Ylli i Kosovës, Milot Rashica, po shkëlqen në Bundesligë me Werder Bremenin, tashme me atlete te reja sportive, ku inicialet MR7 janë të shoqëruara me flamurin e Kosovës dhe te Shqiperise.
Milot Rashica e ka publikuar një video në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Instagram, ku ai e ka etiketuar faqen e kompanisë Nike dhe e fokuson telefonin e tij te flamuri i Kosovës përkrah inicialeve të tij në këpucët me të cilat luan.
Rashica do të ketë mundësi t’i veshë këto këpuca të dielën në orën 15:30, kur skuadra e tij Werder Bremen do ta presë Hoffenheimin në shtëpi për ndeshjen e xhiros së 19-të të Bundesligës.
23-vjeçari nga Vushtrria ka qenë në superformë këtë sezon, duke arritur të kontribuojë me shtatë gola dhe tre asiste në 14 ndeshjet e tij në Bundesliga, si dhe me dy gola në dy ndeshjet e Kupës së Gjermanisë.
Këto paraqitje të mira të kosovarit kanë bërë që për të interesohen një numër i madh i klubeve evropiane, mirëpo futbollisti e ka bërë të qartë se nuk do të largohet nga Bremeni këtë muaj, duke e lënë kështu derën hapur për një transferim gjatë verës.