfrytëzohet për këtë projekt tejet të rëndësishëm për qytetarët tanë, thotë Riad Rashiti, kryetar i Partisë Demorkatike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan.
Ai shtoi se Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga qeverisja e organizatës së VV-së, nuk është e aftë që të nis as këtë projekt të cilin e ka gjetur 100% të gatshëm, të projektuar, të tenderuar, të kontraktuar kompaninë që do t’a ekzekutojë projektin, buxhetin e gatshëm. E vetmja sfidë në këtë projekt ka qenë shpronësimi, për të cilin aspak nuk janë angazhuar me pronarët e tokave të gjejnë rrugën e marrëveshjes.
“Ky projekt në vlerë prej 26 milion euro ishte planifikuar të filloj së ndërtuari në vitin 2018, përmes kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 10 milion euro. Ky projekt nuk ishte votuar në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e VV-së dhe nga vet kryetari aktual i Gjilanit, ka thënë tutje Rashiti.
I pari i PDK-së së Gjilanit ka kujtuar se Komuna e Prizrenit e ka harruar këtë projekt, sepse e ka nisur dhe përfunduar me sukses në vitin 2021 impiantin për trajtimin e ujërave.
“Secilin projekt kapital për qytetarët e Gjilanit, ky kryetar komune bashkë me deputetë dhe asamblesitët e VV-së, e kanë bllokuar dhe po e fundosin qytetin tonë në çdo aspekt. Të vetmen punë që e kanë bërë në këto tri vite të qeverisjes komunale, është punësimi i familjarëve dhe përfitimet e mëdha nga subvencionet dhe grantet për bizneset e tyre familjare”, ka thënë Riad Rashiti, kryetar i PDK-së së Gjilanit. /2LONLINE/