Sadat Salihu, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Pika në Dobërqan (Miresh), të Gjilanit thotë se qytetarët e këtij fshati kanë pritur shumë nga qeverisja aktuale, pas premtimeve të dhëna, por ato dolën veçse premtime boshe. Sipas tij, këto shqetësime, qytetarët e shumtë të këtij fshati i shprehen edhe përgjatë një tubimi që patën me struktura të Lëvizjes Vetëvendosje, duke përfshirë këtu edhe deputetët e kësaj Lëvizje, Donika Kadaj, Besa Baftiu e Ismajl Kurteshi.
Salihu tha se ajo çfarë po dëshmohet tani është fakti se këtu Lëvizja Vetëvendosje po fuqizohet dhe kjo u pa edhe me masivizimin e këtij takimi, ku qytetarët ngritën shqetësime të shumta me të cilat po preokupohen edhe pse patën premtime të shumta nga qeverisja aktuale, por premtimet mbetën boshe, dhe tashmë të njëjtit shpresat i kanë vetëm tek Vetëvendosje.
Salihu tha se edhe në këtë takim kishte një interesim të jashtëzakonshëm të qytetarëve për bashkëbisedim me deputetët e pranishëm, me të cilët u bashkëbisedua edhe për situatën aktuale në vend dhe po ashtu edhe për këtë fshat, të lënë pas dore nga kjo qeverisje komunale, tash më e katandisur gjithandej dhe me adresë të humbur.
“Ne ua prezantuam problemet e fshatit si në infrastrukturë publike, po ashtu edhe në kujdesin e ndaj të rinjve, bizneseve, familjeve në nevojë e të tjera. Ne, në vazhdimësi kemi ngritur shumë shqetësime, por asnjëherë pushtetarët komunal nuk janë marrë me to. Kjo qeverisje nuk ka arrit ta konsolidojë as Këshillin e Fshatit që të kemi një adresë ku të drejtohemi për problemet e fshatit për fajin e problemeve të brendshme te Degës së LDK-së në këtë fshat, por edhe neglizhencës së kryetarit të komunës për t’u marrë me nevojat e këtij fshati dhe banorëve të saj”, ka thënë në fund Sadat Salihu, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, pika në Dobërqan (Miresh).