Superliga e Kosovës në futboll vijon me xhiron e 7-të këtë vikend ku FC Drita zhvillon ndeshjen ndaj FC Dukagjinit në Klinë.
Në konferencë nga kryetrajneri Zekirija Ramadani u tha se vetëm ndonjë befasi do ta sillte humbjen te Drita, ndonëse theksoi se kundërshtari i radhës është mjaft i vështirë.
“Nesër na pret një lojë e vështirë, por unë kam besim tek ekipi. Shpresoj të ambientohemi edhe me fushën edhe me kundërshtarin, sepse gjatë javës kemi punuar, jemi munduar të bëjmë klubin ashtu siç duhet për t’u përballur në mënyrë sa më profesionale përballë ekipit kundërshtar. Gjithë ekipi është i gatshëm përveç dy lëndimeve dhe shpresojmë të arrijmë objektivin”, tha Ramadani.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani ka thënë se duke parë përbërjen e skuadrës dhe kualitetin, FC Drita mund të mposhtet vetëm kur ajo e mposht veten.
“Kam besim të madh te ekipi dhe kualitetin që e kemi bërë dhe konkurrencën që kemi bërë ne brenda grupit vetëm vetën mund ta mposhtim, kurse asnjë skuadër nuk mund të na mposht. Vetën si mund ta mposhtim?! Me ndonjë gabim individual, me mosqasje serioze, ndonjë neglizhencë gjatë ndeshjes, ndonjë moment ose gjuajtje e pa saktë e jona. Kurse, sa i përket kundërshtarëve respekt maksimal, por kam bindjen se kemi një skuadër që është shumë e vështirë për të na shënu gol e jo për të na mposhtur”, theksoi Ramadani.
FC Drita udhëton me objektiv të vetëm në Klinë, fitoren, ndonëse nuk është ndeshje vendimtare për titull kampion ka thënë trajneri, Zekirija Ramadani.
“..pas asaj fitore eventuale mbetet vetëm një xhiro më pak, po nuk vendoset kampioni. Shpresoj në angazhim, në fitore dhe thjesht të jetë një xhiro më pak. Vetëbesimi nuk mungon, kemi kontigjent të lojtarëve, i kemi parashikuar lëndimet dhe thjesht shpresoj të kemi fatin dhe të arrijmë objektivin”, përfundoi trajneri Zekirija Ramadani.
Ndeshja FC Dukagjini – FC DRITA zhvillohet sot e shtunë, ora 15:00, në Stadiumin “18 Qershori” në Klinë. /2LONLINE/