Shukrije Rapuca, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka parë me syrin kritik raportin e Drejtorisë për Bujqësi e Pylltari të Komunës së Gjilanit duke thënë se shihet që drejtoria asnjëherë nuk po arrin të realizojë buxhetin e planifikuar, e lëre më të realizojë premtimet elektorale për investime milionëshe në këtë lëmi.
Sipas saj, mjaftojnë vetëm dy shembuj që tregojnë më së miri dallimin mes premtimeve dhe dallimin mes planifikimit dhe realizimit të buxhetit të kësaj drejtorie.
“Gjatë fushatës është premtuar se për bujqësi, çdo vit, do të ndahen nga buxheti i komunës nga 1.5 milion euro. Normal, besoj që kanë qenë të vetëdijshëm që këtë premtim nuk do ta realizojnë kurrë, por qëllimi ka qenë marrja e votave nga populli e jo realizimi i premtimeve”, ka thënë Rapuca, shkruan 2LONLINE.com.
Sipas saj, absurdi edhe më i pakuptimtë është që kjo drejtori, gjatë këtyre tri viteve të kësaj qeverisjeje nuk ka arritur të realizojë as atë pak buxhet që e kanë planifikuar për bujqësi.
Rapuca, që është edhe anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku edhe i ka shprehur këto shqetësime të saja, ka thënë tutje se për vitin 2015 kjo drejtori kishte planifikuar 280.000 euro për subvencione, ndërsa ka realizuar vetëm 136.000 euro. Domethënë as gjysmën e buxhetit të planifikuar.
Për vitin 2016, kanë planifikuar 205.000 euro për subvencione, ndërsa kanë realizuar vetëm rreth 135.300 €.
Për vitin e kaluar kanë planifikuar edhe 132.000 euro për investime kapitale, kryesisht për hapjen dhe shtruarjen me zhavorr të rrugëve të arave, por kanë realizuar vetëm 100.000 euro.
“Në dy mandatet e kaluara, nuk ka ndodhur asnjëherë që drejtoria për bujqësi të mos ketë realizuar buxhetin e planifikuar. Do të ishte me interes për opinionin dhe sidomos për fermerët, të dihen arsyet pse nuk po arrihet të realizohet ky buxhet që vet e planifikojnë”, ka thënë në fund Shukrije Rapuca e PDK-së, duke shtruar edhe pyetjen se: A nuk po keni ku me i harxhua, apo po u marrin, këtë pak buxhet, e po ua qesin drejtorive tjera?!