Ndeshja e javës së 11-të do t’i takojë dy rivalët e vjetër FC Drita dhe FC Prishtina në ndeshjen qe zhvillohet nesër, e enjte nga ora 13:00.
Kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani teksa foli për ndeshjen tha se FC Prishtina është emër i madh në futbollin kosovar dhe ndeshje të tilla gjithmonë prodhojnë derbi.
“Nesër kemi një derbi, ndaj një skuadre qe si ne gjithmonë synon kreun e tabelës-titullin kampion. Duhet të mendojmë edhe për ekipin tonë, sepse kemi tre barazime radhazi dhe është momenti i duhur për të reflektuar ekipi, për të qenë më agresiv për të ardhur deri te objektivi i ndeshjes trepikëshi”, ka thënë Ramadani.
Sa i përket ndeshjeve të fundit pa gola, trajneri Zekirija Ramadani tha se përgjegjësinë e merr ai dhe stafi teknik, gjersa po e shqyrtojnë çdo detaj.
“Në ndeshjen e parë nuk krijuam, nuk ishim të rrezikshëm, kurse kundër FC Malishevës kishim raste shënimi, por thjesht nuk ishim të saktë. Këtë presion e mbajmë ne si staf teknik dhe e heqim nga futbollistët, ata duhet të bëjnë punën e vet. Nuk kemi egoizëm në ekip dhe shpresoj që nesër të kemi reflektim nga ekipi”, theksoi Ramadani.
Sa i përket shënimit të golave Ramadani tha:
“Secila skuadër do të shënojë sa më tepër gola dhe sipas thënjeve të trajnerëve të mëdhenj që ‘sulmi i mirë fiton ndeshjen, kurse mbrojtja e mirë fiton titullin’, kështu që ne të arrijmë t’i fitojmë ndeshje, pa marrë parasysh sa gola, të rëndësishme janë tri pikët”, potencoi Ramadani.
Ndeshja zhvillohet në Stadiumin Ndihmës (te rrethi), ora 13:00. /2LONLINE/