Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të masave të ndërmarra nga Qeveria si pasojë e pandemisë Covid-19, për periudhën kohore nga data 15 prill 2020 deri me 21 prill 2020, në raste të ndara, në tri komunat e rajonit të Gjilanit (Gjilan, Kamenicë, Viti), ka ndalur gjithsejtë katërmbëdhjetë (14) persona, të cilët nuk e kanë përfillur vendimin e qeverisë.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se të gjithë këta persona janë takuar duke lëvizur gjatë kohës sa është caktuar ndalimi i lëvizjes, andaj janë arrestuar për: “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë“.
“Personat e ndaluar janë katër (4) nga Komuna e Gjilanit, një (1) nga Komuna e Kamenicës dhe nëntë (9) nga Komuna e Vitisë. Ata janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore, në një rast dy nga ta me vendim të prokurorit janë ndalë për dyzet e tetë (48) orë, gjersa dymbëdhjetë të tjerë në rastet veç e veç procedohen në procedurë të rregullt në prokurorin e shtetit”, ka thënë zëdhënësi Ismet Hashani