Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka paraqitur për miratim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimit të Ligjit për Mjekësinë Ligjore dhe Draftin e Protokollin Shtetërorë për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale.
Në lidhje me draftin e Protokollit Shtetërorë, ministrja Haxhiu ka shpjeguar rëndësinë që ka standardizimi i veprimeve në ana e institucioneve përgjegjëse duke shtuar se Protokolli ka një peshë të rëndësishme të qasjes gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar ndaj dhunës ndaj grave, e veçanërisht dhunës seksuale, duke adresuar kërkesat kryesore të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën e Dhunës ndaj Grave e Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit).
Po ashtu, ministrja Haxhiu shtoi se një ndër prioritetet dhe angazhimet e Ministrisë së Drejtësisë është avancimi i infrastrukturës ligjore në sektorin e drejtësisë, përkatësisht të shërbimeve në fushën e mjekësisë ligjore, prandaj edhe janë bërë edhe ndryshimet e nevojshme në ligj.
Ministrja Haxhiu, tha se ky Projektligj është hartuar në koordinim të plotë me akterët relevant vendor dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore.
Që të dy iniciativat e Ministrisë së Drejtësisë u miratuan nga Qeveria e Republikës së Kosovës. /2LONLINE/