Ramadan Rexhepi, fitues i sivjem i Çmimit letrar “Beqir Musliu”
KRYESISË SË ARS CLUB-IT “BEQIR MUSLIU”
GJILAN, KOSOVË
Të shumënderuar zotërinj dhe anëtarë të Jurisë profesionale,
Më lejoni t’ ua nis të falat dhe përshëndetjet më të ngrohta nga Suedia. Njëherit dua të ju falënderoj për nderin që ma kishit bërë duke më shpallur fitues të Çmimit letrar ”BEQIR MUSLIU” për vitin 2018 dhe duke më trimëruar që edhe në këtë moshë ta vazhdoj rrugën fisnike të krijimtarisë, sado e vështirë e tekanjoze që është jeta nën pushtetin e saj.
Një meritë jashtëzakonisht e madhe, të cilën do ta marr me vete atje ku gjenden Beqiri, Rexhepi, Agimi e shumë djem tjerë të Gjilanit, i takon mikut tim dhe krijuesit të prozës moderne, Prof. Dr. Anton Berishës, që pa ma shqiptuar asnjë rrokje, kishte derdhur mund për të zbritur në pusin e krijimtarisë time dhe, pas një studimi të vëmendshëm, të dilte para jush me një propozim që më ka befasuar shumë.
Unë u linda dhe rrita nën hijen e Karadakut. Midis Gjilanit, ku u rrit e u formua Beqiri, dhe Preshevës, ku u rrita e u formova unë, gjendet një rrafshlartë e trashë, ngjyrë smeraldi. Atje e shkuan motin gjyshet tona krenare, të cilat, në mungesë të argëtimeve tjera, duke zënë bukë e duke qëruar tramakë, u dëftonin bijve të tyre për zullumin e pushtuesve turq, serbë e bullgarë dhe luftërat që zhvilluan burrat e tyre kundër pushtuesve të huaj.
Bijtë e tyre s’ kishin nevojë të theren e të vriten për fe, sepse armikun e kishin para dere. Ndoshta pikërisht për ketë arsye mulla Idrizi s’ e pa të nevojshme të arratisej në Turqi, por e shkriu veten n’ atë qytet ku më vonë do të rritej Rexhep Elmazi, Beqir Musliu, Kadri Zeka, Agim Ramadani e shumë ndjekës të shembullit të tij. Me emrin e tyre sot krenohet Kosova.
Për pa dashur ta teproj misionin e gjeneratës time, mund të them lirisht se ai ishte i vështirë dhe, pa mbështetjen heroike të arsimtarëve tanë, që na mësuan zanoret e bashkëtingëlloret e gjuhës shqipe, ne s’ do ta përmbushnim detyrën që na ngarkoi koha. Ne s’ kishim asnjë rrëfim, asnjë dramë, asnjë roman, dhe letërsinë duhej ta zbulonim vetë, me forcat tona, duke mësuar nga letërsia e të huajve. Ky mbase është shkaku që shumë autorë edhe sot e kanë vështirë të besojnë se kemi një letërsi autentike kosovare.
Koha kur vëllezërit e mi shkrimtarë bënin hapat e parë në letërsi përshkohej nga plaçkitja e pronës shqiptare, regjistrimi i popullsisë, dhuna, spastrimi etnik, tatimet, ndjekjet, arrestimet, burgosjet, torturat si dhe likuidimi fizik i intelektualëve të pakët. Nuk janë të pakët ata poetë, shkrimtarë, mësues, profesorë e intelektualë që u torturuan deri në vdekje apo u vranë prapa shpine. Edhe më të pakët janë ata shqiptarë që kishin një njeri të punësuar.
