Projektet që po i prezanton si projekte që do të realizohen, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, kanë nxitur reagimin e Riad Rashitit, kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Gjilan, i cili ka thënë se të vetmen gjë që po e bënë Hyseni si kryetar komune dhe ekipa e tij, është krijimtaria e imazheve të shumta përmes programeve të animacioneve, duke krijuar foto dhe video mashtrime për kinse projekte të reja investive, ndërsa e ka të pamundur ta mirëmbajë infrastrukturën ekzistuese.
Rashiti ka thënë se kanë qenë të pritura dështimet e një kryetari amator politik, të cilit i ka munguar vizioni për qytetin e Gjilanit, i ka munguar përgatitja për të udhëheqë me institucionet e komunës, ai nuk ka arrit të krijojë një ekip profesional për të drejtuar së paku disa nga sektorët më të rëndësishëm që janë thelbësor për një zhvillim ekonomik dhe shoqëror.
“Alban Hyseni nuk ka aspak vullnet dhe energji për punë dhe realizim të projekteve konkrete. Ai nuk ka aspak dashni për Gjilanin edhe pse shihet plotësisht i dashuruar në veten e tij dhe në krijimtarinë e rrethit të tij të ngushtë. Të vetmen gjë që po e bënë ai si kryetar komune dhe ekipa e tij, është krijimtaria e imazheve të shumta përmes programeve të animacioneve, duke krijuar foto dhe video mashtrime për kinse projekte të reja investive, ndërsa e ka të pamundur ta mirëmbajë infrastrukturën ekzistuese”, ka thënë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, gjendja është alarmante në sektorin e arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe të shërbimeve publike, derisa kaos të vërtet kryetari i komunës ka krijuar me buxhetin e komunës së Gjilanit.
Rashiti tha se PDK ka aq shumë argumente të cilat së shpejti do të shpalosen një nga një, të gjitha dështimet e qeverisjes së Vetëvendosjes (VV) në Gjilan, abuzimet dhe keqpërdorimet e jashtëzakonshme financiare që janë bërë gjatë vitit të kaluar, shkeljet ligjore dhe procedurale, nepotizmin në punësime dhe për përfituesit e subvencioneve, që janë bërë drejtpërdrejtë nga ana e kryetarit të komunës, asambleistë dhe zyrtarë tjerë të VV-së në Gjilan.
“Fundi i qeverisjes së VV-së në Gjilan përmes llogaridhënies ligjore dhe qytetare do të jetë i shumë i rëndë për ta. Ndërsa fundi VV-së do të jetë shpresë dhe fillim i ri për qytetarin e Gjilanit. PDK do e bëjë të pamundurën për të qenë adresa e të gjithë atyre që e duan vërtetë qytetin e Gjilanit dhe pjesën e Anamoravës”, ka thënë Riad Rashiti, kryetar i Degës së PDK-së, në Gjilan. /2LONLINE/