Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka marrë sot pjesë në një ceremoni rasti ku brenda Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”, në Viti, është hapur sot qendra “Klasat për Nëna”. Me këtë rast kryetari Haliti ka folur rreth projekteve me AMC-në.
“Sot kemi nderin të fillojmë me dy programe të reja për shëndetin e nënës, klasat për nëna dhe fëmijë në 1000 ditët e para, që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e kualitetit të shërbimeve shëndetësore ndaj nënave dhe natyrisht edhe rritjen e besueshmërisë së qytetarëve ndaj shërbimeve që ofron në QKMF-në e Vitisë”, u shpreh kryetari Haliti duke potencuar se përparësi e këtyre programeve është edhe përfshirja e baballarëve në kujdesin ndaj fëmijëve.
Nga një fjalë rasti para hapjes së kësaj klase kanë mbajtur edhe Neil Taylor nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Vlorian Molliqaj , drejtori ekzekutiv i AMC-së dhe të tjerë.
Hapja e klasave për nëna u bë e mundur në kuadër të projektit të programeve edukative për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Kosovë, që është iniciativë e fondacionit Action for Mothers and Children (AMC), dhe ka për qëllim të mbështesë përmirësimin e kujdesit shëndetësor të ofruar për nënat dhe fëmijët, ndryshimet që ndodhin gjatë shtatzënisë, përgatitjet psikike dhe fizike për sallën e lindjes, kujdesin e nevojshëm pas lindjes, ushqyerjen me gji, dhënien e kujdesit për të porsalindurin dhe informacionin e nevojshëm për imunizim të fëmijëve.
Përndryshe bëhet me dije se këto klasa ofrojnë këshilla në një ambient të këndshëm dhome dhe në mënyrë interaktive. Përndryshe deri më tani nga përkrahja e këtyre klasave kanë përfituar mbi 10 mijë gra. /2LONLINE/