Akademiku Rexhep Qosja, në një intervistë për Top Chanel, nuk ka lënë politikanë pa kritikuar, që nga Ibrahim Rugova e deri te Hashim Thaçi.
Për Ibrahim Rugovën thotë se nuk mund të quhet simbol kombëtar, por partiak, duke ia rezervuar vetëm Adem Jasharit epitetin e simbolit kombëtar.
Derisa për Hashim Thaçin thotë se po jeton në iluzione, Vetëvendosjen e Kurtit e krahason me Agimin e Artë në Greqi, kurse Isa Mustafën e konsideron njeri të kohës së Rrahman Morinës dhe Milosevicit.
Qosja, duke folur për korrupsionin, ka thënë se ata që kanë luftuar dhe ata që kanë përkrahur luftën e kanë menduar Kosovën pak më ndryshe nga ç’është sot, me disa parti të cilave nuk iu takon një e drejtë historike, politike të flasin e të sillen siç po sillen dhe me disa dukuri të dhembshme që sjellin dhembje, shqetësim dhe dëshpërim.
“…Pra, korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi janë të këqijat e mëdha që po shkaktojnë dëshpërim, keqardhje, mospajtim me partitë dhe mosdurim të disa figurave politike. Mund të thuhet sot lirisht se prestigji i figurave politike në Kosovë sot është mjaft i fundosur”, tha Qosja.