Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, të 127-ën me radhë. Kabineti qeveritar ka aprovuar dy udhëzime të parapara me Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Udhëzimi Administrativ për Mënyrën e Kompensimit Përfshirë edhe Llogaritjen e Kompensimit për Dëmtimet e Shumëfishta, rregullon kërkesën për kompensim e cila është e përcaktuar në detaje, përfshin plotësimin e saj, dorëzimin dhe afatin brenda së cilit duhet të dorëzohet. Kjo për faktin që të bëhet sa më e lehtë qasja e viktimave në kompensim.
Ndërsa, udhëzimi administrativ për Regjistrat për Parashtruesit e Kërkesës dhe për Vendimet e Lëshuara rreth Kompensimeve përcakton rregullat dhe kushtet për mbajtjen e regjistrave, duke filluar nga pranimi i lëndës, deri tek nxjerrja e vendimit dhe komunikimin e vendimit tek pala. Po ashtu, rregullon edhe pjesën e arkivimit të dokumentacionit dhe qasjes në evidencë, si dhe dispozitave që janë të nevojshme gjatë punës së komisionit, i cili do të bëjë vlerësimin e kërkesave për kompensim.
Aprovimi i këtyre dy udhëzimeve administrative, që u ndihmua nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, bënë kompletimin e legjislacionit të nevojshëm të kësaj fushe dhe rrjedhimisht mundëson fillimin e kompensimit të viktimave të krimit.
Gjatë mbledhjes është aprovuar edhe vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave shoqërore të KBI \”Progres\” Prizren, të cilat preken nga realizimi i Projektit për ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza, Zona Kadastrale Vllashnje, Komuna Prizren.
Po ashtu, është miratuar edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Konfederatës së Zvicrës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se efektet pozitive që do të dalin nga kjo marrëveshje janë të mëdha për qytetarët e Kosovës të cilët kanë punuar dhe punojnë në Zvicër.
“Qytetarëve të dy shteteve do t’u mundësohet lëvizja e lirë që të punojnë dhe të realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës dhe të drejta tjera nga fusha e sigurimit social. Në veçanti, me këtë marrëveshje, qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Konfederatën e Zvicrës do t’iu mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejtë që pensionin e tyre ta marrin në shtetin e tyre, pra në shtetin e Kosovës. Në bazë të kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet e drejta për t’i bashkuar edhe periudhat kontributive. Me miratimin në parim të kësaj nisme nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si bartëse e këtij procesi në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, sikurse Ministria e Jashtme, do të angazhohet në negocimin e kësaj marrëveshje duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera të aplikueshme. Miratimi i kësaj nisme e autorizon Ministrinë që të filloj menjëherë negocimin e marrëveshjes për sigurime sociale mes Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, negociata që parashihet të fillojnë javën e ardhshme”, tha ministri Abrashi.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi rëndësinë e kësaj marrëveshje, e cila adreson problemet e qytetarëve të Kosovës që kanë punuar në Zvicër.
“Unë e konsideroj se është një hap shumë i rëndësishëm, sepse ka pas shumë probleme sa i përket sigurimeve sociale me Zvicrën dhe mendoj se është një sukses i Qeverisë që ne ta përmbyllim këtë proces tepër të rëndësishëm që drejtpërdrejt adreson problemet e qytetarëve tanë që kanë punuar atje”, tha kryeministri Mustafa.