(2LONLINE) – Unë Raif Ajeti dhe shokët e mi kur vendosëm të largohemi nga PDK-ja, si Kryesi e Nëndegës së këtij subjekti politik, nuk e kushtëzuam Fatmir Limën, se nëse do të dalim në Nismën për Kosovën, çfarë na premton për interesat tona personale, siç bënë disa të tjerë.
Bashkë me shokët në Gjilan, sapo u formua Nisma për Kosovën, u nisa i pari me një grup shokësh të sinqertë dhe besuam shumë se nuk do të anashkalohemi nga Lideri i Nismës, sidomos për shkak të krijimit të besimit në alternativën e Fatmir Limajt.
Para së gjithash ky shkrim ka edhe përmbajtje të thellë emocionale për shkak edhe të miqësisë direkte me liderin e Nismës. Unë kur e kam mbrojtur Fatmir Limajn, disa njerëz e kanë fyer atë personalisht. E kam bërë një fushatë për ta mbrojtur Limën në çdo bisedë, që është bërë për të pa asnjë interes. E kam kultivuar një besim, respekt dhe dashuri të fuqishme miqësore me Limajn, para së gjithash, duke ia respektuar sidomos të kaluarën e tij në luftë, si hero, komandant dhe trim i patrembur.
Unë nuk isha i lidhur me Limajn për interesat e mia private, sepse unë nuk jam ‘i sëmurë’ për karrige, as për pozita dhe me këtë dorëheqje vetëm se e konfirmoj karakterin tim edhe praktikisht.
Dua t’i drejtohem personalisht Limajt me këtë letër. A të kujtohet Fatmir Limaj se në vitin 2011 të kam ftuar në derbin Gjilani-Drita, nën organizimin tim mbi 4 000 shikues brohoritën emrin e tënd dhe ndiheshe mirë kur kishe këtë respekt? A të kujtohet që non-stop thuajse kam marrë pjesë në seancat e tua gjyqësore që janë zhvilluar ndaj teje, po ashtu edhe në protesta kam qenë ‘honedon’, sa herë është ngritur zëri kundër procesit gjyqësor ndaj teje si emblemë e UÇK-së?
A mos keni harruar që në zyrën time gjithmonë ka qenë posteri me portretin tënd? A të kujtohen mirënjohjet e mia që t’i dërgoja përmes vëllait tënd, sado modeste, vetëm për të treguar se keni njerëz që të duan edhe në vështirësi, kur ishit në arrest shtëpiak?
Jam i vetmi njeri nga Gjilani që pa asnjë interes të kam ndihmuar. Mos harro fushatën e vitit 2010 në shi e në borë, bashkë me shokët e mi, kur të dolëm në ndihmë, por për një moment i harrove të gjitha.
I nderuari Limaj, E keni humbur një mik shumë të ngushtë dhe shumë të përzemërt ndaj teje, dikush që është 24 orë afër teje qe 14 vite, ngjashëm siç do të vepronte ndonjë adoleshent pas ndonjë këngëtari të famshëm, ndonëse aq i rritur si unë në moshë. Nuk të kam llogaritur politikan që bie nën ndikimin e dikujt tjetër.
Unë në Gjilan kam qenë avokati yt pa më emëruar Ju. Jam larguar nga PDK-ja sepse shkaku i emërimeve aspak demokratike në ora 00:00 të mesnatës, të njerëzve për kandidatë për kryetare të komunës, pa dëshirën time dhe shokëve të mi.
Publikisht kam dalur hapur kundër këtyre emërimeve dhe kundër këtij kandidati të emëruar. S’i kam ndihmuar hiç këtij personi, sepse nuk i thyej parimet e mia, kur ti z. Limaj, në Prishtinë formove Grupin Themelues për Gjilanin, pa Raif Ajetin dhe shokët e mi. Kush u frikësua prej meje? Pas postimeve të fotove me Grupin Themelues për Gjilanin, unë kam pasur shumë thirrje telefonike, sms, letra në fejsbuk dhe takime direkt me njerëz.
Njerëzit më pyesnin me të drejtë, për shkak të përkushtimit tim ndaj teje personalisht, ndaj Nismës për Kosovën dhe fuqisë sime në rrethin shoqëror, energjisë së madhe në organizim etj.
Më tregoni z. Limaj, si do t’i përgjigjeshit kësaj situate sikur të ishit në vendin tim? Si t’ia shpjegoja qytetarëve, shokëve dhe bashkëveprimtarëve, këtë anashkalim të padrejtë dhe pa ftesën që unë me shokët e mi të jem në këtë takim të Grupit Themelues të Gjilanit?
Pse të ishte ky themelim i Grupit për Nismën në Gjilan, pa Raif Ajetin? Qysh me iu përgjigjën njerëzve pse Raif s’të kanë ftuar Nisma në Prishtinë për Gjilanin?! Për këtë reagoi madje edhe një zyrtar i PDK-së me plot të drejtë! Besoj që e keni lexuar edhe këtë reagim z. Limaj! (shih shkrimin në 2Lonline: “NISMA ne Gjilan, niset pa (pro)motorin e saj”)
Pas këtij anashkalimi, ti më thirre, më dërgove sms, më thirrën shokët e tu për takim, por unë nuk e shoh veten aty pas anashkalimit dhe nuk i pranoj kurrë emërimet me dekret, sepse nuk më keni lënë hapësirë me të thënë se a e pranoj këtë Ekip Pune për Nismën në Gjilan, as mua, as shokët e mi! Nëse keni fakte z. Limaj, mohoji të gjitha këto.
Prandaj, prej sot, i bëjmë ftesë të gjithë shokëve e miqve të mi që kemi në PDK, që nëse keni vendosur me dalë nga PDK-ja dhe të dilni në Nismën për Kosovën, e cila që në start eliminoi njerëzit e devotshëm të saj, unë ju them: ose prini e luftoni të këqijat brenda PDK-së, ose shkoni në tri partitë tjera që janë dhe kanë strukturën e tyre serioze.
I nderuar Limaj, Të gjitha që i kam bërë prej vitit 2002 dhe deri para themelimit të partisë suaj të re, Nisma për Kosovën, ua bëj hallall publikisht, por kurrë për jetë nuk i pranoj emërimet me gisht dhe me dekret. Për këtë arsye, qysh kam dalë nga PDK-ja te Nisma për Kosovën, unë dhe shokët e mi japim dorëheqje edhe nga Nisma dhe nuk jemi më pjesë e saj.
Aktiviteti ynë politik dhe qytetar pushon deri në një vendim të radhës me të gjithë shokët.
Fatmir, Nisma për Kosovën e nisi keq në Gjilan dhe për Gjilanin. Qysh bre Fatmir nuk e filluat qysh duhet por e nisët shumë keq me Gjilanin?! /2lonline/
/Raif AJETI/