“Jemi krenarë të ju njoftojmë se projekti ynë i pritoreve, i inspiruar nga vizatimet e nxënësve të shkollave fillore, është zgjedhur një nga projektet finaliste – në World Architecture Festival 2024!”, ka thënë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj.
Ai gjithashtu ka shtuar se ky projekt përfshin elemente inovative si panelet diellore, çati të gjelbra, hapësira parkimi për biçikleta dhe rafte librash. Struktura e tij imiton pemën natyrale dhe përdor materiale miqësore me ambientin, duke krijuar hapësira urbane të qëndrueshme dhe multifunksionale.
“Në nëntor do ta prezantojmë Kamenicën dhe projektin në Festivalin e Arkitekturës që do të mbahet në Singapor”-ka njoftuar Kryetari Rahimaj.
Komuna e Kamenicës është komuna e parë në Kosovë që ka arritur deri këtu.
Kryetari Rahimaj ka thënë se ky sukses ka bërë që Festivali ta njoh Kosovën si shtet, sepse deri më tani është dashur të aplikohet përmes Shqipërisë. /2LONLINE/