Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, njoftoi sot se të martën është dënuar Ivan Radivojeviq me tetë vjet burg për krime luftes kundër civilëve.
Sipas EULEX-it, Radivojeviq është dënuar nga një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve vendës dhe ndërkombëtarë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dje më 12 shkurt.
Ai u gjet fajtor për krime të luftës kundër popullatës civile, sipas nenit 22 dhe 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në lidhje me nenin 3 të përbashkët të katër Konventave të Gjenevës të vitit 1949, dhe nenit 4 dhe 5 (1) të Protokollit Shtesë II, i datës 8 qershor 1977, dhe Konventave të Gjenevës të vitit 1949.
Gjykata vërtetoi se Radivojeviq kishte kryer krimet për të cilat pandehet në komunën e Fushë Kosovës, më 26 mars 1999.