Çfarëdo veprimtarie që zhvillohej nëpër fshatrat dhe qytetet e Kosovës përcillej me vigjilencë të madhe nga bashkëpunëtorët e Udbës. Pa marrë parasysh se sa nevojë kishim të shihemi dhe të mësojmë nga njëri tjetri, ne rrallë se kishim mundësi të shiheshim e të kuvendojmë hapur, si njerëz të lirë. Në ato rrethana mizore, ku çdo gjë qërohej e shoshitej nga censura, më e madhja që mund të bënim ishte të vepronim si ai bariu i përrallave popullore dhe t’i pëshpëritnim tokës se – mbreti ka brirë. Gjithmonë me shpresa se do dalë një kallam e do të shndërrohet në fyell e do t’ ia dëftojë popullit të vërtetën.
Me pikëllim të madh mund te them se ne, për ta ruajtur njëri tjetrin nga shpifjet e armikut, qëllimisht i shmangeshim njëri tjetrit dhe rrallë herë se diskutonim mbi rrëfimet apo novelat tona. Por s’ ka rregulla pa ndonjë përjashtim. Në vitin 1962, nga dëshira që ta njihja Rexhep Elmazin, unë mora autobusin dhe pa e paralajmëruar që do të shkoja ia zura derën. Atë natë e kaluam duke folur mbi vjershat që ai shkruante dhe mbi shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Si atë, ashtu dhe mua, na kishte prekur ajo tragjedi familjare. Për fat të keq, ky dhe mbeti takimi i vetëm.
I shumënderuar Sabit,
Të nderuar anëtarë të Jurisë,
Ditën e shtunë, 23 qershor, kam dëshiruar dhe dëshiroj të jem në Gjilan e ta pres atë ditë në mesin tuaj. Mjerisht, nuk jam në formë. Një varg problemesh shëndetësore, me simptome të paqarta, po më detyrojnë të mos largohem nga vendi dhe të mos iu shmangem vizitave mjekësore që kam caktuar gjatë kohë para vendimit tuaj. Unë po bëhem 78 vjeçar dhe duhet të rri ku jam e të mos ju nxjerr telashe. Jam i mendimit të mos ua prish rendin me të cilin çdo vit e keni pritur atë datë, edhe atë, në përputhje rigoroze me qëllimin e Klubit dhe amanetin e krijuesit tonë të madh.
Ju premtoj se atë çast që ta ndjej veten mirë do të vij në Kosovë dhe do t’ ju takoj pikërisht në vendlindjen e Rexhepit, Beqirit e Agimit, ku s’ kam qenë plot pesë dekada me radhë.
Miku im Anton Nikë Berisha më ka premtuar se do t’ ua thotë nja dy fjalë nga ato që unë do të dëshiroja t’ ua them.
Unë ju përshëndes nga zemra dhe ju uroj jetë te gjatë e shumë suksese në misionin që ia keni caktuar vetes.
Malmö, 14 qershor 2018
—–
P.S
Më 23 qershor 2018, ishte paraparë të organizohej Ceremonia e dhënies s♪7 Çmimit Letrara “Beqir Musliu”, fituesit të sivjem ( për vitin 2018 ) që, qëlloi të jetë Ramadan Rexhepi, një prozator i shkëlqyer i letërsisë shqipe, i cili prej pesë dekadash egjysmë është pjesë e mërgatës shqiptare dhe jeton e vepron në Malmo të Suedisë.
Në pamundësi të ardhjes së laureatit të sivjem, Ramadan rexhepit, në ditën e caktuar, thjeshtë nga shkaqe shëndetësore, Ceremonia u la për më vonë, duke e dëshiruar praninë e autorit që i ka munguar skenës letrare në Kosovë për rrafsh 55 vite.
Duke i dëshiruar shëndet e jetë, fituesit të sivjem të këtij Çmimi, të cilin e presim me padurim në Gjilan, pas sa e sa kohësh, në shenjë urimi për shëndetin e tij dhe, përgëzimi për Çmimin, po e publikojmë Letrën e tij që na e përcolli para pak ditësh përmes postës elektronike.
Në emër të Ars Clubit “Beqir Musliu”:
Sabit Rrustemi