Qeveria e Republikës së Kosovës nën drejtimin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka mbajtur mbledhje solemne, në të cilën kongresisti amerikan Eliot Engel i është adresuar kabinetit qeverisës me fjalë rasti.
Fillimisht kryeministri Haradinaj i ka dëshiruar mirëseardhje dhe ka njohur kabinetin qeveritar me angazhimet e Eliot Engel për Kosovën dhe me angazhimin e kabinetit të tij qeverisës për të avancuar dhe zhvilluar vendin.
Në fjalën e hapjes kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë:
“Kongresisti Engel ka qenë mbështetës kryesor i Kosovës që kur ka hyrë në Kongres në vitin 1989.
Kongresisti nënshkroi rezolutën, për shprehjen e mbështetjes për Presidentin Rugova në fillim të viteve ’90.
Kosovën e vizitoi për herë të parë në vitin 1993.
Eliot Engel nënshkroi legjislacionin, që do të lejonte hapjen e zyrës së parë të USAID-it në Prishtinë, zyra e parë e SHBA-së në Kosovës, në vitin 1995. Shumë e quajtën ambasadë jozyrtare të SHBA-së për Kosovën.
Në vitin 1996, kongresisti Engel qëndroi në Maqedoni, në kufirin e Kosovës, duke u përpjekur që të hynte si vëzhgues i zgjedhjeve. Ai pati thënë: “Unë u përpoqa të shkoj në Kosovë dhe Millosheviqi nuk më lejoi të hyja, por unë kam lajme për të, do të jetë një Kosovë e lirë dhe e pavarur dhe nuk do të lejojmë të vazhdojë kështu”.
Në vitin 1998, kongresisti Engel udhëtoi në Rambuje të Francës për të mbështetur ekipin negociator të Kosovës në përpjekjet e tyre për të parandaluar luftën dhe që Kosova të bëhej e lirë.
Pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, kongresisti Engel erdhi në Kosovë për të parë atë, ku u gjet në mes të shtëpive të djegura, mijëra familje duke u përpjekur të rindërtojnë jetën e tyre.
Në dhjetor të vitit 2000, Eliot Engel shkroi një ndryshim thelbësor në aktin e autorizimit të inteligjencës, i cili drejtoi Agjencinë kryesore të zbulimit, për të shkruar një raport publik mbi UÇK-në, në përgjigjet e sulmeve ndaj UÇK-së.
Raporti i vitit 2001 zbuloi se UÇK-ja nuk po angazhohej në terrorizëm apo drogë, duke pasuruar UÇK-në dhe akuzat mbi të.
Pas pavarësisë së Kosovës, kongresisti Engel u përpoq ta qonte Kosovën në MCC.
Angazhimi i kongresisti Engel për Kosovën nuk ndalet me kaq, është i shumtë. E kemi nderin që sot jemi bashkë.
Vetëm për dy muaj qeverisje, me qëllim të zbatimit të reformave në kuadër të agjendës së integrimit evropian dhe të perspektivës euroatlantike të Kosovës, ne kemi marrë 120 vendime, duke përfshirë 30 ligje dhe akte nënligjore.
Jemi në fazën e zbatimit, forcimit të rendit dhe ligjit, po ashtu edhe të zhvillimit ekonomik, duke iu drejtuar sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm, duke synuar ngjalljen ekonomike dhe në vazhdimësi një fokus i kushtohet resorëve veç e veç.
Ajo që e karakterizon këtë qeveri, po ashtu është një punë shumë e përafërt me Ambasadën e Amerikës në Kosovë, USAID-in, me të gjitha autoritetet që funksionojnë në Kosovë, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve të popullit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ashtu thellimit të një miqësie që është e veçantë, që buron nga kohërat e vështira të popullit tonë”.
Kryeministri i ka dorëzuar simbolikisht plaketën e argjendtë, plaketë e cila ka të bëjë me një vulë të vendosur nga Posta e Kosovës, e cila i dedikohet kongresistit me të cilën e nderon Posta dhe Qeveria.
Kongresisti Eliot Engel në adresimin e tij para kabinetit qeveritar ka thënë:
“Ju uroj për marrjen e detyrës si Kryeministër, mik imi me vite! E di që do të bëni një punë të shkëlqyeshme.
Kosova po ndërton shoqërinë e vet shumetnike dhe besoj që ky vend do ta bëjë atë që asnjë vend tjetër në Ballkan nuk e ka bërë. Do të punojmë bashkërisht për sundimin e ligjit, për demokracinë dhe jam i bindur se kjo do të arrihet. Ndihem mirë për gjithë këtë përparim që e kemi bërë së bashku.
E kam thënë gjithmonë, që Kosova do të jetë komb i lirë dhe i pavarur, pavarësisht zërave skeptikë për këtë. Gjithmonë do ta keni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Askush nuk është më krenar për bashkëpunimin me SHBA-të sesa kosovarët dhe ata e kuptojnë që kjo është shtylla e demokracisë që edhe ju këtu e keni.
Dje isha dëshmitar i procesit të votimeve dhe ka qenë e mrekullueshme pas gjithë atyre presioneve të viteve të fundit.
Do ta keni gjithmonë mbështetjen time në çdo hap, që të sigurojmë që partneriteti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbetet i fuqishëm. E di që një ditë do ta festojmë edhe hyrjen e Kosovës në Bashkim Evropian dhe NATO. Ky është qëllimi që kemi tash për të ardhmen e Kosovës.
Ju mund të llogaritni gjithmonë në mua si mikun tuaj. Kur unë takohem me ministra të vendeve të ndryshme në zyrën time, vendet e të cilëve nuk e kanë njohur Kosovën, gjithmonë ua them se kur do ta bëjnë një gjë të tillë.
Nuk do të ndalemi derisa të gjithë të kuptojnë që Kosova është vend i rëndësishëm në Ballkan dhe është faktor stabilizues i tij, është mike e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7302