Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e saj të rregullt, të 17-tën me radhë, në të cilën shqyrtoi Raportin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Fillimisht kabineti qeveritar, me propozimin e kryeministri Ramush Haradinaj, ka autorizuar ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, që të përmbyllë procedurat e përmbushjes së obligimeve financiare në Gjykatën e Arbitrazhit, të prodhuara nga “rasti i pasaportave”. Ministri Sefaj obligohet që t’i raportojë kabinetit qeveritar për përfundimin e këtij procesi.
Në vazhdim të mbledhjes, kabineti qeveritar, ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Kosovë-Mali i Zi (2012-2015). Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore.
Qeveria ka vendosur që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria ka miratuar vendimin për caktimin e “Zonës Ekonomike” të Gllogocit si lokacion për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës. Qëllimi kryesor është ndërtimi i stadiumit kombëtar të futbollit me standarde të FIFA-s dhe UEFA-s, i cili i mundëson Kosovës që të zhvilloj ndeshjet kualifikuese ndërkombëtare në vendin tonë.
Projektligji për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguri bërthamore, është miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme. Qëllimi i këtij Projektligji është të mbrojë shëndetin e njerëzve dhe mjedisin nga efektet e dëmshme të rrezatimit, dhe të sigurojë nivel të lartë të sigurisë bërthamore. Projektligji do të përmbushë edhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës në këtë fushë.
Është miratuar edhe Raporti Vjetor i Statistikave Zyrtare për vitin 2016. Raporti Vjetor i punës për vitin 2016, i përgatitur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) përfshin të gjitha zhvillimet dhe të arriturat për periudhën përkatëse, gjegjësisht vitin 2016. Përgatitja e tij është në përputhje të plotë me përgjegjësitë ligjore, respektivisht sipas obligimit nga Ligji për Statistika Zyrtare.
Raporti i Vlerësimit të Punës së Komisionit të mëparshëm Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror: http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,285
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7366