Bixhoz në kohën e koronavirusit!

Bixhoz në kohën e koronavirusit!

Autoritetet policore të Rajonit të Gjilanit kanë bërë me dije se në fshatin Beguncë të Vitisë kanë arrestuar katër të dyshuar, te cilët janë gjetur duke luajtur me letra bixhozi. Policia rastin e ka cilësuar si “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” , e derisa pronari i lokalit është ndalur në mbajtje për 48 orë, tre të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Duke folur për rastin, Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se më 20 prill 2020, rreth orës 23:00, Policia e Kosovës, stacioni policor në Viti, përmes rrugëve operative ka pas informata të qëndrueshme se fshatin Beguncë, komuna Viti, në një lokal, janë duke u zhvilluar lojëra bixhozi.

“Njësitet patrulluese në vende ngjarje kanë takuar dhe arrestuar katër të dyshuar, shqiptar shtetas të Kosovës, te cilët ishin duke lozur me letra bixhozi ku edhe janë gjet një sasi parash”, ka thënë zëdhënësi Hashani.

Sipas tij, të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit, njëri prej tyre (pronari i lokalit) është ndalur në mbajtje për 48 orë, ndërsa tre të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore.

KOMENTE